Bora mbulon zonat malore në Shkodër, Prefekti i Qarkut: Si paraqitet situata në çdo bashki

2 Janar 2026, 12:30Sociale TEMA
Bora mbulon zonat malore në Shkodër, Prefekti i Qarkut: Si paraqitet

Prefekti i Qarkut Shkodër ka bërë një njoftim për opinionin publik sot në 2 janar 2026, lidhur me situatën meteorologjike në territorin e qarkut, duke theksuar se reshjet kanë nisur që prej ditës së sotme, me intensitet të ndryshëm sipas zonave. Sipas informacionit nga strukturat operacionale në terren, në zonat malore po regjistrohen reshje dëbore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut.

Në lidhje me situatën në rrugë, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër jep detaje.


“Në zonat me fluks të lartë lëvizjeje dhe në akset rrugore ku ka prezencë dëbore dhe ngricash, është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë Rrugore. Policia apelon drejtuesit e automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”.

Bashkia Shkodër informon qytetarët se në qytet ka rënë shi, ndërsa në zonat malore ka prezencë dëbore.

“Në aksin rrugor Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse ndodhen në terren dhe po kryejnë hedhjen e kripës, megjithëse në disa segmente rruga paraqitet me ngrica. Në Qafë Thore trashësia e dëborës arrin rreth 15 cm dhe qarkullimi vijon pa probleme”.

Në Malësi e Madhe reshjet kanë filluar me intensitet të ulët, ku në qytetin e Koplikut trashësia e dëborës është rreth 3 cm. Ndërsa Bashkia Fushë-Arrëz raporton se vijojnë reshjet e borës me intensitet të ulët.

“Vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm. Rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht”.

Bashkia Pukë po ashtu njofton se ka reshje dëbore të lehta, me trashësi rreth 5 cm, dhe aktualisht nuk raportohen situata problematike. “Aktualisht, në akset rrugore nuk paraqiten probleme në qarkullim”.

Prefekti i Qarkut Shkodër ndjek me kujdes situatën në terren dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, duke respektuar udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

Reshjet e dëborës në Qarkun e Shkodrës nuk janë të pazakonta gjatë dimrit, por në vitet e fundit ka pasur raste ku bora dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Prefekti dhe strukturat bashkiake vijojnë monitorimin e situatës për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

1 Komente

  1. R
    Rrup Tupi

    Prefekti i Shkodrës ??!! Shkodra ka prefekte zonjën Holta Duda ,gjinia femërore. Mos e keni fjalën për institucionin e prefektit?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje