
Dy dokumente të ashtuquajtur non-paper po qarkullojnë ditëve të fundit në qarqet diplomatike të Bashkimit Evropian (BE): propozimi franko-gjerman, i cili u bë publik një ditë para samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, si dhe propozimi i pesë shteteve anëtare të BE-së (mes të cilave janë gjithashtu Gjermania dhe Franca) për të drejta të kufizuara të anëtarëve të ardhshëm të bllokut evropian.
Njëri prej tyre synon gjetjen e zgjidhjeve për dinamikën e re të shteteve kandidate për anëtarësim, të ngarkuara me mungesë të reformave të mjaftueshme institucionale, të cilat janë kusht i domosdoshëm i vendosur nga BE-ja.
Dokumenti tjetër është i përqendruar në mbrojtjen e funksionimit të vet institucioneve të BE-së dhe në parandalimin e prapakthimit të mundshëm të anëtareve të ardhshme sa i përket respektimit të vlerave themelore evropiane.
Njëkohësisht, pas këtyre propozimeve mund të vërehet edhe synimi për të zvogëluar mundësinë që një anëtar i ardhshëm, pasi të hyjë në BE, të shfrytëzojë të drejtën e vetos për të bllokuar anëtarësimin e vendeve tjera, që do ishin në pritje të bëhen pjesë e bllokut.
Dallimi ndërmjet dy dokumenteve lidhet me periudhën para dhe pas pranimit të anëtarëve të rinj.
Teksa propozimi franko-gjerman u ofron vendeve kandidate përfitime nga anëtarësimi edhe para pranimit formal në BE, non-paper-i më i fundit merret me kufizimet që anëtarët e rinj do të kishin edhe pasi të bëheshin pjesë e bllokut evropian.
Në mesin e kufizimeve kyç është propozimi që anëtarët e rinj të BE-së të kenë të drejtë të kufizuar vote. Anëtarët aktualë të BE-së e gëzojnë këtë të drejtë në vendimet që kërkojnë unanimitet, në mesin e tyre edhe për pranimin e anëtarëve të rinj, vendimet për politikën e jashtme, ndryshimet në traktatet themeluese të unionit dhe vendimet për pranimin e shteteve të reja në Zonën Shengen.
Megjithatë, sipas analistëve, iniciativa e fundit tregon para së gjithash se brenda BE-së ende nuk ekziston një pajtueshmëri e plotë për mënyrën se si duhet të organizohet vala e ardhshme e zgjerimit.
Romain Le Quiniou, drejtor i përgjithshëm i institutit francez Euro Creative, vlerëson se propozimi i Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut tregon edhe një herë se shtetet anëtare janë të ndara sa i përket menyrave si të ecet me zgjerimin, megjithëse ekziston pajtim për urgjencën gjeopolitike të këtij procesi.
“Disa vende të Evropës Perëndimore, përfshirë edhe shtetet themeluese, kanë frikë se zgjerimi i mëtejshëm mund të dobësojë funksionimin e BE-së dhe për këtë arsye duan ta lidhin atë me një debat më të gjerë për Evropën me disa shpejtësi, madje edhe me kufizime të mundshme të së drejtës së votës për anëtarët e rinj”, thotë Le Quiniou për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo do të përbënte një transformim të madh të projektit evropian dhe do të bartte një rrezik të qartë politik: që vendet kandidate të anëtarësohen në një BE që ndryshon dukshëm nga ai të cilit fillimisht synonin t’i bashkoheshin”, shton ai.
Sipas të gjitha gjasave, të dyja.
Në fund të samitit të mbajtur javën e kaluar në Tivat, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, la të kuptohet se propozimi franko-gjerman, nëse do të zbatohej, nuk do të përfshinte shtetin e tij, pasi rasti i Malit të Zi, sipas tij, është “deri diku unik”.
Këtë e sugjeroi edhe presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, duke deklaruar se propozimi franko-gjerman nuk është aq i rëndësishëm për Malin e Zi sa është për kandidatët e tjerë.
Mali i Zi aktualisht konsiderohet se është anëtari i ardhshëm më i mundshëm i Bashkimit Evropian. Anëtarësimi i Podgoricës deri në fund të kësaj dekade vlerësohet si një objektiv i arritshëm, ndërsa BE-ja tashmë ka vendosur të nisë hartimin e Traktatit të Anëtarësimit.
Malit të Zi i i është bërë e ditur edhe më herët se marrëveshja e tij me BE-në nuk do të jetë identike me marrëveshjet e mëparshme dhe se do të përmbajë klauzola mbrojtëse.
Hyrja e Malit të Zi në bllokun evropian do të shënonte fundin e një ngecjeje gati dydekadëshe në procesin e zgjerimit, që përbën periudhën më të gjatë në historinë e BE-së pa pranimin e një anëtari të ri. Kroacia tash e 13 vjet mban statusin e anëtares më të re të BE-së.
Sipas Berta Lopez Domenech, për vendet kryesuese në procesin e integrimit, si Mali i Zi dhe Shqipëria, diskutimi duhet të përqendrohet në përfundimin e reformave të nevojshme për mbylljen e negociatave dhe arritjen e anëtarësimit të plotë në vitet e ardhshme, para përfundimit të këtij mandati të institucioneve të BE-së.
