
Paralajmërimi i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për një periudhë të mundshme të “falimentimit global të ujit” ka hapur një debat të ri mbi mënyrën se si po menaxhohen burimet ujore në botë dhe në Shqipëri.
Në një fragment nga episodi i fundit i podcastit Apostrof nga Bjorn Runa, aktivistja mjedisore Denisa Kasa shpjegon se çfarë do të thotë që një planet ku rreth 71% e sipërfaqes së tij është e mbuluar nga uji, të përballet me një krizë të tillë
Sipas saj, problemi nuk lidhet me mungesën fizike të ujit, por me mënyrën se si ai menaxhohet dhe shpërndahet. Studime ndërkombëtare mbi stresin hidrik tregojnë se Shqipëria renditet e 37-ta në botë për nivelin e stresit të ujit, një tregues që sinjalizon presione gjithnjë e më të mëdha mbi burimet ujore në vitet që vijnë.
Një nga faktorët kryesorë, sipas Kasës, është ndërhyrja në rrjedhën natyrore të lumenjve. Ndërtimi i digave dhe hidrocentraleve ka kufizuar lëvizjen e lirë të ujit, duke ndryshuar ekosistemet që varen prej tij.
“Hidrocentralet kanë prodhuar energji, që është diçka që njerëzit e shohin si shumë të nevojshme, por ndërkohë kanë cënuar lirshmërinë e ujit,” shpjegon ajo. Kur rrjedha e ujit ndalet, niveli i oksigjenit bie dhe speciet që jetojnë në këto habitate nuk mund të qarkullojnë më lirshëm.
Kjo ndërhyrje, sipas saj, prish edhe ciklin natyror të lumenjve, duke penguar rrjedhën e tyre drejt detit dhe duke ndikuar në ekuilibrin e ekosistemeve.
Diskutimi është pjesë e një episodi më të gjerë të Apostrof, ku trajtohen sfidat që lidhen me ndotjen e lumenjve, ndërtimin e hidrocentraleve dhe presionin e zhvillimit mbi burimet ujore në Shqipëri.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Bota po shkon drejt "falimentimit të ujit!" Ç’ndodh me Shqipërinë ? | Denisa Kasa | Apostrof #60
