Vrasja e Faton Hajrizit/ Ministrja e Drejtësisë së Kosovës kërkon hetim të thelluar: E papranueshme nga Serbia…

20 Korrik 2024, 13:10Rajoni TEMA
Vrasja e Faton Hajrizit/ Ministrja e Drejtësisë së Kosovës

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka kërkuar hetim më të detajuar sa i përket vrasjes së Faton Hajrizit, të dyshuarit për vrasjen e një polici serb në kufirin mes Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas saj “përdorimi etno-politik i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur”.

“Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë.

Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka shkruar Haxhiu.

Madje ajo thotë se arratisjet e fundit nga burgjet nuk duhet të kualifikohen si koincidencë, pasi sipas saj të gjitha ikjet po bëhen në drejtim të Serbisë, për shkak të garancive për mbrojtje nga ligji.

“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, tha Haxhiu.
Sipas saj mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por edhe nga çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, shkroi Ministrja Haxhiu.
Ndërkohë që ka shtuar se ka rrezik për tensione e sulme në Kosovë, të nxitura nga Beogradi që po e shfrytëzon këtë situatë.

“Në anën tjetër, përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm”, tha Haxhiu.


Duke e dënuar aktin e vrasjes së policit në detyrë, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë tha se hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës.

3 Komente

  1. P
    Peja

    Budallicë!..... Si mundet në të fajesosh dikë tjetër se ty po të arratisen të burgosurit?....... . Forco regjimin e ruajtjes.... . Le të bërtasë kush të dojë, arratisuni, arratisuni!

    Përgjigjjuni
    1. Z
      Zdravo VV

      Albulenë ti Albini Mimoza Donika Xhelali Glauku Vjosa Qeveria dhe Presidenca jeni të gjithë kriminela Fatonin nese është kriminel ju e keni bërë Besnik Bislimi është super kriminel

      Përgjigjjuni
      1. F
        Flamur Struga

        Ministre e "drejtesise" te doli gjumi me shume vonese.Turp.Tani qe Fatoni nuk eshte i gjalle ju e ngrini zerin qesharak,ju dhe te gjitha institucionet rehabilituese,duhet te largoheni nga pozitat e grabitura,sepse jeni te pa afte per te drejtuar digastere te ketilla.Familja e humbi djalin,por edhe vet Kosova e humbi nje individ i cili po te ishte afruar ,do te sherbente nje kuader ne polici,ne zbulim,nje oficer ushtarak....por ju e ndihmuat ta vrasi dora e armikut dhe ju tani,beni gjeste femish.Turp.Turpi nuk ka fund kur ne institucionet e Republikes se Kosoves,ka njerez qe duhet vet te edukohen te rehabilitohen...TURP ky turp do tu ndjeki ju karieristet e cmendur qe nuk jeni te afte te denje per tu sherbyer dhe pervetesuar njerez qe permiresohen,ju nuk u ndihmoni..TURP. Ngushellime prinderve familjes,dheu i Republikes se Kosoves te qofte i lehte o trim.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje