
Kroacia po rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak pas 17 vitesh, në një kohë kur tensionet e sigurisë në Evropë janë shtuar për shkak të luftërave në rajone të ndryshme.
Në mesin e të rinjve që do të thirren për shërbim është edhe 18-vjeçari Leon Dejanovic, një influencer i njohur në rrjetet sociale nga qyteti Karlovac. Ndërsa stërvitet fizikisht në qytetin e tij, ai thotë se shërbimin ushtarak e sheh edhe si një mundësi për t’u shkëputur për një kohë nga jeta e tij dixhitale.
Dejanovic mori njoftimin për shërbim në fillim të këtij viti.
Megjithatë, edhe pse është gati për trajnimin, ai shprehet kundër luftës dhe uron që aftësitë që do të mësojë të mos përdoren kurrë në një konflikt real.
Ndryshe nga ai, shoku i tij Josip Franjo Cvitesic nuk e sheh me të njëjtin entuziazëm shërbimin ushtarak. 19-vjeçari punon në një fabrikë armësh dhe thotë se një thirrje për ushtri mund të ndikojë në punën dhe të ardhurat e tij.
Ai shton se nëse do të detyrohej të shërbente, do të preferonte variantin më të shkurtër të mundshëm.
Sipas autoriteteve kroate, rreth 800 rekrutë do të nisin trajnimet e para këtë javë, ndërsa çdo vit planifikohen të thirren rreth 4 mijë të rinj. Programi përfshin trajnime në aftësi bazë mbijetese, vetëmbrojtje, ndihmë të parë dhe përdorimin e dronëve.
“Sot ndodhemi në një situatë shumë sfiduese sigurie. Nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kroacisë, por nuk e dimë si do të zhvillohen luftërat në botë. Prandaj ka kuptim që të rinjtë të kalojnë një trajnim bazë ushtarak, të mësojnë aftësi të tilla dhe përdorimin e teknologjive si dronët, të cilat janë shumë të rëndësishme në luftën moderne,” deklaroi Andriana Bencic Kuznar, pedagoge e sociologjisë në Universitetin e Zagrebit.
Lini një Përgjigje