
Nga Xhezair Dashi
Mu në mes të tensioneve që qenë krijuar në hyrje të gushtit rreth vendimit për ndalimim e targave ilegale serbe dhe reciprocitetit për dokumentetet hyrëse/dalëse, një zyrtar kyç i Partisë Përparimtare Serbe shpalosi fjalorin eksplicit të Kremlinit.
“Serbia do të detyrohet të denazifikojë Ballkanin”, u shpreh bashkëpartiaku dhe deputeti i shumicës parlamentare të partisë së Alesksandër Vuçiç – Vladimir Gjukanoviç.
Kësaj do t’i jehonte edhe fjalimi ndezës i Aleksandër Vuçiç se “po provohet një operacionin i ri ‘Stuhia’ kundër serbëve” në televizionin publik serb. Aty, presidenti serb, tha se “Serbia do të kundërpërgjigjet brutalisht”.
Publicisti serb, Teofil Pançiç, botoi një kolumne në Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, ku fjalimin e Vuçiç e njëjtësoi me atë të Slobodan Millosheviçit në Gazimestan në vitin 1989.
Analogjia, tha ai, është krejtësisht e njëjtë.
“Pavarësisht se si interpretojmë atë çfarë tha Aleksandër Vuçiç, duket si një dhe vetëm një gjë: kërcënim lufte, ose thënë me fjalët e Millosheviçit, ‘beteja të armatosura’. Ose madje edhe ‘kërcënim se do të fitojmë’, por në diçka që s’ka të bëjë me paqe dhe është e kundërta e paqes, dhe do të jetë që ajo që s’është paqe e ka tani vetëm një emër. Prandaj, në mënyrë që të arrihet ajo fitore, duhet që të niset luftë”, shkroi Teofil Pançiç në analizën e tij ndaj fjalimit të Aleksandër Vuçiç.
Askush, tha Pançiç, “nuk e përmend prishjen e paqes si opsion – vetëm Aleksandër Vuçiç”.
Në lidhje me thirrjen për “denazifikim të Ballkanit”, zyrtari i Partisë Demokratike Serbe, Balsha Bozhoviç, tha se “nuk ishte asgjë çfarë s’e mendon vetë Vuçiç”.
“Vuçiç e pa që kjo hiç nuk është në favor të tij dhe se kërcitja e armëve e keqësoi reputacionin e tij edhe ashtu tashmë të dëmtuar në Evropë”.
“Prandaj”, thotë politikani serb, “Vuçiç tha se ky ishte mendim personal i Gjukanoviç”.
“Vladimir Gjukanoviç thjesht e teproi, ai përmendi denazifikim”, thotë Bozhoviç, por se shprehet i bindur se “ky është qëllimi i Vuçiçit dhe regjimit të tij”.
“Ata janë të frustruar që nuk i kanë arritur qëllimte e politikave të tyre të viteve të 90-ta”, shprehet ai.
“Këto ditë, ne gati se kishim konflikt të armatosur në Veri të Kosovës, të përgatitur nga Milan Radoiçiç dhe Lista Serbe, por mos të harrojmë edhe të ashtuquajturën Marrëveshjen Themeltare mes qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe”.
“Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Patriarku [Porfirije] dhe kryeministri Dritan Abazoviç, i cili është i afërt me Vuçiçin dhe që më tej rrezikon marrëdhëniet ndëretnike në Mal të Zi”, tha Balsha Bozhoviç.
“Në esencë po flasim për eksportim të destabilitetit”, konkludon ai.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, rajoni serb i Bosnjes dhe Veriu i Kosovës janë parë si pika potencialisht të nxehta për përshkallëzim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qysh në fillim të agresioni rus, ka alarmuar rreth një skenari të tillë – ku Moska do të mund të instrumentalizonte Beogradin që të hap një front të dytë, si tërheqje të vëmendjes nga Ukraina.
Lini një Përgjigje