Rrëfimi i ngjarjeve që ndryshuan Shqipërinë dhe i ngjarjeve që i kushtuan asaj

18 Dhjetor 2022, 12:58Sociale TEMA

Rrëfimi i ngjarjeve që ndryshuan Shqipërinë dhe i ngjarjeve

Nga Fatbardh Amursi ( Rustemi )

Preç Zogajn, nëse e njeh prej librave, nuk para ngjan me atë që shihni ekraneve. Nuk po them se atje ka sozinë. Ngaqë në Shqiperi nuk lexohet, ecet me paragjykime dhe habitati që i ushqen më shumë paragjykimet, habitërisht, është media. Duke botuar libra me poezi, prozë dhe publicistikë, figurativisht do e quaja Zogajn autor tre dimensional, jo 3D dhe as PD. Ai reflekton dhe këtë ia marrin si përshtatje. Edhe pse nuk e ul kurrizin. Nuk dëshiron të jetë në llogoren e gabuar, duke i hapur telashe vetes. (Bëhu ai që je dhe kur të tjerët nuk e shohin. Shpesh ndjehem i privilegjuar të shoh tek tjetri atë që s`ia vënë re të tjerët.) S`ka tjetër ku njeriu e shpreh veten më shumë se sa tek e shkruara. Jo më kot flitet për psikologji të shkrimit. Piramidat nuk mund të kuptoheshin pa hieroglifet, që u deshën shekuj të zbërtheheshin.

“Fati kurdis ndonjëherë lojëra të çuditshme”, shkruan Preç Zogaj në librin “Fillimet”  me gjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet `90-`92”, 30 vjet më parë, por që i flasin të sotmes më bukur nga ai vetë kur del në ekrane. Kurdisjeve të fatit, në këto vite tranzicioni, zor se i ka shpëtuar kush, i hedhur në brigje, që s`i ka vozitur as në ëndërr. “Historia s`duket asgjë, kur e ke përpara dhe na bën asgjë, kur na lë prapa.” Një tjetër thënie intriguese, shpotitëse natyrisht për ata që kujtojnë se pas u shkon historia.

Përkundër një gjuhe procesverbalesh, që e ndesh rëndom në libra të kësaj natyre, autori rrëfen dinamikën e ngjarjeve, që ndryshuan Shqipërinë, por dhe të tilla që i kushtuan asaj, pa fshehur dhe pa rrumbullakosur të vërtetat. Për t`i bërë të besueshme gjithë këto, po i referohem portretizimeve, që, autori u ka bërë mjeshtërisht në libër kryesisht Ismail Kadaresë dhe Sali Berishës, ku njëherësh skicon dhe autoportretin e tij. Nuk mund t`i portretizosh të tjerët, kushdo qofshin ata, nëse ti vetë je një profil fallco. Adhurimi ndaj Kadaresë mund t`i kthehej në bumerang poetit Preç, sikurse ndodh me të gjithë ata, që robërohen prej idhullit. Ndikimi i Berishës mund të ishte një rrezik i shtuar për shkrimtarin Zogaj, ngaqë Saliu e projekton veten tek ithtarët që rriten me identitetin e tij. (Më bënte përshtypje kur i dëgjoja dikur piktorët t`i thoshin njeri-tjetrit, kur gjykonin një portret: “Nuk e ke në karakter!” ose “E ke në karakter.” Më vonë do të kuptoja se karakteri është thelbësor dhe në vlerësimin e krijuesve. Zbulimi i karaktereve më është kthyer në pasion.)

