Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon mbështetje të vendosur nga SHBA për Kosovën

11 Qershor 2023, 22:20Rajoni TEMA

Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon mbështetje të vendosur nga

Nga Keida Kostreci VOA

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Uashingtonit që të mbështesë pa rezerva Kosovën, duke thënë se ajo po zbaton rregullat e shtetit ligjor kundër ndërhyrjes së Serbisë në çështjet e brendshme të saj. Letra dërguar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, vjen në një kohë kur qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës kanë shprehur publikisht mosmarrëveshjet mes tyre lidhur me tensionet e fundit në veri, diçka e pazakontë gjatë marrëdhënieve mes dy vendeve.

Njëri nga hartuesit e letrës, veprimtari Drilon Gashi i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se shtysa për letrën ishte shqetësimi se së fundmi trysnia amerikane ka qenë e njëanshme kundër Kosovës.

“Letra bën thirrje që të ketë një ndryshim në qasjen aktuale të politikës së Shteteve të Bashkuara për Ballkanin dhe të ketë më shumë mbështetje për shtete si Kosova dhe shtete të tjera që janë më demokratike, më përkrahëse të politikave të jashtme dhe të mos bëhet që tentimi për ta përafruar Serbinë të ketë pasoja për miqtë e tjerë të SHBA-së në rajon e në veçanti për Kosovën”, thotë zoti Gashi.

Zoti Gashi thotë se në letrën e hartuar prej tij dhe Besnik Pulës dhe nënshkruar nga 70 persona kërkohet “një mbështetje më të madhe për Kosovën në shtrirjen e sovranitetit dhe në jetësimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale atje, pavarësisht personave të zgjedhur, pavarësisht legjitimitetit të cunguar.”

“Ne kemi parë që më herët kishte mbështetje për rezultatin e zgjedhjeve por pastaj nuk kishte mbështetje për këtë zbatim”, tha ai.

SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja në komunat e veriut dhe i kishin kërkuar qeverisë së Kosovës që të mos dërgonte kryetarët e zgjedhur me një numër të ulët votash pas bojkotimit nga partitë serbe, në godinat e komunave.

Zyrtarët e lartë amerikanë, përfshirë të dërguarin e posaçëm Gabriel Escobar kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë fleksibiliteti dhe bashkëpunimi.

Zoti Gashi e pranon se qeveria e Kosovës duhet të ishte bashkërenduar më mirë me SHBA-në dhe se “insistimi në të drejtën është me rëndësi por jetësimi bëhet me atë lloj bashkërendimi”.

“Nëse ndjekim hap pas hapi zhvillimet ishin grupet që kanë lidhje me Presidentin Vuçiç, me regjimin e tij që bënë hapin e dhunës. Po qe se kalojnë këto raste pa u kritikuar me tonin që duhen kritikuar, Serbia vetëm se do të trimërohet kundrejt Kosovës, kundrejt vendeve të tjera (në rajon)”, thotë ai/

Zoti Gashi shton se letra kishte në qendër reagimin amerikan dhe perceptimin e njëanshmërisë prej saj dhe është një përpjekje e shqiptaro-amerikanëve për të ndikuar tek ekzekutivi dhe Kongresi në SHBA.“Pas Marrëveshjes së Ohrit dhe planit të zbatimit, një marrëveshje që për mendimin tim ishte pozitive, çonte më tutje marrëdhëniet e dy vendeve, lejonte që Kosova me të vërtetë të gëzojë një njohje de facto nga Serbia, pra prejmarrëveshjes e këtej shohim që ka shumë kundërshtime që bën Serbia ndaj asaj marrëveshjeje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në pika të tjera”, thotë zoti Gashi.

Ai shton se këmbëngulja e SHBA-së dhe BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është e drejtë.“Mirëpo ne duam të ketë insistim si tek Kosova, si tek Serbia për zbatimin e asaj marrëveshjeje dhe në rastin e fundit, si tek Kosova dhe tek Serbia për gjendjen e sigurisë”.

