Vuçiç: EULEX-i e sajoi që u sulmuan me bomba

21 Dhjetor 2022, 16:38Rajoni TEMA

Vuçiç: EULEX-i e sajoi që u sulmuan me bomba

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është ankuar se disa shtete perëndimore “po i bëjnë presion” për t’i larguar barrikadat në veri dhe për t’u kthyer në institucionet e Kosovës serbët.


“Po përballemi me paturpësi të madhe që vjen nga jashtë, nga disa fuqi perëndimore. Thonë hiqeni barrikadat dhe kthehuni në institucione, së pari formoni Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ky është detyrimi i parë sipas Marrëveshjes së Brukselit”, tha Vuçiç para gazetarëve në Azerbajxhan ku po qëndron për vizitë zyrtare.

Ai është ankuar edhe për arrestimin e ish zyrtarit policor të Kosovës, Dejan Pantiç, i dyshuar për vepra terroriste.

“A është Dejan Pantiç, Osama Bin Laden?”, ka pyetur Vuçiç.

“Çfarë bëri Pantiç? Më në fund, na tregoni se çfarë bëri ai njeri?”, ka vazhduar me pyetje kreu i shtetit serb.

“E çfarë bëri Dejan Pantiç-i, plagosi dikë, e vrau? EULEX-i e sajoi që u sulmuan me bomba. Kjo vetëm tregon se cili është qëndrimi i tyre ndaj serbëve dhe Serbisë.

Kur është pyetur për përgjigjen e KFOR-it për kërkesën e tij për kthimin e 1 mijë ushtarëve serbë në Kosovë, ai është shprehur pesimist.

“Pres që të përgjigjen negativisht, pres që të thonë se janë të aftë për të kryer detyrën. Por, sjellja e KFOR-it është më korrekte se shumë qeveri perëndimore. Ata sillen në përputhje me Rezolutën 1244 dhe kompetencat e tyre, kanë të drejtën dhe detyrimin të na përgjigjen dhe e trajtojnë atë në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme, ndryshe nga të tjerët”.

Ndryshe, nga 10 dhjetori serbët në Veri të Kosovës po protestojnë duke bllokuar rrugët pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili po akuzohet nga institucionet e drejtësisë për akte terroriste.

Lini një Përgjigje