Selami Xhepa: Ndërtimet pa standarde po e kthejnë rrezikun në kosto të përhershme për shoqërinë (VIDEO)

20 Janar 2026, 17:05Sociale TEMA
Selami Xhepa: Ndërtimet pa standarde po e kthejnë rrezikun në

Ndërtimet pa kriter dhe infrastruktura e realizuar pa studime të plota inxhinierike po e kthejnë rrezikun natyror në një kosto të përhershme për shoqërinë shqiptare. Kështu u shpreh eksperti i ekonomisë Selami Xhepa gjatë një interviste në Apostrof Podcast, duke analizuar lidhjen mes përmbytjeve të përsëritura, rrugëve që shemben pak kohë pasi janë përfunduar dhe mënyrës se si është planifikuar zhvillimi urban dhe infrastrukturor në vend.

Sipas Xhepës, ndërtimi i banesave buzë lumenjve, në toka të rrëshqitshme apo në zona me risk të lartë, si dhe realizimi i rrugëve pa standarde teknike, krijon një cikël të dëmshëm ku i njëjti problem paguhet vazhdimisht nga buxheti i shtetit. “Në qoftë se banesat bëhen në buzë të lumenjve, në qoftë se banesat bëhen në toka që janë të rrëshqitshme, në qoftë se banesat, dhe në përgjithësi gjithë infrastruktura që ne kemi krijuar, rrugët që bëjmë dhe që po i paguajmë nga dy herë, të cilat kanë kushtuar si rrugët europiane ose ndoshta nganjëherë edhe më shtrenjtë dhe ne po i paguajmë edhe nga një herë, sepse janë bërë pa cilësinë e duhur dhe pa studimet e duhura inxhinierike... Një rrugë e bërë në ajër dhe që thyhet pa bërë një vit, do të thotë që nuk ka plotësuar asnjë lloj standardi.” thekson ai.

Xhepa bën një dallim të qartë mes fatkeqësive vërtet të jashtëzakonshme dhe atyre që janë praktikisht të parashikueshme. Ndërsa ngjarje ekstreme që tejkalojnë kapacitetet e tregut dhe institucioneve kërkojnë ndërhyrje publike, për zonat që përmbyten pothuajse çdo vit, situata është ndryshe. “Kur probabiliteti i ndodhjes së fatkeqësisë është pothuajse 100%, nuk mund të sillemi sikur po përballemi me diçka të papritur,” argumenton ai.

Një tjetër problem i ngritur është mungesa e aksesit në sigurime, sidomos për banesat dhe pronat në zona me risk të lartë. Sipas Xhepës, kompanitë private të sigurimit i shmangin këto zona, duke e lënë barrën kryesisht mbi shtetin dhe individët. Në raste të tilla, ai sugjeron modele të ndarjes së riskut mes sektorit privat, shtetit dhe qytetarëve, në vend të mbulimit të plotë nga buxheti.

Për disa zona problematike, zgjidhja më racionale, sipas tij, nuk është kompensimi i përvitshëm i dëmeve, por rialokimi i familjeve. “Në shumë raste do të ishte më ekonomike dhe më humane që këto familje të ndihmohen të zhvendosen në zona më të sigurta, sesa të paguajmë çdo vit të njëjtat dëme,” shprehet Xhepa.

Ai thekson gjithashtu se jo çdo rrezik lidhet me vendndodhjen e banesës. Në rastin e tërmeteve, për shembull, elementi vendimtar janë standardet e ndërtimit. Vendosja dhe zbatimi i rreptë i këtyre standardeve, sipas tij, është përgjegjësi e shtetit dhe industrisë së ndërtimit, dhe një kusht minimal për të reduktuar humbjet.

Në përfundim, Xhepa argumenton se Shqipëria duhet të heqë dorë nga pritshmëria që çdo dëm të mbulohet automatikisht nga buxheti i shtetit. “Duhet një qasje e re, ku edhe individët marrin përgjegjësi dhe ku rreziku trajtohet me planifikim, standarde dhe politika afatgjata — jo thjesht me pagesa pas çdo fatkeqësie,” përfundon ai.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Rrugë, beton, apartamente… po për kë? | Selami Xhepa | Apostrof #53