Zoti Gashi thotë se Serbia ka një krizë të demokracisë “dhe nga SHBA presim që të flasin për demokracinë dhe ajo besoj do ta ribalanconte qasjen edhe kundrejt Kosovës dhe Serbisë”. Zoti Escobar tha gjatë një interviste për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore në Beograd se kryeministri i Kosovës Albin Kurti në disa raste është një partner i vështirë, por gjithsesi është partner i Shteteve të Bashkuara.

Në intervistën e bërë publike të dielën, zoti Escobar tha se tani duhet të gjendet një mënyrë për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe palët menjëherë të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Diplomatët kanë paralajmëruar pasoja për Prishtinën dhe Beogradin në qoftë se nuk ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës, hapjen e mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.

 

5 Komente

  1. D
    Drinibardhezi.

    Letra që këta të ashtuquajturit “Përfaqsues të Komunitetit Shqiptar në Amerikë”- që askush nuk u ka dhënë mandat përfaqsimi- është vazhdimi i Letrës që këta tipa i bënë Departamentit të Shtetit të USAs kundër shpalljes “non grata” të Sali Berishës. Është për të ardhur keq që këta të ashtuquajturit “ proamerikanë”, “demokratë”, “antiashtu e antikështu” kanë përfunduar në llogoret antiamerikane të saliserbit e al bin-it dhe mundohen t’i mbrojnë këto dy figura të errëta të politikës shqiptare.

    Përgjigjjuni
    1. k
      koli

      heu bre, doli daku me dhon qarkore shba.,,,, po ca ti boj shba ko.evareve qe zgjedhin albinin per kryetar, kupton or taj apo skupton.

      Përgjigjjuni
      1. k
        koli

        or gash drurvari (na falini druvaret se skam gje me ta), mos thuj shqiptaro amerikon, thuj malok amerikon, mos na fut dhe ne ne te njejtin thes, or taj.

        Përgjigjjuni
        1. M
          Martin

          Drilon Gashi mund te perfaqesoje veten ne mbeshtetjen qe i ben nje aventurieri si Albin Kurti, jo komunitetin shqiptar ne SHBA.

          Përgjigjjuni
          1. S
            Shqiptari qe banon ne Amerike.

            I dashur Martin. Gjithe ky shkrim eshte nje konfjuzitet mendor. Titulli sidomos nuk i pershtatet realitetit. Nuk kuptohet se cmendon ky Gashi dhe cmendon Keida. Me e keqja eshte se keto mendime "minore" te ketij artilulli jepen me pompozitetin e "Komunitetit shqiptaro-amerikan". Kush ua jep ketyre te drejten qe te flasin me emra te tille, kur ne te vertet me e shumta mund te ishte qe te fltej ne emer te ndonje "shoqate" apo "grumbullimi pijanecesh" ne Amerike, qe hiqen si Komunitet. Keta 'shqiptere' te falimentuar ne Amerike, qe nuk dine te bejne asnje pune, po merren me politike te "seleksionuar" qe ne asnje menyre nuk eshte mendimi im si shqiptar i Amerikes. Amerika nuk ka pse te beje "ribalancim" te politikes se saj, sepse ajo eshte vend i demokracise dhe e ka treguar dhe po e tregon se kur te drejtat e "pakicave" demtohen, ajo nderyn. Ishte ajo qe ne emer te demokracise i leshoi bombat Serbise, por sot nuk ka llogjike te leshoje bombat sepse behet fjale per te drejtat e pakicave serbe ne Kosove....Pikerisht eshte Albini dhe keta perfaqesues te "kombit" shqiptar te Amerikes te kuptojne se Amerika nuk bejn pazare me demokracine. Eshte Albini dhe keta "pijanece" qe duhet te degjojne Eskobarin dhe jo te shajne ate sikur dine me mire...ETJ....

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje