Tensionet në veri, kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme

30 Qershor 2023, 11:27Rajoni TEMA

Tensionet në veri, kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut do

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, i shoqëruar me kolegun e tij nga Luksemburgu, Xavier Bettel do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë më 3 dhe 4 korrik të këtij viti.

“Kryeministri Rutte do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën të hënën më 3 korrik dhe të martën më 4 korrik së bashku me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel”.

Vizita e dy kryeministrave do të fokusohet në çështjen e situatës së krijuar në Veri të Kosovës dhe rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe përkushtimit të Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas agjendës, Rutte dhe Bettel më 4 korrik do të qëndrojnë në Kosovë, ku do të takojnë presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti nga krerët e shtetit, me të cilët do të diskutojnë, “mes tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”.

“Vizita do të përfundojë me një bisedë me përfaqësues të OJQ-ve në Kosovë në fushën e lirisë të mediave dhe LGBTIQ+”, thuhet në njoftim.

Që nga dita e hënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua e bisedoi me figura të larta të politikës perëndimore si Sekretari britanik i Shtetit, Sekretari amerikan i Shtetit e Presidentja e Komisionit Evropian.

Serbët që nga 26 maji po kundërshtojnë kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën.

 

Lini një Përgjigje