Policia e Kosovës ka njoftuar ditën e sotme, se hetuesit e njësitit të anti-drogës kanë shkatërruar një laborator të kokainës dhe heroinës në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë, pas një pune hetimore rreth dhjetë mujore dhe aplikimit të masave të veçanta të hetimit nga hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës me datë 21.09.2024, rreth orës 21:50, në rrugën “ Hyzri Talla” në Prishtinë, në podrumin e një banese është gjetur substancë e dyshuar narkotike në gjendje të lëngshme në enë plastike, e cila ishte në proces të terjes-ngurtësimit dhe substanca ende të pa detajuara si dhe mjete të punës të cilat janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike si “Laborator”.
“Dyshohet qe ky ‘laborator’ per perpunimin e substancave narkotike te llojit heroine dhe kokaine eshte perdorur nga te dyshuarit per nje periudhe kohore, ku pas perpunimit te substancave, te njejtat i paketojne ne doza te vogla per shitje ne rajone te ndryshme te vendit”, thuhet ne njoftimin e Policise.
Për këtë aksion reagoi edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, i cili tha se ky fenomen do të goditet pa mëshir dhe se askush nuk do të jetë i paprekshëm para ligjit.
“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë”, shkruan ai.
Lini një Përgjigje