A mund të ekizstojë realisht një pakt social mes qytetarëve dhe shtetit, nëse ky i fundit shfaqet thuajse gjithmonë vetëm për të ndëshkuar?
Në episodin e 29-të të Apostrof Podcast, antropologu ligjor Nebi Bardhoshi reflekton në lidhje me natyrën e dyfishtë të shtetit: abstrakt dhe metafizik, pothuajse me pamjen e rëndë të vetë Zotit, por njëkohësisht edhe tejet konkret dhe mjaft i prekshëm. Është një dualitet, i cili do të tingëllonte poetik nëse nuk do të ishim aq të familjarizuar sa ç’jemi me të.
Për shumëkënd në Shqipëri, por edhe në mjaft vende të tjera, shteti shfaqet kryesisht me pamjen e ndëshkuesit. Ai vjen në formën e survejuesit, inspektorit të taksave, apo në formën e gjobës, dhe shumë rrallë në formën e kujdesit ndaj qytetarit. Praninë e tij nuk e ndiejmë si një formë të mbrojtjes së të drejtave tona, apo rritjes së besimit public, por thuajse gjithmonë si diçka të largët, që edhe kur vjen, ose vjen vonë, ose vjen për të disiplinuar.
“Shteti është një qenie shumë abstrakte, po edhe shumë konkrete. Është sa metafizike dhe ‘God-like,’ -duket si Zoti vetë - aq është konkrete. Në qoftë se shteti mua më vjen gjithmonë me fytyrën e ndëshkuesit, çfarë pakti social kam me të unë? Nëse unë duhet t'i përvidhem vazhdimisht dhe ndihem i huaj në shoqërinë time?”
A mund të ekzistojë një kontratë e vërtetë sociale kur njerëzit rriten që në fëmijëri me idenë ligjit duhet t’i druhen ligjit dhe duhet të gjejnë forma për t’iu përvjedhur atij si mënyrë mbijetese, dhe jo që të bashkëpunojnë me të?
Ndoshta nuk janë thjesht shqiptarët që e shohin me ligjin shtetëror me mosbesim, por është vetë shteti që nuk ka bërë asnëherë ndonjë përpjekje të sinqertë për të fituar besimin e tyre, duke u sjellë shpesh jo si shtëpia jonë e përbashkët, por si një i huaj që ndërhyn në shtëpitë tona.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/wlkSwf9WvxI
Lini një Përgjigje