Një masakër mjedisore që rrezikon jetën e banorëve, ndërsa shteti bën sehir

19 Prill 2022, 10:50Sociale TEMA

Një masakër mjedisore që rrezikon jetën e banorëve,

Letër e hapur

Ndoshta kjo letër do të mund të shkoj në vëmendje të  Ministres së Mjedisit dhe Turizmit, kryetarit të Bashkisë Divjakë, Policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake, por dhe kujtdo tjetër me përgjegjësi dhe ndjeshmëri për mjedisin.

Një masakër mjedisore vazhdon në fshatin Gradishtë. Tre kodra mbi të cilat ngrihet fshati po rrafshohen. Ato që ishin aty prej kur u banua kjo zonë nuk janë tani. Dhuratën e natyrës e prishi dhe po e rrëmben babëzia e njeriut. Ndoshta normale do të ishte që kjo letër të gjendej në tryezën e atyre që janë përgjegjës për të mbrojtur këtë mjedis, por pas kaq vitesh shkatërrim ata ose janë shurdhuar, heshtur apo edhe më keq nëse kanë lëshuar ndonjë leje për të ligjëruar e dhënë guxim  dhunuesve të mjedisit. Përndryshe, shumë duhet të penalizohen në bankën e drejtësisë.

Mbetemi mirënjohës ju, gazetës TemA, që pas shkrimit me titull:  Një masakër mjedisore, që “të fortët” po i bëjnë “Toskanës” shqiptare, para tre viteve, arritët, përkohësisht, të sensibilizoni dhe ndaloni masakrën mjedisore. Por më pas, dhunuesit u riorganizuan dhe sapo e rimorën veten, sulmuan me më shumë buldozerë e saurela të frikshme, e tashmë po i çojnë këto kodra  drejt rrafshimit. Kjo është arsyeja, që përsëri po trokasim në gazetën tuaj, me më shumë besim në ndjeshmërinë e këtij problemi, të bindur, se i kalon kufijtë e fshatit tonë.

Për ata që kanë kureshtje. Fshati Gradishtë vendoset mbi disa kodra ku ndërpritet  vargu Divjakë – Ardenicë. Pozicioni, si dhuratë e natyrës, midis Detit dhe Fushës së Madhe të Myzeqesë, ju japin kodrave dhe fshatit një pamje unike. Nga lartësitë e tyre mund të shohësh në Perëndim Adriatikun  deri tej në Sazan, në Jug ..kodrat e Ardenicës, në Lindje: Fushën e Myzeqesë deri në Malin e Tomorrit e në verilindje edhe malin e Dajtit. Është një reliev që të jep gjithë pamjen që do të dëshironte kushdo të kishte.

Kodrat mbi të cilat ngrihet fshati ynë janë nga më të bukurat dhe pjelloret, një dhuratë e pa përsëritur e natyrës. Këto kodra janë shtëpia jonë,  jetesa jonë.  Ato janë më të hershme se banorët kujtojnë. Aty kanë kaluar ushtri, janë zhvilluar luftëra, kanë sulmuar e janë tërhequr, janë pritur dhe  përcjellë,  por askush  nuk ka guxuar ti ndryshojë, ti shkatërrojë, ti vjedhë, ti rrafshojë. Por atë që se bëri historia e shkuar për  mijëra  vite më parë, tani për një kohë të shkurtër po i rrafshon dora dhe mendja e njerëzve të këqij.

Ndërsa dikur aty, gjenim strehë nga përmbytjet e mëdha, tani këto kodra po tmerrohen nga babëzia e njeriut. Ndoshta dikur, dikush edhe do të përgjigjet, por ajo që dihet me siguri, kodrat nuk do të ribëhen. Ato janë krijesë e natyrës dhe tashmë natyrës i mbetet vetëm hakmarrja. 

Përmasat e masakrës mjedisore.. - Rrafshimi i tre kodrave, në disa qindra hektarë, kanë   prishur tërësisht relievin, ekuilibrat e natyrës, zhdukur bimësinë, prishur diversitetin dhe me rreziqe aktuale e të dukshme për rrëshqitje dhe rrafshim të një pjese të fshatit. Ajo çfarë po ndodh dhe dallohet ka vetëm emrin e masakrës natyrore. E kjo masakër shumë shpejt do të çojë në një katastrofë natyrore. Nuk ka nevojë për foto të çastit. Mjafton, të  përdorësh një ‘google map’ dhe atë që më parë e mbulonte gjelbërimi tashmë është një greminë, gjithçka e rrënuar në mënyrë të pariparueshme. Një pamje që dalluar me  bimësi të zhdukur, qindra rrënjë ullinj të shkulur apo të prerë, pa asnjë mundësi për gjallesa. 

