BE dhe Gjermania: Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale

25 Korrik 2025, 13:01Rajoni TEMA
BE dhe Gjermania: Kosova ka nevojë urgjente për institucione

Dështimi i 52-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë në Prishtinë, të cilët e cilësuan këtë situatë si të papranueshme dhe zhgënjyese për qytetarët.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës të premten se “Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë” dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin.

“Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav pas seancës së mbajtur të premten.

Ngjashëm u shpreh edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha ai.

Rohde komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila një ditë më parë vendosi masë të përkohshme duke ndaluar çdo veprim të deputetëve për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht.

Sipas saj, nëse nuk do të vendosej kjo masë, çdo vendim i ndërmarrë pas 26 korrikut e deri në vendimmarrjen e Gjykatës, lidhur me kërkesat që i janë parashtruar, “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues”.

“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, tha Rohde, duke theksuar urgjencën për formimin e institucioneve.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca ishin të pranishëm në seancën e së premtes, e cila dështoi një ditë para përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit.

Megjithëse Lëvizjes Vetëvendosje i takon pozita e kryeparlamentarit, partitë tjera ose kundërshtojnë emrin e propozuar, atë të Albulena Haxhiut, ose ndryshimin e mënyrës së votimit për të – nga i hapur në të fshehtë.

Meqë kanë mbetur më pak se 48 orë para se të fuqizohet masa e përkohshme e Kushtetueses, kryesuesi i seancës Avni Dehari, e ka thirrur seancën e radhës, të 53-ën me radhë, për nesër, të shtunën, në orën 14:00.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./REL

1 Komente

  1. K
    Kosova jo stabile asht pa te ardhme

    BE te mbylle gojen se eshte legenosur me deklaratat e saj. BE te ulet me Shqiperine e Serbine dhe te dakordohen per njevreferendum ne Kosove. Kombi Kosovar duhet te shprehet me referendum nese do te bashkohet me Shqiperine apo Serbine. Shtet me vehte Kosovar eshte utopi. Votuesit pro serbe duhet te cvendosen ne Veri dhe te bashkohen nen shtetin Serb. Te tjeret, pra shqiptaret, me pjesen tjeter te tokes se Kosoves ti bashkohen Shqiperise. Ndarja e Kosoves eshte fakt, por kjo duhet te ligjerohet. E dhimbshme, por vetem keshtu mund te zgjidhet situata e paqendrueshme ne Ballkan. Ndryshe Serbia do ta pushtoje Kosoven sapo te largohet Kfor.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje