
Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli” është një tjetër shkollë që i shtohet paketës së institucioneve të reja arsimore, të cilat hapin dyert këtë vit për nxënësit e Njësisë 3. E dëmtuar si shumë shkolla të tjera nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, edhe kjo shkollë është rindërtuar nga e para. Këtë vit mësimor do të presë nxënësit me dyfishin e kapacitetit të së parës, por edhe me kushte shumë herë më të mira.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet për ngritjen e shkollës, siguroi prindërit se gjithçka është drejt përfundimit dhe se mund të fillojnë regjistrimin e fëmijëve në shkollën e re. “Është vërtet mëkat të mundohesh t’i gjesh një mënyrë alternative sistemit online për ta regjistruar fëmijën në një shkollë tjetër, kur shkolla “Xhezmi Delli” është më afër. Ne vërtet mund të jemi gati në fillim të shtatorit ose në fillim të tetorit, por për dy javë nuk ia vlen ta çosh fëmijën në një shkollë tjetër, ndërkohë që shkolla e re po mbaron dhe është në kushte shumë herë më të mira se shkollat bujtëse. Mos i torturoni fëmijët në shkolla të tjera! Kush ka ende dyshim duhet të vijë ta shohë vetë që jemi drejt përfundimit. Ju lutem respektoni sistemin online dhe fëmijët të shkojnë te shkolla që iu takon,” tha Veliaj.
Ai shtoi se kjo shkollë do të jetë një tjetër bizhu që do i shtohet Njësisë 3. “Jemi vërtet të paduruar të sigurohemi që në shtator-tetor të kemi përfunduar edhe detajet e fundit, edhe mobilimin, për shkollën ‘Xhezmi Delli’. Ajo është një bizhu në mes të Njësisë 3, një njësi që po zhvillohet shumë. Shoh pjesë të njësisë që janë afër rrugëve kryesore, ku shumë prej këtyre ndërtimeve informale janë bashkuar dhe konsoliduar në një ndërtim serioz, normal për të liruar hapësira të tjara. Por ardhja e shkollës dhe ngritja e standardit të ndërtimit do imponojë të njëjtën estetikë dhe të njëjtën shije të realizimit të veprave edhe në pjesën tjetër të lagjes,” deklaroi ai.
Veliaj tha se kjo shkollë nuk është e vetmja që hapet këtë vit, por është një buqetë e tërë, që i shtohet godinave të reja arsimore në Tiranë. “Sot jam vërtet krenar, sepse pavarësisht se kanë mbaruar fushata dhe debatet, por nuk kanë mbaruar punët. Ne do të kemi një buqetë tjetër shkollash këtë vit. “Xhezmi Delli”, patjetër është një bizhu shumë elegante në këtë komunitet, shkolla “Partizani”, një nga gjimnazet historike të Tiranës hapet këtë vit. Aty patëm vetëm ceremoninë e diplomimit, por hapja e shkollës në shtator do të akomodojë gjithë zonën e Selvisë dhe zonës së Njësisë 8. Do të thotë që edhe ngarkesa që vinte te Çajupi apo te Shkolla e Kuqe, apo te shkollat e tjera prej ‘Samiut’, ose ‘Partizanit’, do të fillojë të ulet. ‘Çajupi’ do të ketë ambientin e vet, siç e ka, një shkollë të re, por dhe ‘Partizani’ kthehet sot ndoshta shkolla më e bukur në Tiranë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.
Mire per shkollat,por per pallatet e demtuara nga termeti pse nuk interesohet zoteria? Po mbushen 4 vjet nga renja e termetit, ne shume pallate te Tiranes, ku Bashkia nuk ka interes i ka lene banoret ne stres, duke mos dhene zgjidhje kerkesave te pa numurta me shkrim e goje: a) do prishen b) do riparohen apo c) te deklarojne qe jane te banushme. Njesite bashkiake nuk bejne as nje perpjekje duke ja varur pergjegjesine Bashkise se madhe.Ben kerkesa, kerkon takime- as nje pergjigje konkrete. U zotuan para votimeve, tani kane mbyllyr telefonat dhe presin pushimet e gushtit se jane te lodhur nga fushata. Ja pra ky eshte shteti, kjo eshte drejtesia, ku ne zyrat e tij po shkove per te kerkuar zgjidhje kane tendence te te percjellin dhe jo vetem kaq po te urejne kur ankohesh, harojne keta zyrtare qe ne radhe te pare jane qytetare , ku ne vendin tone mund te ishin edhe prinderit e tyre. As nje nuk mer guximin qe te coj nje pune deri ne fund. I gjithe qellimi eshte zvarritja pa fund.