Përse nuk ndalon masakra mjedisore? - Në të vërtetë, kjo masakër vazhdon prej disa vitesh. Të fortët e zonës, pa asnjë lidhje me fshatin, të ngrohur nga lidhjet elektorale me politikën dhe indiferencën fatkeqe të autoriteteve lokale dhe policisë, pasi mposhtën me kërcënime e dhunë rezistencën  e fshatit,  rrëmbyer atë që dëshironin në fushë, papritur, zbuluan që kodra ishte një ‘minierë ari’.  Të lidhur me kompani apo  individë ata filluan dhe vazhdojnë gërryerjen e kodrave.

Dhjetëra buldozerë, skrepa dhe transportues të frikshëm i janë sulur prej vitesh kodrave,  ditën dhe natën, duke lënë pas vetëm greminë. Të gjitha ankesat e banorëve kanë shkuar në shurdhëri, e me sa duket kjo masakër nuk mund të ndalet vetëm me letra apo sensibilizime as me dërgime emaile në zyrat e pushtetarëve. Po besohet se për ne fshatarët,  nuk na ka mbetur asgjë tjetër për të ndaluar masakrën veç vet-gjykimit. 

Përse shteti hesht? Jemi të befasuar, se ndërsa për të ndryshuar tjegullat e thyera të çatisë,  nëse guxojmë të hipim në çati, pa kaluar ora,  te porta do të ndodhen polici dhe gjobëvënësi i bashkisë. Ndërsa për ata, që rrafshojnë kodrat, shkatërrojnë natyrën, me dhjetëra automjete të rënda asgjë nuk i pengon e kalojnë serbes para hundës së autoriteteve. Ata nuk shkatërrojnë në një ditë të vetme, por me vite, jo diçka që nuk duket por kodra mijëra vjeçare.

I vetmi guxim ju vjen ndoshta me ata që shoqërohen:  policë, bashkiakë apo edhe politikanë, nëpër dreka e darka dhe me zarfe.  U inkurajuam kur u krijua edhe një agjenci për mbrojtjen e mjedisit, por duket sikur ajo vepron vetëm në ‘shtetin e Tiranës’ pasi 80 kilometra më larg e kanë të pamundur të vijnë e të shohin se çfarë po ndodh. Duke shpresuar në sensibilizimin nga ana juaj, ndoshta një ditë shteti do të duket edhe në këto anë.  

A do të përgjigjet dikush? – Në radhë të parë, shteti le të zgjohet dhe dhunuesit të dalin para ligjit. Pastaj të gjithë ata që përfituan duke u lidhur për të shkatërruar sëbashku kodrat.  Më pas të përgjigjen të gjithë ata që kishin përgjegjësi të ndalonin këtë masakër dhe nuk lëvizën as gishtin. Ne fshatarët e zonës e kuptojmë , që dëmi kolosal   i shkaktuar ndaj mjedisit nuk do të ndreqet ndonjëherë, as nga natyra e as njeriu. Por të gjithë duhet të përballen me drejtësinë, sepse nëse dora e keqbërësve nuk ndalet,  atëherë kjo masakër mjedisore shumë shpejt do të kthehet në një katastrofë natyrore dhe njerëzore.

Dhe së fundi, ishim me shpresë nga premtimi që bëri edhe deputeti i zonës, për ti ‘djegur’ duart dhunuesve të mjedisit,  por nuk e kuptuam përse edhe ai u ‘dorëzua’... Vërtetë,  janë  më ‘të ëmbla’ garancia e votave që afrojnë, të fortët, se e drejta e banorëve   për të jetuar pa halle shtesë dhe për t’ju lënë një vend më të sigurte brezave  që vijnë më pas...

Mbesim në besim e mirënjohje.

Banorët e fshatit Gradishtë

Prill 2022

2 Komente

  1. g
    gjuhetari me fillore

    O gazetare leshi mire gabimet ortografike i keni me lopate,por te pakten shmangni barbarizmat ne shkrime Qeveria ben sehir ,a nuk ka fjale shqipe shikon,vezhgon,vrojton apo qofte dhe tall trapin ne fund te fundit,Ju keshilloj te perfundoni kursin kunder analfabetizmit

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vito mashtruesi, shoku i Nikos

      Tani qe e lexoi Mirela Kumbaro, por edhe Furxhi se duhet per letra ,te mjeret ju qe keni abuzu me ligjin

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje