
Nga Bekim Bislimi REL
Shtimi eventual i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, do ta thellonte padrejtësinë.
Kështu thotë Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë përsëritur më 8 gusht qëndrimin se masat mund të reduktohen, mund të hiqen, por mund edhe të shtohen varësisht nga hapat që ndërmarrin autoritetet e Kosovës në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të vendit.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Masat e tilla janë ende në fuqi.
Qeveria e Kosovës ka theksuar se masat e tilla “nuk janë zgjidhje” dhe se, sipas saj, “koha ka dëshmuar se kanë qenë të padrejta”.
“Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë”, thuhet në komentin e Qeverisë për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës është shprehur e indinjuar pse BE-ja, sipas saj, “nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë”, e cila pas sulmit të grupeve të armatosura serbë në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit të kaluar, “po e strehon dhe financon Millan Radoiçiqin”.
Radoiçiq kishte marrë mbi vete përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan me policinë, u vranë edhe tre serbë të armatosur, pjesë e grupit të udhëhequr nga Radoiçiq. Ndaj Radoiçiqit ende nuk ka aktakuzë në Serbi, por as në Kosovë.
Burimet diplomatike të Bashkimit Evropian (BE) i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë ndryshim në qasjen e Bashkimit Evropian (BE) lidhur me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas tyre, “BE-ja vetëm ka përsëritur qëndrimin e shprehur para më shumë se një viti”, kur ishin vendosur masat, për të cilat kishin deklaruar se janë të përkohshme.
Asokohe ishte thënë se masat mund të reduktohen, mund të hiqen, por mund edhe të shtohen varësisht nga hapat që ndërmarrin autoritetet e Kosovës në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të vendit.
Në këtë kontekst, sipas burimeve diplomatike të BE-së është edhe deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, e 8 gushtit, sipas së cilës, në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, “janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit”.
“Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë aktorët e BE-së”, tha Stano.
Stano u është referuar veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat më 5 gusht mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë, pasi thanë se ato vepronin në veri të Kosovës pa licencë. Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara e kritikuan këtë vendim.
Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar po kundërshton edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër, që Qeveria e Kosovës synon ta hapë për qarkullimin e automjeteve.
Shtetet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – ditëve të fundit deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Qeveria e Kosovës, megjithatë ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri “është çështje e sundimit të ligjit”, ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër “është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015”, si dhe “kontribut i drejtpërdrejtë i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”.
Burimet diplomatike në BE thonë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat nga BE-ja janë cilësuar të njëanshme dhe të pakoordinuara “nuk shkojnë në drejtim të shtensionimit të situatës, por mund të kenë efekt të kundërt”.
Bazuar në gjithë situatën e krijuar së fundmi me veprimet e autoriteteve të Kosovës, burimet diplomatike në BE, thonë se “ata që kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, tash do ta kenë të vështirë që ta arrijnë këtë qëllim”.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në qershor u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Asokohe, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, por disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe ato shtete nuk u pajtuan që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.
Mospajtimi i shteteve të caktuara për heqjen e masave ndaj Kosovës, kanë theksuar si argument prishjen e besimit në raport me autoritetet e Kosovës, të cilat, siç thuhej atëherë, mund të ndërmarrin veprime të njëanshme në veri të vendit, qoftë edhe nëse gradualisht hiqen disa masa.
Si argument, diplomatët përmendnin paralajmërimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Duke u bazuar në zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, burimet diplomatike në BE thonë se vendet që kanë kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, tash do ta kenë të vështirë që ta arrijnë këtë.
Disa diplomatë në Bruksel, thonë se në këtë situatë është e mundur që të mendohet edhe për veprime të reja ndaj Kosovës, që nuk nënkuptojnë doemos masa ndëshkuese. Ata nuk kanë dhënë sqarime se cilat mund të jenë ato veprime.
Sipas këtyre diplomatëve, gatishmëria në BE lidhur me këto veprime, do të varet nga ngjarjet në terren, në ditët në vijim.
Por, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, ka shtete që mendojnë se masat vetëm ndaj Kosovës dhe asnjë masë ndaj Serbisë, krijojnë hapësirë për ta konsideruar rolin e BE-së si jo të balancuar.
Prandaj, sipas tyre, konsiderohet e vështirë që në Këshillin e BE-së të arrihet pajtim i të gjitha vendeve anëtare për të shtuar masat ndaj Kosovës e ndërkohë të mos ketë asnjë masë ndaj Serbisë.
Megjithatë, BE-ja vazhdon të presë që autoritetet e Kosovës t’i kthehen bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët dhe para se të ndërmarrin çfarëdo veprimi, të kenë parasysh edhe efektin që ato mund të kenë për komunitetet e ndryshme në Kosovë.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, shpreh mendimin se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës, janë të buta dhe nuk janë me pasoja të pariparueshme.
Megjithatë, sipas tij, ndonëse BE-ja ka në dispozicion mundësinë që t’i shtrëngojë këto masa, vendimi për një gjë të tillë kërkon konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, gjë që është vështirë të arrihet.