Libri me publicistikë fillon me kryengritjen gjermano-lindore, që e kishte emrin “ikje”. Edhe në Tiranë po shkonte drejt finalizimit kryengritja e rrallë me emrin “ikje”, që ka një kulm me ikjen e kalorsit të letrave shqipe, Kadare, veçse e paralajmëruar: “I munduar gjer në çastin e fundit,/Nga mosthënia, nga pengu tragjik/Një shenjë ndoshta të pakuptimshme/Do t`ju bëj të gjithëve e do ik”.  Do t`i quaja këto vargje si belbëzimi i fundit i ambiguitetit. Për ikjen flitet edhe sot e kësaj dite, që Berisha dhe Meta duan ta ndalin me revolucion, ndërkohë që Kadare ka kohë që është kthyer në atdhe. “Nuk kishte ndodhur kurrë si në konferencën e talenteve të reja në Korçë që salla salla të brohoriste emrin e një të arratisuri, të  Kadarëesë”. Ai që guxoi ta përmendte në fjalën e tij, para një anëtari të Byrosë Politike, ishte poeti Preç Zogaj. Shihni se me çfarë konçiziteti e përshkruan ai vitin 1990: “Haveli mbarte kurorën e lirisë, Çaushesku plagët e ekzekutimit. Udhëheqësi rumun ra viktimë e delirit të tij. Bashkë me bustin e Stalinit ra dhe Republika Popullore e Shqipërisë”. Por, veçon dikë: “Kadare kishte qenë kurdoherë përpara, shumë përpara Partisë në ndërmarrjet konjukturale të kësaj të fundit për demokratizimin dhe hapjen.” Askush nuk duhet të dijë më shumë nga partia, do ironizojë Ayn Rand në romanin “Ne të gjallët”. Këta që “dijnë më shumë nga partia” flaken në rastin më të parë ose mbahen larg. Preç Zogaj dhe, jo vetëm ai “ka qenë kurdoherë përpara, shumë përpara Partisë”. Ndodh që me çka të takon të mburresh, të merret për fajësi. (Ata që e akuzonin shkrimtarin Kadare si Perëndimor, janë në garë se kush do duket më allafrenga?!)

Me kast, në takim me intelektualët, autori citon Ramiz Alinë: “Afrohu Ismail, pse rri në radhë të tretë, apo ke frikë se mos të marrin në fotografi dhe nuk del bukur?!” Po e qortonte se kishte lënë “vijën e parë të frontit”?! Ai që do dilte në rresht të parë ishte Sali Berisha, pasuesi i Alisë në presidencë.

“Librat e Kadaresë kishin përndritur rininë time të zymtë në Lezhë. Është pak të them se i kisha lexuar… I kisha futur në qënien time…Nga ana tjetër nuk doja të cënoja sadopak magjepsjen time për veprën e tij, duke cënuar distancën që më kishin mundësuar… U ndamë. E pashë si po largohej bashkë me atë mundimin e tij të brendshëm, të pakuptueshëm, të pazbërthyeshëm, që “ndoshta e ka gjithmonë”-shkruan Zogaj me një adhurim gati fetar, që, në fakt, është i tëri njerëzor. Ku e ka burimin ky adhurim? Vetëm tek leximi i librave dhe askund tjetër, që reflektohet në përndritjen e qënies së tij. Por kjo fuqi ndikuese, sikur i njihej Enver Hoxhës, me demek se “na e ndriçonte rrugën drejt së ardhmes”?! Në ndihmë më vjen poezia e tij “Përbindëshi”, produkt i një reflektimi të gjatë. “Ka qenë shumë e bukur fëmijëria ime,/jeta tjetër para kësaj që kam tani,/Por sot ju tregoj për përbindëshin/që nuk e pashë atëherë, që e njoha/veç kur po jepte dhe kishte dhënë shpirt,/Dhe mua po më dilte magjepsja e trandafilave”. Nuk mund të mos të bëjë përshtypje një ndarje midis fëmijërisë së bukur dhe të jetës tjetër pas saj. Vetëm pas shumë vitesh poeti merr përsipër të tregojë “përbindëshin”, që nuk e pa atëherë, sikurse të gjithë ne. E njohu vetëm kur po jepte shpirt. Vonë, si të gjithë ne. Dhe këtë ia mundësoi dalja nga narkoza e propagandës, indoktrinimit, thënë poetikisht: “Dhe mua po më dilte magjepsja e trandafilave.” (Ata që pinin shurup trandafili, hiqen sot sikur të ketë qenë nektar perëndish?!) Ndërkohë poeti flet dhe për magjepsjen nga librat e Kadaresë. A kishte ndikuar Kadare në fshehjen e “përbindëshit”? Një libër i Kadaresë mban titullin “Përbindëshi”. Kur Zogaj ishte redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Kadare e pyet për novelën “Piramida”, ku ndihej aludimi për piramidën e diktatorit. Ndërkohë redaktorit i kish dalë “magjepsja e trandafilave” dhe libri botohet. Por, “Parodia e njerëzve të indoktrinuar që marshojnë duke kënduar këngë luftarake drejt një luftë që nuk do të bëhet kurrë.”, do të shoqëronte antimitingjet me portretet e Enver Hoxhës, kur studentët mbanin portretin e Kadaresë dhe të Rexhep Qoses. (Gjithë të lavdishmit, që, pretendonin pavdeksinë i sfidoi një i famshëm.)

