Ngërçi politik në Kosovë! Kushtetuesja vendos masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për formimin e Qeverisë

5 Shtator 2025, 14:25Rajoni TEMA
Ngërçi politik në Kosovë! Kushtetuesja vendos masë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.

Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se - pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese gjatë seancës së 30 gushtit, kur kryetari i ri Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit pa u zgjedhur nënkryetari serb - "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".

Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.

Ankesa e Listës Serbe - që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - erdhi pasi Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti joserb dhe serb.

Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiqin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.

Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar. (REL)

3 Komente

  1. x
    xheJ.eN.Bi

    Më duken pak si kuqe këta kosovarët.Akoma nuk e kanë kuptuar se minoritetet kanë të drejtat e tyre dhe ja garanton kushtetuta.Po ky Bardha sikur ka studiuar dhe punuar në Amerikë ,nuk mësoj asgjë .Nacionalizmi bën dëm të madh në qeverisjen dhe shtetin ligjor.Sa ta kuptojnë këtë kosovarët me në krye kurtët dhe bashajt do hanë bllokada nga Europës.

    Përgjigjjuni
    1. R
      Realisti

      Nuk kuptojne Kosovaret vella, kane mungese te theksuar logjike. Problemi eshte qe rendi global po ndryshon me shpejtesine e drites dhe ata jane duke kryer vetvrasje. Madje dhe ne Shqiptaret kane vite qe na shajne dhe nuk e di nga do ja mbajne ne te ardhmen

      Përgjigjjuni
    2. Z
      Zgjohi o dardan fals

      Sekti derdimen i VV e ka hudh kombin kosovar ne greminen e historise moderne.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje