
Kosova është duke u përballur me Izraelin këtë mbërmje në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024 nën masa të rrepta sigurie në Prishtinë, e cila është e para për kombëtare izaelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas, më 7 tetor.
Autoritetet kosovare i rritën masat e sigurisë prej kur futbollistët izraelitë mbërriën në Kosovë të premten dhe i shtoi ato në ditën e ndeshjes të dielën, duke bllokuar rrugët përreth stadiumit Fadil Vokrri dhe duke kryer kontrolle të rrepta për tifozët me bileta. Ajo njoftoi se do të ndalohet “çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.”
Ndeshja ishte paparë të luhej më 15 tetor, por u shty për 12 nëntor pasi militantët e grupit radikal i sulmuan qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë. Ky sulm nxiti luftë dhe bombardime të pareshtura hakmarrëse të Izraelit në Rripin e Gazës.
Një numër shumë i vogël i tifozëve shkuan në Stadiumin Fadil Vokrri, i cili zë 14 mijë tifozë, për ta parë këtë ndeshje, që është e pazakontë duke e ditur përkrahjen që ekipi kombëtar dardan gëzon kur luan në shtëpi.
Por, forma e dobët e kombëtares dhe moti i keq, si dhe rrethanat në të cilat u zhvillua ajo mund të kenë ndikuar.
Disa orë para ndeshjes, një slogan i madh me mbishkrimin “Free Palestine”, apo në shqip “Liri për Palestinën”, u vendos në ndërtesën e Hotelit Grand në qendër të qytetit pranë një flamuri ukrainas nga grupi aktivist Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist - por u hoq shpejt.
Disa ditë para kësaj ndeshjeje, një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, por Policia e hodhi poshtë kërkesën e tyre për shkaqe sigurie.
Të shtunën, Policia e Kosovës njoftoi se i ka shtuar masat e sigurisë dhe se i ka ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.
Trajneri dhe kapiteni i Izraelit thanë të shtunën se ekipi kombëtar i Izraelit ndihet i "sigurt dhe i rehatshëm" në Kosovë.
Lini një Përgjigje