“Njihesha me Sali Berishën prej disa vitesh, isha një adhurues i kryelartësisë së tij, megjithëse vetë nuk pëlqeja ta mbaja kokën lart.” Donte të sfidonte realitetin e bukosur të kohës. Ndërsa Besnik Mustafaj pesë gjashtë vite më parë e kishte përshkruar Berishën si një rebel pa të ngjashëm kundër botës së ndenjur të burokratëve dhe teknokratëve gushëvarur të kryeqytetit. “Kur nuk kisha njohjen time, përshtypjet e Bersnikut për njerëzit ishin “ligj” për mua”, shkruan Zogaj. (Nëse Zogaj nuk tha asnjëherë një fjalë të keqe për Kadarenë, po kështu dhe Mustafaj ndaj Berishës. Duke kryqëzuar kritikat Preçi ndaj Saliut dhe Besniku ndaj Ismailit.)

Shqipëria komuniste i priste krahëhapur antikomunistët e rinj, por jo të vjetërit, konstaton me të drejtë Zogaj. Se këta të rinjtë vinin nga e njëjta origjinë, ajo komuniste. Kadare ishte distancuar nga regjimi i Tiranës, por nuk qe afruar me mërgatën, hidhet një dyshim mbi të. Dikush i thotë autorit të librit se Kadare ka përbuzje për antikomunistët e vjetër. (Idriz Basha nga Parisi në “parisin e vogël” Korçën, nuk u lejua të kandidonte nga SB-ja. Erdhi të kontribonte si Asdreni, por e zbuan. Nano e bëri ambasador të Shqipërisë në Bruksel me propozim të Driteroit, me ndërhyrjen e Preçit. “Nuk mund t`i kërkoja Driteroit të shkruante një pusullë të dytë për Sejfi Protopapën.”-shkruan ai jo pa kunjosje. Zogaj nuk bën neutralin, por gjen si përgjigje fjalët e Ismail Kadaresë: “Në këtë kohë të vonuarit bëhen të rrezikshëm…Të vonuarit çfarë nuk bëjnë për të fituar kohën e humbur, për t`u dukur demokratë dhe trima të mëdhenj. Demokracia mund ta pësojë prej tyre. Principi i tyre është të shfaqen si heronj. Ata janë provaktorë: në emër të lirë së fjalës ngrejnë çështje që kompromentojnë demokracinë.” Të vonuarit, nga të dy krahët e politikës, e gjenin rrugën drejt pushtetit, duke spostuar të parakohëshmit, ata të orëve të para. Të vonuarit u ngjitën në Qytetin e Studentëve dhe ua përvetësuan fitoren. Tek të vonuarit duhet kërkuar shkaku i këtij tranzicioni të gjatë, që mban peng të ardhmen e vendit. “Në PD vinin karrieristë që të realizonin ambicjen e penguara nga Partia e Punës”, shkruan Zogaj. A ishte dhe Sali Berisha një prej tyre? Një viktimë e të vonuarve është dhe një nismëtar si Zogaj. “Kultura i doli përballë regjimit. Militantët e PPSH-së e kishin zakon t`i gëzoheshin ndarjes me intelektualët”, konstaton ai me keqardhje, duke drejtuar gishtin: “Partishmëria berishiane kishte dhënë shenja se do ishte përjashtuese. Ky ishte shqetësimi, kjo ishte frika. Ishin përsëri ata mitingashët me të cilët isha në një betejë etike dhe estetike pa kompromis. Askush nuk kishte më nevojë të rrezikonte jetën për të ruajtur nderin”. Dhe të vonuarit të ndërsyer nga i pari i tyre do i vërsulen atij që di më shumë nga partia: “Komiteti i madh i mediokërve, i konformistëve dhe i puthadorëve të pushtetit nga fusha e shkencës, mësimdhënies, letërsisë, pikturës, folklorit, trashëgimisë kulturore, gazetarisë, e tjerë e tjerë figuronin në bllok, pothuajse pa mungesa…”. Me veglat dhe bufonët e tij, presidenti Berisha gjente kohë, për të mos thënë e kishte në rendin e ditës dhe për kënaqësi gjithashtu, t`u prishte qetësinë dhe gjakun individëve që e kishin kritikuar apo e kishin kundërshtuar në parti.” Duke cituar Makiavelin ai thotë se të mundurit nuk durojnë po t`i prekësh liderin. (Mbështetësit e foltores po krahasohen sot me antimitingjet enveristëve.)

