
Nga Brixhilda Xhuraj
E paralajmëruar që në korrik të këtij viti, kur u mbajt protesta e parë e Partisë Demokratike (PD), me në krye të saj Sali Berishën, sot më 12 nëntor do të zhvillohet protesta e radhës.
Pak detaje dihen, pasi Berisha ka preferuar që skenarin ta shpalosë gjatë manifestimit të saj.
E organizuar para Kryeministrisë te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, këtë herë zyrtarisht do të jetë pjesëmarrëse edhe Partia e Lirisë.
Kjo e fundit, nuk arriti të gjejë mbështetjen e PD-së, në momentin që organizoi një protestë të sajën muaj më parë.
Por, tanimë dy liderët respektivë, Berisha dhe Ilir Meta janë koordinuar duke zhvilluar edhe takime kokë më kokë.
Protesta vjen në një moment, kur Gjykata e Tiranës ende nuk e ka marrë një vendim se cili duhet të jetë në krye të selisë blu.
Fraksionet brenda PD-së janë të qarta, duke qenë se kryetari parlamentar i saj, Enkeled Alibeaj, ka njoftuar se do të shkojë me kandidatë të ndryshëm – nga primaret e Berishës – në zgjedhjet vendore që mbahen vitin e ardhshëm.
Deri më sot, nga deputetët e “fraksionit Alibeaj” nuk ka pasur një pohim ose mohim publik nëse do të radhiten pranë Kryeministrisë si zëri i opozitës.
Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji – i cili ende nuk është pozicionuar – për Albanian Post (AP) ka deklaruar se do të jetë pjesëmarrës.
Ai është shprehur se kjo ngjarje është një tubim për qytetarët, përtej flamujve politikë që politikanët përfaqësojnë.
Por, për analistët politikë në Shqipëri ky organizim ka disa domethënie të ndryshme.
“Protestë e munguar”, “e papërfillshme pranë pushtetit të Ramës”, “do të tregojë vetëm se kush e ka lidershipin e PD-së”, “pro-ruse”, “as me këtë përpjekje, Berisha nuk rikthehet më”.
Janë këto disa nga qasjet e tyre.
Analisti, Artur Zheji, është shprehur se protesta nuk po bëhet për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit, Edi Rama.
“Kam përshtypje që kjo protestë bëhet për të treguar se kush e ka lidershipin e PD-së”.
Kështu, ai cilëson se kjo është pjesë e luftës së brendshme për pushtet.
I një ideje krejtësisht tjetër, por njëkohësisht dhe të ngjashme, është ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, i cili fillimisht ka kërkuar pastrimin selisë blu nga afera ruse.
Për të, nëse ky proces nuk ndodh atëherë protesta e demokratëve nuk do jetë kundër “regjimit, por do jetë një protestë pro ruse, e për pasojë antishqiptare”.
Ndërkohë, analisti Andi Bushati, mendon se protesta nuk do të ketë ndonjë ndikim në pushtetin e Ramës, apo ta dëmtojë atë.
Ai shprehet se protestat kanë vlerë në një sistem demokratik ku mund të thyesh edhe ndonjë xham apo të shash edhe Qeverinë, por jo në Shqipëri, “ku të nesërmen çdo gjë vijon njësoj”.
E për këtë, sipas Bushatit, fajtore është Qeveria pasi “ka të gjitha kontrollet e pushtetit”.
Sa i takon reagimit të kësaj të fundit, deputetët socialistë nuk kanë shfaqur asnjë shenjë shqetësimi.
Damian Gjiknuri, i cili foli dhe publikisht tha se nuk është “ndonjë ngjarje e madhe”, por tregon për lirinë në një vend demokratik.
Kështu mbetet për tu parë se sa “ngjarje e madhe” do të jetë protesta e thirrur nga Berisha, emri i të cilit shkon gjithmonë bashkë me “mitingjet” – shpesh jo paqësore.
TURPI KOMBETARE saleh Hamuti NDYN ALA SHQIPERINE
Keta nuk dine ku kane koken,a jane deputete me apo jo se kane perjashtuar njeri tjetri dhe duan te bejne opozite me Saliun!
Ku eshte prokuroria ,te perdhoseshflamurin shqiptar dhe te guxosh te dalesh ne proteste ?turp per kombin