Një gjykatë turke ka hedhur poshtë një çështje që synonte të largonte nga detyra kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme në bursë. Financial Times shkruan se, indeksi kryesor i Bursës së Stambollit u rrit me më shumë se 4 për qind pasi një gjykatë në Ankara rrëzoi padinë kundër Partisë Popullore Republikane (CHP), çka u interpretua nga investitorët si një shenjë e uljes së tensioneve politike në vend.
Çështja, e ngritur në shkurt, kishte në qendër pretendimet për parregullsi në kongresin e CHP-së në vitin 2023, ku u zgjodh Özgür Özel si kryetar i ri. Nëse padia do të kishte pasur sukses, Özel do të ishte zëvendësuar dhe partia do të përballej me kaos të brendshëm.
Kritikët e qeverisë e panë këtë si pjesë të një fushate më të gjerë shtypjeje ndaj partisë së themeluar nga Mustafa Kemal Atatürk, udhëheqësi themelues i Turqisë. CHP-ja është përballur me presion të madh që nga arrestimi në mars i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, kandidatit të saj presidencial, me akuza për korrupsion.
Arrestimi shkaktoi protestat më të mëdha në rrugë në një dekadë, pasi mbështetësit e CHP-së e panë si një tjetër dëshmi se Presidenti Recep Tayyip Erdoğan po e shtyn Turqinë drejt një rruge gjithnjë e më autokratike.
Në një intervistë për Financial Times muajin e kaluar, Özel akuzoi qeverinë për një “grusht shteti ligjor” ndaj partisë së tij, e cila vitin e kaluar i dha një goditje të rëndë Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit në zgjedhjet lokale, duke fituar 38 për qind të votave.
Kritikët e akuzojnë Erdoganin, i cili ka dominuar skenën politike të vendit anëtar të NATO-s për më shumë se dy dekada, se po bëhet gjithnjë e më autokrat. Shumë turq dyshojnë se ai synon të zgjasë sundimin e tij presidencial përtej dy mandateve që lejon aktualisht kushtetuta. Zgjedhjet e ardhshme janë planifikuar për vitin 2028.
İmamoğlu, i cili i ka mohuar akuzat ndaj tij, konsiderohet gjerësisht si sfiduesi më serioz politik ndaj Erdoganit. Qeveria këmbëngul se gjykatat e vendit janë të pavarura dhe se çështjet nuk janë të motivuara politikisht.
Lini një Përgjigje