Kadare ka mbajtur distancë me pushtetin, i cili nuk i ka kursyer nderimet zyrtare. Qeveritë nuk kanë pretenduar ta kenë mbështetës, por janë mjaftuar të mos e kenë kritik apo kundërshtar të fortë, nënvizon Zogaj në jetëshkrimin e tij, që mund ta quante dhe roman, sikurse po bëhet e udhës.

Ka fitore personale që shoqëria i regjistron si të vetat

Poetët i kanë fituar të gjithë betejat me të pushtetshmit, edhe kur janë ndëshkuar prej tyre. Njohur si fitorja e të mundurëve. Kur ra shtatorja e diktatorit në Tiranë, u ngrit ajo e Lasgushit në Pogradec. Një betejë e rrallë, e fituar vetëm me heshtje, ndryshe nga Kadare që grindej me sunduesin. Edhe pse janë beteja personale, kur fiton poeti: regjistrohen edhe si fitore të shoqërisë. Një betejë e tillë përshkruhet dhe në librin “Fillimet”, që ka për protagonistë: Preç Zogajn dhe Sali Berishën. Shihe sa të duash poetin nga maja e pushtetit, vjen dita që raportet të ndryshojnë. (Në një përplasje të fundit Zogaj do ta quajë Berishën një mjeran, një mosmirënjohës, të cilin disa herë e ka gjetur të rrëzuar për tokë dhe i ka zgjatur dorën.) Të gjithë këto raste përballeje e kanë origjinën tek ndeshja e perëndisë së dijes dhe zejeve, Prometeut me Zeusin e gjithëpushtetshëm. (Të humbasësh një garë elektorale është normale, ndërsa ajo morale, kur i ke hyrë në hak tjetrit, është më e rëndë se të presin një fletë arresti. Që të kuptohet kjo duhet të kalojë ca kohë, kur “i vogli” të mundi “viganin”)

Duke lexuar librin “Fillimet” përjeton një rrëfim dinamik me fuqi të shtuar, një ndërgjegje që rri zgjuar, si e si autori të mos turpërohet para historisë. Ngjarjet, kronikat, faktet, mprehtësia e analizave, vlejnë për të gjithë ne, si një mundësi reflektimi. Por, pragmatisti i sotëm u mësua të hiqet, sikur ndryshon, për më keq duke u hequr dhe si protagonist i së ardhmes. Sepse ndryshimi i shoqërisë shkon deri tek sipërfaqja. Ndoshta një arsye kjo, pse kozmetika si biznes, po kap majat, sikurse kompanit lobuese të ndryshimit të imazhit. Nëse ndodhitë e sotme politike i ballafaqon me ato të librit “Fillimet”, kupton se shoqëria shqiptare është e paralajmëruar prej autorit. Sot flitet për një PD të përçarë, një rrezik që: e ka ndjekur qysh në krye të herës, sikurse dëshmohet në libër. Fillimet e demokracisë ishin njëherësh dhe starti i karieristëve, të cilët ia përvetësuan fitoren idealistëve, sikurse komunistët ua privatizuan, i vetmi privatizim, fitoren partizanëve. “Studentët më aktivë të grevës së urisë ishin ata që ishin ftohur e larguar nga Komisioni Nismëtar, si Shenasi Rama, Blendi Goxhe, etj. Ekzistonte një dualitet i pashpallur midis drejtuesve kryesorë të grevës dhe drejtuesve të Partisë Demokratike.” Pra, midis studentëve dhe atyre që erdhën nga jashtë. Thonë se Enverin e morën nga rruga kur u themelua partia, por dhe Saliu në rrugë ishte bashkë me Besnikun, kur shpërtheu revolta e studentëve. “Kjo nuk është partia demokratike që krijuam me studentët në qytetin “Studenti”, tha Azemi me një zë të mekur që nuk mu duk si i tij. “Mbajeni”, thirri në të ikur”. Nuk më kujtohet a shtoi “nuk do ta gëzoni dot”. (Sa fallco tingëllon thirrja: “Azem ti je gjallë?!”, se kur qe i gjallë, e përzinin, apo e nxirrnin në pritë?! Gjithsesi kjo e vërtetë nuk zë vend tek të mundurit fanatikë, që nuk durojnë t`ua prekësh liderin.) Aty ishin studentët, pse nuk i shkuan pas Sali Berishës, por sa herë i duhej të poshtëronte kryeqytetin e shqiptarëve i bënte thirrje Bathores dhe Mamurrasit?! Po reagoj në përputhje me librin, duke ndjekur logjikën e tij.

