
“Unë quhem Xhovana Ujka. Shërbej në shtëpinë e të moshuarve Shkodër që prej datës 12 maj 1984”.
Gjithçka nisi si një adoleshente vetëm 16 vjeçe, ndërsa sot pas katër dekadash institucioni i “Shtëpisë të moshuarve” Shkodër është kthyer në familjen e saj të dytë.
“Unë erdha më mirë të them fëmijë. U rrita, u martova, u bëra nënë, sot jam gjyshe. Është fat i madh kur çdo ditë të jetës të thonë të lumtë dora, të japin bekimin e tyre. Pra, jo çdokush mund ta ketë këtë fat. Unë e pata faleminderit zotit e të tërëve që unë u bëra pjesë e tyre”, thotë Xhovana, kuzhiniere në shtëpinë e të moshuarve në Shkodër.
Jetesa në familjen e saj të dytë ka shumë momente të gëzuara, por dhe momente të hidhura që i kanë mbetur në mendje.
“Momentet e vështira janë momentet kur një ditë vjen dhe të thonë ka vdekur ky person. Kjo është e dhimbshme”, tregon Xhovana.
Pas 4 dekadash në këtë institucion, Xhovana ndjehet shumë e lumtur dhe plot energji për të shërbyer të moshuarit ndonëse flokët i janë thinjur.
Ajo që nisi si punë, tashmë është kthyer në misionin e një gruaje të fortë që përmes pasionit, përkushtimit dhe përkujdesjes bën të buzëqeshin edhe në ditët më të errëta gjyshet dhe gjyshërit e këtij institucioni.
Në këtë 8 Mars, Xhovana ka një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat.
“Të jesh nënë është bekim. Edhe të jesh grua, të ndihmosh në familje, komunitetin që ke afër është fat i madh, por doja të thosha që jeta ka vështirësi, ka ulje dhe ngritje, por duhet të jesh i fortë dhe të thuash nuk jam mposhtur, por të ecësh përpara. Kjo të ndihmon gjithmonë, egoja për të ecur përpara”, shprehet Xhovana.
Sa grua fisnike! PERULEM me respekt ????????
Xhovana mbetsh e re sic e ke emrin, zonje gru Kjo duhet me kene fytyra e Shkodres e jo karikatura si Zhelefina
Njeri per se mbari !- thone shkodranet . Cdo gje fillon nga te menduarit ne vetevhte si ke dash per me qene ndaj te tjeneve Nga nje devolli qe jetoj ne Shkoder 1972- 1976 dhe ka kujtime shume te mira Zoti ta shperblefte moj zonje shkodrane !