Jemi të prekur nga mbështetja dhe nderimi/ Familja e Bujar Bukoshit: Ngushëllim që trashëgimia e tij politike vijon të frymëzojë

18 Qershor 2025, 20:36Rajoni TEMA
Jemi të prekur nga mbështetja dhe nderimi/ Familja e Bujar Bukoshit:

Nita Bukoshi, vajza e ish-kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi, ka reaguar në emër të familjes, duke shprehur respektin dhe konsideratën për të gjitha institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilat i bënë të gjitha nderimet dhe respektet babait dhe familjarit të tyre.

Në postimin e saj prekës, ajo shkruan:

“Me ndjenja të thella mirënjohjeje dhe respekti, në emër të familjes sonë, dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ju që na u gjendët pranë në këto ditë të vështira, pas ndarjes nga jeta të babait, bashkëshortit dhe gjyshit tonë të dashur, Dr. Bujar Bukoshi, më 10 qershor 2025, në Prishtinë. Vdiq i rrethuar nga familja, në qetësi dhe me dinjitetin që e ka shoqëruar gjithmonë.”

Në mënyrë të veçantë, familja Bukoshi ka falënderuar institucionet kryesore të dy shteteve shqiptare, për nderimet dhe respektin që i bënë figurës së Dr. Bukoshit:

"Qeverinë e Republikës së Kosovës, për organizimin e ceremonisë së varrimit me nderime të larta shtetërore, homazhet dhe mbledhjen komemorative, dhe veçanërisht Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për fjalët e respektit dhe mirënjohjes që i shprehu në këto momente të dhimbshme.

Presidencën e Kosovës, për vlerësimin dhe përfshirjen institucionale në nderimet ndaj jetës dhe veprës së Dr. Bukoshit.

Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj, për ngushëllimin dhe nderimin e dhënë.

Kryeministrin Edi Rama, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë viteve të vështira që ka kaluar familja Bukoshi.

Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për përkushtimin personal dhe respektin e treguar në nder të figurës së Dr. Bukoshit.

Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin Lumir Abdixhiku, për mbajtjen e mbledhjes komemorative dhe përkujtimin e veprës politike e kombëtare të Dr. Bukoshit, si një ndër figurat themeluese të lëvizjes së parë demokratike në Kosovë.

Të gjithë mjekët dhe stafin shëndetësor, për përkushtimin gjatë viteve të fundit të jetës së tij.

 “Jemi thellësisht të prekur nga mbështetja dhe nderimi që kemi marrë nga institucionet, shoqëria, përfaqësuesit ndërkombëtarë, qytetarët, kolegët dhe miqtë,” – thuhet më tej në reagimin e familjes.

Familja Bukoshi e sheh këtë përkrahje dhe respekt të gjerë si një ngushëllim të madh dhe një dëshmi se trashëgimia bashkuese dhe vizionare e Dr. Bujar Bukoshit vazhdon të frymëzojë brezat e rinj, përmes veprës së tij politike, mjekësore dhe atdhetare.

“Kujtimet dhe vlerat që ai la pas qofshin gjithmonë urë lidhëse mes atyre që shkojnë dhe atyre që mbesin,” – përfundon mesazhi i nënshkruar nga Zana, Ora, Shota dhe Nita Bukoshi.

Dr. Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në kohët më të vështira për Kosovën, u nda nga jeta më 10 qershor 2025, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të vlerësohet gjerësisht në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.