“Do të ngriheshin dy PD kundër njëra-tjetrës.”-shkruan Zogaj, jo pa shqetësim. Por, demonët e pushtetit po ngrinin pritat e reja. “Arben Imami propozoi që në kryesinë e re, të mos kishte asnjë anëtar të PPSH-ës.”, si qendrim i pari ky i dekomunistizimit, sikurse kërkohet dhe sot nga PD-ja tjetër. Nëse me dekomunistizimin donin të largonin Berishën, me të hipur në pushtet, ai me lustracionin tentoi të hiqte qafesh kundërshtarët?! Kjo duhet shënuar, si një luftë tipike, që komunistët bëjnë brenda llojit, edhe kur ishin grushtbashkuar dhe tani të shpërndarë si dhitë e qerosit. Një ndër ta, që me lustracionin nxirrej jashtë politikës ishte dhe Kastriot Islami i njohur për thyerjen e kockave dhe tërheqjen zvarr të demokratëve, por, një ditë të bukur, e gjen në oborrin e PD-ës?! Sikurse Imami i hipën tankut për të rrëzuar Berishën dhe katapultohet ministër i mbrojtjes në qeverinë e Saliut. Ndërgjegjia e një shkrimtari nuk mund të bëj kompromis me këtë imoralitet. “Po ravijzoheshin dy korrente, për të mos thënë dy parti. Njëra ishte kryesisht liberale. Tjetra kryesisht sektare.” Spastrimet në parti mund t`i bënte vetëm një sektar, liberali respekton mendimin ndryshe. Historia e Plenumit IV ku anakronikët lanë hesapet me liberalit, shfaqet si reminishencë. Por, “Berisha kishte mbështetje të madhe në parti.”, pohon autori i librit. Si u krijua kjo mbështetje, kur në të mungonin studentët? Ideja për t`i kthyer partitë në ndërmarrje private, ndodhi më shpejt se sa të niste procesi i privatizimeve. Radhët shtoheshin me të ngjashmit. Për të ushqyer kontekstin po shkëpus këtë fragment nga libri:

Demeti: “Nuk jam dakort me kandidaturën e Berishës. Me sa e kam njohur këto dy muaj, ai do ta dëmtojë demokracinë po të zgjidhet kryetar. Ai nuk është për këtë punë.” (Si minues të demokracisë do e damkos Departamenti Amerikan i Shtetit, duke e shpallur “non grata”. A i doli parashikimi Demetit? Minues i demokracisë ai që mbahet si sjellësi i saj?!)

Ceka: “Populli njeh për kryetar të PD-ës Sali Berishën.”

Demeti: Ej, nuk po voton populli, zotëri i nderuar, jemi parti politike këtu.

