Në një kohë kur siguria globale po kalon nga garanci të dhëna një herë e përgjithmonë drejt një procesi të vazhdueshëm ndërtimi, rajoni i Ballkanit Perëndimor po rikoncepton rolin e aleancave rajonale.
Një nga format më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi është aleanca Shqipëri–Kosovë–Kroaci, e cila sipas profesor Kristaq Xharos, ekspert i sigurisë dhe ish-zëvendës përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në NATO, ka një karakter qartësisht mbrojtës.
“Jo të gjitha aleancat rajonale lindin nga e njëjta logjikë strategjike. Dallimi mes tyre nuk qëndron vetëm te përbërja, por te qëllimi, doktrina dhe sjellja historike e aktorëve që i formojnë,” thekson Xharo për Albanian Post.
Sipas tij, aleanca mes këtyre tre vendeve është ndërtuar mbi logjikën e Smart Defence, një qasje që fokusohet te ndarja e kapaciteteve, koordinimi operacional dhe ndërveprueshmëria reale.
“Kjo aleancë nuk synon krijimin e një blloku fuqie kundër të tjerëve, por forcimin e sigurisë kolektive në një hapësirë të ndjeshme, në përputhje të plotë me arkitekturën euroatlantike,” shton Xharo.
Ai ravijëzon se historikisht këto vende nuk kanë ndërmarrë agresion ndaj fqinjëve të tyre, por shpesh kanë qenë objekt i pasigurive.
“Nuk është rastësi që nuk ekziston asnjë precedent historik ku këto shtete të kenë ndërmarrë agresion ndaj vendeve të tjera; përkundrazi, historikisht ato kanë qenë objekt pasigurie, jo prodhues të saj. Kjo e bën këtë format më shumë një mekanizëm stabilizues sesa polarizues.”
Dallimi mes aleancës mbrojtëse dhe atyre që krijohen për peshë politike është thelbësor për të kuptuar ndikimin e tyre në stabilitetin rajonal.
Ndryshe nga disa formate të tjera rajonale, që shpesh lexohen si instrument për balancimin politik ose për të shfaqur ambicie gjeopolitike, aleanca Shqipëri–Kosovë–Kroaci bazohet te transparenca, mbrojtja territoriale dhe parandalimi.
“Kjo është pikërisht arsyeja pse këto shtete bashkëpunojnë për të forcuar sigurinë kolektive, jo për të krijuar tensione të reja. Bashkëpunimi rajonal mund të jetë një mburojë stabiliteti ose një burim polarizimi – gjithçka varet nga qëllimi dhe doktrina e aktorëve,” dallon Xharo.
Në kontekstin e pasigurisë së re globale, ku kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe krimi i organizuar rrisin rrezikun për shtetet e vogla, ky lloj bashkëpunimi merr një rëndësi të veçantë.
Ai demonstron se aleancat rajonale nuk janë thjesht marrëveshje formale, por instrumente strategjike që duhet të lidhen ngushtë me kapacitetet reale dhe aftësinë për të parandaluar rreziqet.
Profesor Xharo e sheh këtë bashkëpunim si një shembull të qartë të një aleance mbrojtëse dhe stabilizuese, që tregon se siguria rajonale mund të ndërtohet jo me fuqinë e imponuar, por me besueshmërinë, koordinimin dhe transparencën.
‘Koha për rikonceptim’
Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballen me nevojën për të rikonceptuar mënyrën se si ndërtohet mbrojtja. Profesor Xharo e sheh këtë ndryshim si të domosdoshëm për vendet e vogla që duan të ruajnë peshën e tyre strategjike.
“Pas vitit 2025, siguria nuk konceptohet më vetëm në nivel shtetëror të izoluar, por gjithnjë e më shumë si arkitekturë e ndarë kapacitete. Vendet e vogla rrisin peshën e tyre përmes bashkëpunimit, specializimit dhe ndërveprueshmërisë”.
Ai nënvizon se në këtë kuadër, logjika e Smart Defence e promovuar nga NATO nuk është më opsion, por një domosdoshmëri për vendet me burime të kufizuara.
