
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodhin trazira në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien.
Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.
Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.
Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi nga ana tjetër ka mohuar akuzat. Komentet e O’Brien vijnë në një kohë kur NATO-ja po mendon të shtojë praninë e përhershme në Kosovë përmes misionit të vet paqeruajtës, KFOR.
Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s, gjatë kësaj jave në Bruksel.
Lini një Përgjigje