Më vonë kam menduar se ka gjithnjë një fuqi të rastit që heq pengesat apo shtron rrugën e njeriut më dhunti lideri. Më 10 dhjetor 1990 isha unë që e kisha penguar dëbimin e Sali Berishës nga mbledhja e studentëve. Por ishte ai që kishte duruar fyerjet, ama. Më 11 shkurt isha po unë që kisha imponuar me një fjalim të kohërave të vjetra anullimin e votimit që kishte nxjerrë kryetar Aleksandër Meksin,”- parashtron për së dyti altruizmin e tij, Zogaj. Sipas Shahin Kadaresë, Berisha ishte: karrierist, arbitrar, arrogant dhe hakmarrës, “që do t`i kushtonte vendit dhe do të na kushtonte të gjithëve”. Të gjitha këto i keni në libër, por kush do të mësojë nga historia? Pale nga letërsia? “Berisha i kishte në dorë të gjitha karriget e pushtetit. I kishte fituar me shokë, por mund t`i administronte vetëm. Ishte e vjetër kjo në Shqipëri.”-dëshmon Zogaj, jo pa ligështim. (“Papushim perëndojnë ngjarje të mëdha,/…Në këtë qytet koha ka bërë kërdinë/Të ka hequr Ty të ecurin e lehtë.”-shkruan poeti me një fines, edhe pse shkarkon një dramë, duke lënë të kuptohet se lluminati po vret elegancën, pa të cilën nuk mund të ekzistojë një qytet i civilizuar.

“Nata i kishte mposhtur të gjitha veç meje”. I takon t`i gëzohet triumfit moral. Krahas dualitet të partisë në libër zhvillohet dhe një linjë tjetër, ajo e duelit të heshtur midis poetit Zogaj dhe presidentit Berisha. Për dualitetin kush nuk ka folur, ndërsa duelin e heshtur nuk e përmend kush. Sepse ai që ka guxuar të përballet i bën me turp ata, që në të njëjta rrethanë, kanë ulur shpinën. (Në letërsi e arte po fabrikohej heroi, kur Heronjtë e Popullit po i shburrëronin.) Shenja e parë e hakmarrjes ishte: mbyllja arbitrare e revistës “Spektër”, që drejtonte Preç Zogaj, e papërmendur gjëkundi, si sulm ndaj medias së lirë. Arsyeja e këtij sulmi lidhet me mosbindjen e ministrit të kulturës ndaj presidentit, i cili i kërkonte të pushonte nga puna Frok Çupin, atë kohë drejtor në qendrën kulturore, ish Piramida. Kërkohej ndëshkimi i Frokut për një shkrim tek “Koha jonë”, këtu e 30 vjet më parë, ku hiqte një paralele mes enverizmit dhe Berishës, duke dhënë alarmin për rrezikun e rikthimit të metodave bolshevike në drejtimin e PD-ës. Frokun e kishin hequr nga “Zëri i popullit” për një shkrim kritik, sqaron kolegu Zogaj. Historia po i përsëritej dhe në demokraci. “Do ishte mallkim për mua ta hiqja për shkak të një teksti kritik.”, duke shtruar pyetjen: “Ç`parti e re qënka kjo që të dënonka për një kritik?” Duke kërkuar dënimin e një autori për shkak të lirisë së shprehjes, a nuk është dhe ky një sulm ndaj medias? “Ç`të duhem unë po mora damkën e servilit?”-i drejtohet ministri shefit të tij. “Unë nuk mund të bëja siç donte ai.”-i drejtohet burrërisht poeti shefit malësor. “Atëherë nuk do të kesh më mbështetjen time.”-ia thotë presidenti prerë, edhe pse pa mbështetjen e Preç Zogaj nuk do ishte në majën e pushtetit. “Pse ka hedhur në peshore vetëm arsyet e veta dhe asnjë timen?”, bluan brenda vetes. I bindur se e drejta ishte me të, nuk hap rrugë, edhe pse presidenti do të ndërsente kundër tij gjithfarsoj të vonuarish. (Lenka Çuko e sulmoi kryeministrin Shehu më shumë nga të tjerët. Mos të zëntë me “ushtarët e partisë”, që janë më besnik nga ata të gardës.) Më keq e pësoi Pashko. I ati i tij ishte futur në listën e ish funksionarëve të lartë, që do të zhvarrosej bashkë me Enver Hoxhën. Nuk ka gjë më të neveritshme, kur i dëgjon politikanët të vajtojnë për rrjedhjen e trurit nga Shqipëria, kur ata vetë e pastrojnë partinë nga intelektualët, nga ata, që dinë më shumë nga partia, ndonjë edhe nga vetë lideri. Dhe këtë e realizojnë me të vonuarit, që janë të parët, që ndjejnë erën e pushtetit. “Berisha mbështeti propozimin tim për t`u vetëbesuar të gjithë në aktiv dhe paralajmëroi reagime të publikut, nëse nuk kthehej arsyeja, domethënë nëse nuk anulohej votimi, ku fitues ishte A. Meksi.” Edhe pse iu gjend kur donin ta flaknin, kjo nuk e pengon Berishën të ngjitet në foltore për ta demaskuar poetin, si mocionist. Është po ajo foltore, që ai përdori dhe kundër Bashës, veçse: poeti e kishte ndihmuar të ngjitej në majë, ndërsa Luli si “i birsuari i tij” i merrte fitoret në tavolinë. (“Kur Rama futi këmbët në PD iu duk se ata i kishin marrë diçka që ai e kishte lënë në ruajtje.” Ka të ngjarë, ta ketë ndjerë veten të plaçkitur. Kismeti i del atje, ku nuk e mendonte: në mesin e socialistëve.)

