Rriten emergjencat në zonat malore, krijohet grupi i kërkim-shpëtimit malor në Gjirokastër

7 Mars 2026, 17:25Sociale TEMA
Rriten emergjencat në zonat malore, krijohet grupi i

Në Gjirokastër, rritja e numrit të rasteve të emergjencave civile në zonat malore ka sjellë krijimin e grupit të kërkim-shpëtimit malor. Pjesë e tij janë persona të specializuar dhe alpinistë, të cilët ofrojnë ndihmë në terrene të vështira, si dhe ndërhyjnë për evakuimin e të lënduarve në situata emergjente.

Sipas specialistëve, vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i turistëve që vizitojnë zonat malore të jugut të vendit. Në disa raste, për shkak të mungesës së orientimit ose vështirësisë së terrenit, vizitorët kanë mbetur të bllokuar në kanione apo shtigje malore, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e ekipeve të specializuara të shpëtimit.

Fundjavën e kaluar, grupi i kërkim-shpëtimit malor të Gjirokastrës zhvilloi një trajnim dhe demonstrime praktike për të testuar aftësitë e ndërhyrjes në situata emergjente dhe për të përmirësuar koordinimin mes anëtarëve të ekipit.

“Do të jenë 5 trajnime në total, të cilat do t’i shërbejnë aftësimit të anëtarëve të kërkim-shpëtimit të Gjirokastrës, Këlcyrës dhe Përmetit për të qenë të aftë të bëjnë ndërhyrje të sigurta në rast nevoje nga ky shërbim”, thotë Blerim Çeka, përfaqësues i grupit të kërkim-shpëtimit malor të Shqipërisë.

Grupi i ri synon të mbulojë disa prej zonave më të frekuentuara malore në jug të vendit, ku ndërhyrja e shpejtë në raste aksidentesh është thelbësore për sigurinë e turistëve dhe banorëve.

“Kemi krijuar grupin e kërkim-shpëtimit malor të Gjirokastrës, i cili është i varur nga emergjencat civile dhe nga Federata e Alpinizmit të Shqipërisë. Ky grup është krijuar duke parë kërkesën më të madhe të turistëve në zonat malore dhe për të ndihmuar në momente të ndryshme në evakuimin e një personi”, thotë Vasil Çekani, nga grupi i kërkim-shpëtimit malor të Gjirokastrës.

Kërkim-shpëtimi malor në Shqipëri është pjesë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe turizmit malor dhe funksionon kryesisht si një shërbim vullnetar, një model i ngjashëm me atë që përdoret në shumë vende të Europës.

Vetëm një javë më parë, një grup alpinistësh ndërhyri për të shpëtuar një të ri në Kanionet e Osumit, i cili kishte hyrë në zonë në kërkim të trupit të një personi të zhdukur.

Lini një Përgjigje