
Mëngjesin e kësaj të hëne është zhvilluar në kryesinë e Kuvendit mbledhja e grupit të Partisë Socialiste.
Në një deklaratë për mediat, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka zbardhur diskutimet brenda grupit parlamentar, ku është diskutuar edhe për Presidentin e ri. Sipas Ballës, deputetëve në grupin parlamentar i është kërkuar që të bëjnë propozime konkrete për emrin e ri të Presidentit, qoftë edhe konfidenciale.
“Çdo deputet i PS gjatë fundjavës duhet të jetë prezent në territor dhe për të marrë vendimet që lidhen me angazhimet që lidhen me javën pasardhëse. Në 31 mars është seanca e radhës e Kuvendit, kemi diskutuar për çështjet e rendit të ditës.
Po afron dita që në konferencën e kryetareve duhet të ketë një kalendar për zgjedhjen e presidentit. Jo më vonë se 60 ditë, pra jo më vonë se 24 maji duhet të ketë filluar procesi për zgjedhjen e presidentit. Dëshira jonë është që ky të jetë një proces i hapur dhe bashkë me mua si kryetar i grupit parlamentar do të jetë Spiropali dhe Gjiknuri si të mandatuar për tu konsultuar me grupet e tjera parlamentare që është i interesuar për një dialog konstrukitv.
Deputetëve i është kërkuar që deputetët të vijnë me propozime konkrete, konfidenciale nëse duan me qëllim që ne të kemi gati në një kohë një short listë të atyre që mund të jenë kandidaturat e mundshme”, tha Balla.
Lini një Përgjigje