Deri më tash, siç thotë ai, BE-ja ka anuluar takimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), gjë që ka efekt margjinal.
Megjithatë, sipas tij, në rast se do të arrihej një konsensus për ashpërsimin e masave, atëherë BE-ja mund të marrë vendime politike dhe ligjore që pezullojnë zbatimin e disa pjesëve të MSA-së.
“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendim që komplet pjesa tregtare e MSA-së të pezullohet. Kjo i bie që eksportuesve të Kosovës u mohohen të gjitha privilegjet që i gëzojnë aktualisht gjatë eksportit në BE”, thekson Shasha.
Po ashtu, sipas tij, BE-ja ka mundësi të ashpërsojë masën e deritashme të mosftesës së Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Pavarësisht masës aktuale, sipas tij, krerët më të lartë institucionalë të Kosovës kanë marrë pjesë deri më tash në disa takime të nivelit të lartë, por kjo mund të ndryshojë.
“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendimin që nga 1 shtatori, institucioneve të Kosovës t’iu mohohet pjesëmarrja në të gjitha forumet evropiane. Unë po flas për përshkallëzime. Kjo mund të shkojë duke u përshkallëzuar, deri në nivelet ku hyjmë në rangun e sanksioneve”, thekson Shasha.
Ai shton se deri më sot edhe masat e BE-së në fushën financiare kanë qenë të buta dhe nuk kanë prodhuar pasoja të pakthyeshme.
Sipas tij, BE-ja ka pezulluar fondet e caktuara për Kosovën, por nuk i ka anuluar ato.
“Tani BE-ja mund ta përshkallëzojë këtë dhe nga pezullimi i fondeve mund të shkojë në anulim të fondeve. Pastaj, pasojat janë të pakthyeshme”, thekson Shasha.
Në këtë kontekst, sipas tij, humbjet për Kosovën mund të jenë nga mijëra euro në qindra miliona euro, varësisht nga ajo se çfarë mesazhi dëshiron të dërgojë BE-ja tek autoritetet e Kosovës.
Megjithatë, ai nuk beson se BE-ja do të ndërmarrë masa ekstreme, por ato do të jenë proporcionale në raport me sjelljen e autoriteteve të Kosovës.
“Gama e mundësive për t’i përshkallëzuar këto masa, është e pafund”, thotë Shasha.
Megjithatë, sipas tij, shtrëngimi eventual i masave nuk ka gjasë të ndodhë për një kohë të shkurtër dhe lehtësisht, sepse kjo mund të shkaktonte pasoja të pariparueshme në raportet Kosovë-BE.
Ai konsideron se edhe BE-ja do të sillet varësisht nga situata në terren.
“Nëse BE-ja, konkretisht, thotë ‘mos e hapni urën (mbi Ibër) dhe nëse institucionet e Kosovës e hapin atë, por gjatë këtij procesi nuk ka ndonjë pasojë në terren – pra nuk do të ketë trazira – atëherë unë nuk shoh që BE-ja do të marrë masa”, thekson Shasha, duke shtuar se në të kundërtën, BE-ja do të reagojë në proporcion me situatën e krijuar.
Sidoqoftë, Shasha shpreh besimin se BE-ja nuk do të marrë masa serioze ndaj Kosovës.
Ai konsideron se edhe në të kaluarën, kur pati trazira serioze në veri të vendit, të cilat rezultuan me ushtarë të lënduar të KFOR-it, masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës ishin të buta.
Më 29 maj të vitit të kaluar, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
Me gjasa po. Keta më poshtë qenkan shqiptare na Kosova: Terrorizëm Islamisti pranon: Planifikoi masakër në koncertin e Taylor Swift 08 gusht 2024 · 15:28 Planet e të dyshuarit kryesor në Vjenë ishin shumë të avancuara. Ai donte të vriste sa më shumë njerëz para stadiumit me armë të mprehta dhe një bombë. Çfarë roli duhej të luante një dritë blu? Një islamist 19-vjeçar kishte planifikuar të kryente një masakër në një koncert të Taylor Swift në Austri, sipas fjalëve të tij. Ndjekësi i IS-it ka bërë një rrëfim të plotë, tha drejtori i përgjithshëm për sigurinë publike në Ministrinë e Brendshme, Franz Ruf. Gjithashtu, një 17-vjeçar u arrestua. Aktualisht, nuk po kërkohen të dyshuar të tjerë për terrorizëm, edhe pse hetimet për rrethin e tyre po vazhdojnë me intensitet të lartë, sipas Ruf. Sipas autoriteteve, plani i të dy të rinjve ishte që të enjten ose të premten të vrisnin veten dhe një numër të madh njerëzish me eksploziv dhe armë të mprehta, tha Omar Haijawi-Pirchner, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Shtetit dhe Shërbimin e Inteligjencës (DSN) në Ministrinë Federale të Brendshme. Të dyshuarit kryesor nuk kishte biletë për asnjë nga tre koncertet