Historiani serb: Ajo që ndodhi në Banjskë, kopje e pushtimit rus në Ukrainë

6 Tetor 2023, 11:13Rajoni TEMA
Historiani serb: Ajo që ndodhi në Banjskë, kopje e pushtimit rus

Historiani serb Nikolla Samarxhiç, profesor në Fakultetin Filozofik në Beograd, ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç qëndron prapa sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zçveçanit, që ndodhi më 24 shtator dhe ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në Banjskë është kopje e pushtimit që Rusia ka bërë në Ukrainë.

Samarxhiç tha në një intervistë për “Pobjeda” se përsëritja e përditshme dhe të vazhdueshme e sloganit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, tregon se Vuçiçi i ka parashikuar veprimet që do të ndodhnin në veri.

Ai tha se kjo u ngjan veprimeve të bëra nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në Ukrainë, në vitin 2014, kur ai pushtoi Donbasin dhe Krimenë.

Megjithatë, sipas tij, aksioni në veri të Kosovës ishte i ngathët dhe amator. Sipas tij, këtë e konfirmon pjesëmarrja në sulm e truprojës së kreut të BIA-s, Aleksandar Vulin.

“Ky është konfirmim i amatorizmit të gjithë aksionit. Truprojat janë banditë pasivë, të paaftë për të marrë pjesë në aksione guerile”, tha Samarxhiç.

Ai ka thënë se tezat për praninë ruse në këtë aksion kishin rolin e shfuqizimit të përgjegjësisë së Vuçiçit.

“Sot, gjëja më pak e rëndësishme është nëse Vuçiçi ka qenë i informuar apo jo, ai mban përgjegjësi politike dhe komanduese për të gjitha jetët e humbura. Çdo perspektivë evropiane dhe jetike e Serbisë dhe territoreve të saj u rrezikua nga Vuçiçi”, tha Samarxhiç.

Sipas tij, sot Vuçiçi po mundohet të relativizojë përgjegjësinë e tij me ndihmën e “zëdhënësve të tij liberalë”, të cilët sipas Samarxhiçit, në media “sqarojnë se Vuçiçi nuk ka qenë i informuar, nuk ka ditur për veprimin e ka qenë i befasuar”.

Lini një Përgjigje