Megjithatë, Mali i Zi, i cili i ka zhvilluar negociatat e anëtarësimit duke u nisur nga supozimi se pas hyrjes në BE do të ketë të njëjtat të drejta dhe detyrime si shtetet e tjera anëtare të BE-së, mund të jetë i pari shtet që do të përballet me kufizime në rast se jetësohet propozimi i fundit i pesë shteteve anëtare të bllokut evropian.
Propozimi franko-gjerman ende ka statusin e një non-paper-i, pra një dokument joformal që përdoret në qarqet diplomatike evropiane për paraqitjen e ideve të reja, testimin e qëndrimeve ose propozimin e zgjidhjeve pa marrë përsipër obligime formale.
Megjithatë, kjo iniciativë po fillon ngadalë të zërë vend edhe në narrativin politik evropian.
Në draft-konkluzionet e samitit që do të mbahet më 18 dhe 19 qershor në Bruksel, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se Këshilli Evropian mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të integrimit gradual midis Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë vetë procesit të zgjerimit, të bazuara në merita dhe të kthyeshme.
Theksi mbi “integrimin gradual”, siç thuhet në draft, i referohet – ndonëse jo në mënyrë eksplicite – propozimit të hartuar nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Nga Komisioni Evropian (KE) vlerësohet se idetë e paraqitura në këtë dokument përputhen me qëndrimet e kësaj institucioni. Zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier tha se mirëpret faktin që ky diskutim po zhvillohet mes shteteve anëtare.
“Kjo tregon se ekziston një angazhim i fortë edhe nga shtetet anëtare. Ne shohim shumë përputhshmëri me pikëpamjet tona mbi integrimin gradual të përfshira në këtë dokument joformal. Ne të gjithë ndajmë të njëjtin qëllim: duhet ta përfundojmë bllokun evropian me të gjithë partnerët e zgjerimit që kanë punuar drejt anëtarësimit për shumë vite”, thotë Mercier për Radion Evropa e Lirë.
Propozimet për thellimin e integrimit para anëtarësimit mund të ndihmojnë në sjelljen e dinamikës në proceset e pranimit të vendeve që janë më prapa, por jo për vendet që janë në krye të këtij procesi, vlerëson Berta Lopez Domenech.
Ajo kujton se Komisioni Evropian mbështet ambicien që Mali i Zi dhe Shqipëria të përfundojnë negociatat deri në fund të këtij viti, përkatësisht në fund të vitit të ardhshëm.
“Në këtë kontekst, diskutimi për statusin e vëzhguesit dhe qasjen në tregun e përbashkët nuk kontribuon në dhënien e stimujve për reforma, por rrit skepticizmin për angazhimin e vërtetë të shteteve anëtare ndaj zgjerimit“, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Autorët e dokumentit jozyrtar konsiderojnë se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik, se procesi është i ngadalshëm dhe se i nevojiten dinamikë e re dhe reduktimin e pengesave procedurale.
Megjithatë, më skeptik ndaj kësaj qasjeje është analisti francez Romain Le Quiniou.
“Rreziku qëndron në gatishmërinë e disa kryeqyteteve evropiane, atyre më pak të vullnetshme, që të fshihen pas këtij procesi të ri të përshpejtuar për ta vendosur zgjerimin e vërtetë në plan të dytë”, paralajmëron ai.
Sipas tij, shtysa për propozimin e ri vjen nga pajtueshmëria se zgjerimi është një proces urgjent gjeopolitik që e forcon Bashkimin Evropian dhe fqinjësinë e tij, por edhe nga vetëdija se anëtarësimi në BE është një proces kompleks dhe politikisht kërkues, si për vendet kandidate ashtu edhe për shtetet anëtare që në fund duhet të ratifikojnë pranimin e anëtarëve të rinj.
Romain Le Quiniou konsideron se ky propozim mund të interpretohet si një tregues i paaftësisë së BE-së për të siguruar zgjerimin në një moment kur Brukseli dhe shtetet anëtare nuk mund t’i lejojnë vetes dështime strategjike.
Mendim të ngjashëm ndan edhe Berta Lopez Domenech.
“Një nga pengesat e mëdha për zgjerimin mbetet ende hezitimi dhe instrumentalizimi i procesit të pranimit nga disa shtete anëtare. Prandaj, përpjekjet duhet të përqendrohen në bashkimin e vullnetit politik të 27 shteteve të BE-së për të përmbushur detyrimet e tyre”, thekson ajo.
“Në fund të fundit, nxitja e vërtetë për reforma për kandidatët që janë në fund të rrugës drejt BE-së do të jetë vetëdija se premtimi për anëtarësim është shndërruar në realitet”, porosit Berta Lepez Domenech.
me fjale te tjera ....te gjatin (madje me gunga) per bourdhelon e citjoneziut.... hahahaha!
Pra shtetet si Shqiperia , kur te vije radha , do te anetaresohen , me te drejta te kufizuara , dmth "Martese pa seks" !!!!!!