në stadiumin Ernst-Happel në Praterin e Vjenës. Pas arrestimit të dyshuarve, organizatori anulloi të gjitha tre koncertet e Swift në Vjenë për arsye sigurie. Fansat u zhgënjyen thellësisht Dhjetëra mijëra fansa të yllit 34-vjeçar të muzikës, disa prej të cilëve kishin udhëtuar nga SHBA dhe Kanada, reaguan fillimisht me zhgënjim të thellë. Shumë prej tyre qanë. Disa fansa kishin pritur me padurim për shfaqjen për muaj të tërë. Por, duke pasur parasysh rrezikun, ata shprehën mirëkuptim për vendimin e organizatorit. Vlerësimet prisnin rreth 170,000 fansa në turneun Eras në Austri. Ku ndodhej Taylor Swift fillimisht ishte e paqartë. Ajo kishte planifikuar koncerte të tjera në Londër. Një njoftim për planet erdhi nga një shërbim sekret i huaj. “Pikërisht në luftën kundër terrorizmit, ndarja e informacionit është thelbësore”, tha Haijawi-Pirchner. Fillimisht, njoftimi lidhej vetëm me një autor të mundshëm. Me informacione të tjera, policia u përqendrua në një rrjet islamist të njohur nga policia. 19-vjeçari kishte kërkuar në internet për ndërtimin e bombave. Planet u zbuluan në minutën e fundit Policia të mërkurën, pak para koncertit të parë live të këngëtares amerikane në Vjenë, zbuloi një komplot për një sulm në këtë ngjarje. Ata arrestuan përveç 19-vjeçarit edhe një 17-vjeçar dhe morën në pyetje edhe një 15-vjeçar. Të dy kishin kontakte me 19-vjeçarin. 19-vjeçari austriak me origjinë familjare nga Ballkani, më 25 korrik, kishte dhënë dorëheqjen nga puna dhe kishte thënë se kishte plane të mëdha. Ai më pas u përgatit intensivisht për një sulm të planifikuar. “Ai ndryshoi dukshëm pamjen e tij” dhe u përshtat me standardet e IS-it, tha Ruf. I dyshuari kohët e fundit kishte bërë një betim besnikërie ndaj udhëheqësit aktual të milicisë terroriste Shteti Islamik (IS). Sipas autoriteteve, 17-vjeçari, përgatitur për sulmin, ishte ndarë nga e dashura. Tek të dyshuarit ishin konstatuar ndryshime të qarta sociale. I dyshuari i dytë punonte në stadium 17-vjeçari ishte i punësuar në një kompani që siguron shërbime për shikuesit në stadiumin Happel. Arrestimi ndodhi të mërkurën, ndërsa i riu ishte duke shkuar drejt stadiumit. Ai u kap nga forcat speciale të policisë pak para stadiumit. Ai deri tani nuk ka folur për akuzat. Në paraburgim është edhe një 15-vjeçar me prejardhje turke, i cili po merret në pyetje intensivisht. Ai të paktën duhet të kishte dijeni për planet terroriste të 19-vjeçarit. Në çfarë mase ishte i përfshirë, mbetet pjesë e hetimeve në vazhdim. Eksplozivë dhe kimikate Gjatë një kontrolli të banesave të 19-vjeçarit në Ternitz, në jug të Vjenës, u sekuestruan substanca kimike dhe pajisje teknike që tregojnë përgatitje konkrete, tha Ruf. Gjithashtu u gjetën një dritë blu policie dhe një sirenë policie akustike. Ata mund të kishin ndihmuar të dyshuarit të arrinte në vendin e ngjarjes ose të largohej nga ai. Me arrestimet, kërcënimi konkret është minimizuar. Një kërcënim abstrakt me rrezik të shtuar për terrorizëm ende ekziston. Austria kishte ngritur nivelin e kërcënimit të terrorit pas sulmit të organizatës terroriste islamike Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 në nivelin e dytë më të lartë. Falë ndërhyrjes së hetuesve, sipas ministrit të Brendshëm të Austrisë, Gerhard Karner (ÖVP), është parandaluar një tragjedi. “Situata ishte serioze, situata është serioze”, tha ai në një konferencë për shtyp. “Koncertet e mëdha shpesh janë një objektiv i preferuar për atentatorët islamistë”, tha Karner. Debat politik për kërcënimin e brendshëm Pas sulmit të parandaluar, partitë në Austri po kërkojnë sqarime. Partia socialdemokrate SPÖ kërkoi thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Publiku mbetet i paqartë nëse një kërcënim i vërtetë ende ekziston. Ndërkohë, liberalët e Neos kërkuan një takim situate në zyrën e kancelarit. Kryetarja e Neos, Beate Meinl-Reisinger, gjithashtu shqetësohet për imazhin e Republikës së Alpeve. “Unë kam frikë se dëmi për imazhin e Austrisë dhe Vjenës është i madh. Në Paris, Berlin, Londër, Mynih,… kudo mund të zhvillohen koncerte nga organizatorët dhe autoritetet e sigurisë. Vetëm te ne jo? Jemi ne kaq shumë të degraduar?”, shkroi ajo në X.