5 Komente

  1. B
    Byli

    Burre I mire. Vetem se I ka ra pak ciftelise

    Përgjigjjuni
    1. I
      I bi Çiftelise ma mir nuk bahet

      PREÇ ZOGAJ PUTHADOR PUSHTETESH, PERFITUS, GAZETAR, POET, SHKRIMTAR PA RREZIK, SPIUN ME PSEUDONIMIN ÇIFTELIA, NJERI QE DI TA MENAXHOJ VETEN DUKE HIP E ZBRIT NGA VARKAT SIPAS INTERESIT, NJERI I PABESE QE TRADHTINE E KA NE GJAK. NJE DJALL ME LEKUR ENGJELLI QE TAN JETEN KA KULLOT BARIN QE I KA DHAN I ZOTI.

      Përgjigjjuni
      1. I
        I bi Çiftelise ma mir nuk bahet

        PREÇ ZOGAJ PUTHADOR PUSHTETESH, PERFITUS, GAZETAR, POET, SHKRIMTAR PA RREZIK, SPIUN ME PSEUDONIMIN ÇIFTELIA, NJERI QE DI TA MENAXHOJ VETEN DUKE HIP E ZBRIT NGA VARKAT SIPAS INTERESIT, NJERI I PABESE QE TRADHTINE E KA NE GJAK. NJE DJALL ME LEKUR ENGJELLI QE TAN JETEN KA KULLOT BARIN QE I KA DHAN I ZOTI.

        Përgjigjjuni
        1. k
          katarakti

          Si Preç Zogaj, si Besnik Mustafaj etj etj i kanë shërbyer me përkushtim dhe besnikëri regjimit enverist. Dhe bën goxha karrierë në të. Jo gazetarê, jo poetë dhe sigurisht të gjithë komunistë dhe besnikë të Partisë. Jo se kishin ndonjë talent kushedi çfarë, por ishin lëpirës dhe servilë të dalluar. Prandaj nuk mund të lexoj tani profkat e tyre. Njerëz pa personalitet dhe dinjitet. SI Berisha, Kadareja etj etj. Në Shqipëri nuk pati disidencë të vêrtetë si në vendet e tjera të Lindjes. Kujtoni Havelin. Se diktatori kriminel i kishte zhdukur me kohë. Pandaj na dolën në krye përsëri lajkatuesit e regjimit të mëparshêm, që veçse kthyen mbrapsht xhaketën. Dhe Shqipëria gjithmonë keq e më keq.

          Përgjigjjuni
          1. L
            Loni pe Sioni

            Katarakti, komenti juaj më ngjall shpresën se Shqiptaret do të dinë t'i japin duart hipokrizise së antishqiptareve... Kadareja s'ka qenë disident keto 30 vjetë, jo më para 1990-es... Po ka kap të 90-at dhe prapë s’është i sinqerte me vetveten... Gjithsesi, të ketë pleqeri të bardhë...

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje