Gjykata Themelore në Novi Sad ka liruar nga ndjekja penale katër aktivistë të partisë në pushtet në Serbi, Partia Përparimtare Serbe (SNS), pas vendimit të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, që të njëjtit të falen nga akuza për sulm ndaj studentëve gjatë protestave.
Aktivistët e SNS-së akuzoheshin se në natën mes 27 dhe 28 janarit kishin sulmuar me shkopinj bejsbolli disa studentë që po vendosnin materiale afër zyrave të SNS-së në Novi Sad.
Gjatë sulmit, një studente pësoi hvendosje të nofullës. Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Novi Sad thuhet se me vendimin e presidentit të Serbisë për falje, K.S. (30) nga Sremski Karlovci është liruar nga ndjekja për veprat penale të lëndimit të rëndë trupor dhe sjelljes së dhunshme.
Vendimi, siç thuhet më tej, përfshin edhe R.D. (22), B.N. (22) dhe D.N. (22), të cilët po ashtu janë liruar nga përgjegjësia penale për vepra të ngjashme, përfshirë lëndime të rënda trupore dhe dhunë.
Gjykimi ndaj katër aktivistëve të SNS-së kishte filluar në fund të prillit, ndërsa në qershor të gjithë u liruan nga paraburgimi.
Prokuroria kishte kërkuar nga tre vjet burgim për dy të akuzuarit dhe dy vjet e gjysmë për dy të tjerët. Ky sulm ishte shkak për dorëheqjet e kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Milosh Vuçeviç, dhe kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriç.
Vendimi i presidentit të Serbisë për të falur aktivistët e SNS-së që sulmuan studentët në Novi Sad është dënuar nga partitë opozitare dhe shoqatat civile.
Lini një Përgjigje