Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës

8 Tetor 2025, 16:06Rajoni TEMA
Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar të mërkurën aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.

Aktgjykimi i plotë është publikuar më 8 tetor.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktgjykimi i obligon palët që brenda 48 orësh të caktojnë mbajtjen e seancës.

"Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve", është thënë në vendimin e plotë.

Gjykata ka thënë mes tjerash se "bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit".

Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.

Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.

Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese pati vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.

Ajo e ka bërë të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.

Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka thënë se bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, respektivisht 61 vota për, dhe propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.

"Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb".

Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe i ka nëntë ulëse që janë të rezervuara për komunitetin serb dhe një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.

"Përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në strukturën e Kryesisë së Kuvendit, është garanci kushtetuese, në mënyrë që edhe komunitetet që nuk janë shumicë, respektivisht, komuniteti serb dhe komunitetet tjera që nuk janë shumicë, të përfshihen në funksionimin e plotë të Kryesisë së Kuvendit duke iu mundësuar atyre që të marrin pjesë në vendimmarrjen e Kryesisë së Kuvendit, në mënyrën e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit", ka thënë mes tjerash Gjykata në arsyetimin e vendimit të marrë. (REL)

Lini një Përgjigje