Nga Klevis Hoxhaj
Pamjet janë të shkurtra, por të rënda. Një grup adoleshentësh përplasen me grushta dhe shkelma para portës së gjimnazit “Shejnaze Juka” në Shkodër.
Britma, vrapime, sende të forta që fluturojnë në ajër. Në një moment, një djalë me xhup të kuq nxjerr thikën.
Nuk ka skenar, nuk ka motiv të qartë, nuk ka “pse”. Ka vetëm përshkallëzim. Nga hiçi në dhunë. Nga dhuna në rrezik për jetë.
Ngjarja përfundon me plagosje të lehta. Dy persona arrestohen, pesë të mitur janë nën hetim.
Dhe këtu fillon rituali i njohur: videoja bëhet virale, shoqëria zemërohet, rrjetet sociale kërkojnë dënim maksimal, shembullor, ndëshkim ekstrem. Dhuna gjykohet me gjuhën e dhunës.
Por pamjet e Shkodrës nuk janë incident i izoluar. Janë simptomë.
Vetëm pak javë më parë, në Durrës, një konflikt i nisur në mediat sociale kaloi nga ekrani në rrugë dhe nga fjala në thikë.
15-vjeçari Erion Boba humbi jetën.
Një fatalitet banal, i lindur nga një grindje virtuale, i shndërruar në tragjedi reale.
Ajo që e bëri ngjarjen edhe më të rëndë ishte reagimi publik: një protestë e thirrur për drejtësi, por e përqafuar dobët nga komuniteti. Një dhimbje e lënë pothuajse vetëm.
“Thikat e Erionit mund të jenë thikat e një fëmije tjetër nesër”, tha halla e tij. Dhe kishte të drejtë. Sepse indiferenca është po aq edukative sa dhuna.
Një vit më parë, vrasja e Martin Canit vulosi një përshkallëzim tjetër: nga konfliktet mes të rinjve në krim të rëndë.
Tre ngjarje, një vijë e përbashkët: dhuna që nis pa peshë dhe përfundon me pasoja të pakthyeshme.
Shkenca sociale nuk është e habitur nga kjo.
Që nga eksperimentet e Albert Bandura-s me “Bobo doll”, dihet se agresioni mësohet.
Ai imitohet, përforcohet dhe normalizohet. Fëmijët dhe adoleshentët që shohin dhunë - në familje, në rrugë, në media, në rrjete sociale - e mësojnë atë si mënyrë reagimi.
Kur dhuna shpërblehet me vëmendje, famë apo frikë, ajo kthehet në gjuhë komunikimi.
Kriminologjia flet prej dekadash për kulmin e dhunës në adoleshencë: një moshë ku impulsi, presioni i grupit dhe mungesa e kontrollit emocional bashkohen me trauma të hershme, mungesë mbështetjeje psikologjike dhe boshllëqe institucionale.
Në këtë terren, një sherr i vogël nuk shuhet - ai përshkallëzohet.
Por problemi nuk është vetëm pse të rinjtë janë të dhunshëm.
Pyetja më e vështirë është: si reagon shoqëria ndaj kësaj dhune?
Kur çdo viralitet shoqërohet me thirrje për dënim ekstrem, kur zemërimi kolektiv shndërrohet në gjuhë ndëshkuese, shoqëria nuk e çmonton dhunën - e riprodhon.
Dhuna bëhet argument moral. Një shoqëri e dhunshme faktorizon veten si të tillë pikërisht duke iu përgjigjur dhunës me të ngjashmen e saj.
Dënimet e rënda pas tragjedive japin një ndjesi drejtësie, por vijnë gjithmonë vonë.
Ato nuk e shpëtojnë Erionin. Nuk e kthejnë Martinin.
Nuk e ndalojnë sherrin e radhës para një shkolle tjetër.
Parandalimi nuk është spektakolar. Ai nuk bëhet viral.
Kërkon siguri reale në shkolla, prani psikologësh, punë me familjet, ndërhyrje të hershme, komunitete që reagojnë para se thika të dalë nga xhepi.
Kërkon një shoqëri që nuk i lë fëmijët vetëm mes impulsit dhe medias sociale.
Në fund, kjo nuk është histori për “fëmijë të këqij”.
Është histori për një shoqëri që po u mëson fëmijëve se grushti është zgjidhje, se frika është pushtet dhe se dhuna është gjuhë e pranueshme.
Dhe kjo është përgjegjësi kolektive.
Nuk është vetëm faji i shoqërisë. Është më shumë faji i shtetit dhe i familjes. Shteti duhet të jetë autoritar ndaj shkelësve të ligjit dhe të rinjve të paedukuar. Pse nuk kishte më përpara nga këto ngjarje?! Se atëhere thuhej dhe shkruhej se edhe sjellja e mirë e zbukuron njeriun. Në atë kohë nuk lejohej dhuna dhe pornografia në ekran. Çfarë edukate i japim sot të rinjve?! Me Top Chanel etj etj?! është edhe faji i kohës ku jetojmë.