Kur pyetet nëse ka ardhur momenti për një strategji të re sigurie kombëtare, Xharo është i qartë: “Po, ka ardhur momenti për një strategji të re sigurie kombëtare, jo vetëm për Shqipërinë, por në mënyrë të koordinuar edhe me Kosovën, duke e trajtuar hapësirën shqiptare të sigurisë si pjesë funksionale të arkitekturës euroatlantike.”
Sipas tij, një strategji moderne duhet të shkojë përtej mbrojtjes klasike ushtarake dhe të integrojë komponentë të tjerë, po aq jetësorë për sigurinë e vendit: “Siguria kibernetike, lufta kundër krimit të organizuar, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe rezilienca shoqërore duhet të jenë pjesë integrale e saj, sepse mbi 80% e krizave të sigurisë sot kanë komponent jo-ushtarak.”
Një pjesë kyçe e kësaj strategjie, sipas Xharos, është përfshirja e Kosovës në një model Smart Defence: “Përmes ndarjes së roleve, trajnimeve të përbashkëta, mbrojtjes civile, emergjencave dhe sigurisë hibride, kjo bashkëpunim nuk është militarizim apo bashkim forcash jashtë kornizave ekzistuese, por koordinim strategjik dhe funksional që rrit parandalimin dhe ul kostot.”
Ai shton se për qytetarin, thelbi mbetet i thjeshtë dhe konkret: “A po ndërtohet një siguri që parandalon krizat e nesërme, apo shteti vazhdon të reagojë vetëm pasi ato ndodhin?”
Xharos sqaron gjithashtu se përgatitja e një strategjie të tillë nuk është një proces i izoluar.
“Në praktikat e vendeve të zhvilluara dhe të vogla, Strategjia e Sigurisë Kombëtare përgatitet nën udhëheqje politike, përmes një procesi ndërinstitucional që përfshin mbrojtjen, sigurinë e brendshme, diplomacinë, inteligjencën dhe financat, me kontribut nga ekspertiza e pavarur. Miratimi ose debati parlamentar i jep legjitimitet demokratik, duke e kthyer strategjinë në një kornizë të zbatueshme dhe jo thjesht deklarative.”
Ai thekson se procesi nuk është asnjëherë i mbyllur, duke e krahasuar strategjinë me një dokument fleksibël dhe adaptues ndaj sfidave të kohës.
Një tjetër reflektim i rëndësishëm nga Xharo lidhet me kufijtë mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes kombëtare, të cilët janë bërë gjithnjë e më të paqartë.
“Ajo që dikur shihej si infrastrukturë civile, sot trajtohet si kapacitet strategjik. Nga funksionimi i saj varet jo vetëm ekonomia, por edhe parandalimi, reagimi në krizë dhe besueshmëria aleate,” shpjegon ai.
Kjo perspektivë nënvizon rëndësinë e investimeve në portet, bazat ajrore, korridoret e transportit, energjinë dhe komunikimin, të cilat nuk janë vetëm objekte infrastrukturore, por “arterie” të sigurisë moderne.
Në këtë kuadër, Xharo sugjeron se Shqipëria dhe rajoni nuk mund të vazhdojnë të mbështeten vetëm tek garancitë automatike të aleancave ndërkombëtare. Strategjia e re duhet të integrojë kapacitetet reale të vendit dhe bashkëpunimin rajonal, duke përdorur Smart Defence si një mjet për rritjen e parandalimit dhe për të ulur rreziqet hibride.
Ai thekson se siguria e së ardhmes kërkon më shumë se aleanca dhe armë: kërkon institucione funksionale, qytetarë të angazhuar dhe një strategji kombëtare që përballon sfidat e një mjedisi gjithnjë e më kompleks.
“Koordinimi, ndërveprueshmëria dhe besueshmëria janë sot më të rëndësishme se kurrë,” dallon ai.
Në një rajon historikisht i ekspozuar ndaj pasigurive, ky model mund të shërbejë si udhërrëfyes për formate të tjera të bashkëpunimit strategjik.
Lini një Përgjigje