Ankand i hapur për aksionet e Refik Halilit te Tirana, reagon klubi bardheblu

19 Prill 2024, 22:25Sport TEMA
Ankand i hapur për aksionet e Refik Halilit te Tirana, reagon klubi

Klubi i Tiranës ka reaguar nëpërmjet faqes zytare, në lidhje me njoftimin e bërë publik së fundmi nga një zyrë përmbarimore e cila ka bllokuar aksionet e familjes Halili në klub për shkak detyrimesh ndaj palëve të treta dhe tashmë i kanë nxjerr zyrtarisht në shitje ato, me ankandin që mbyllet më datë 22 prill, pra në mesjavën e ardhshme. 

Në reagimin zyrtar të Tiranës, thuhet se ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KFT. 

Sipas klubit bardheblu, asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv. 

REAGIMI I PLOTË I TIRANËS:  

Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik për një dezinformim të qëllimshëm, që është përhapur në media, për sa i përket falimentit të klubit! Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KFT.

Ju bëjmë me dije se ekipi ligjor dhe stafi i klubit, është në dijeni të plotë të këtij skenari dhe ka marrë të gjitha masat, për ta bllokuar dhe denoncuar në të gjitha instancat ligjzbatuese përfshirë dhe hapat ligjorë te ndjekjes penale.

Njëkohësisht, klubi thekson se këto janë çështje të cilat synojnë të dëmtojnë imazhin e Klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar se nuk ka asnjë problem likuiditeti.
Asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv.
Sigurojmë të gjithë dashamirësit, tifozët, bashkëpunëtorët dhe partnerët, se Klubi i Futbollit Tirana, do të vazhdojë rrugëtimin e tij, për të arritur objektivat sportivë dhe se asgjë dhe askush, nuk mund dhe nuk do të cënojë ekzistencën, mbarëvajtjen apo edhe funksionimin e klubit.
Zyra për shtyp
KF Tirana

1 Komente

  1. d
    dyshuesi

    Po sigurisht që SKTirana do qëndrojë e paepur përballë sulmeve të njerëzve dashakeqës. Por unë mendova se në këtë artikull do sqarohet , sadopak, nëse ka apo jo probleme gjygjesh dhe borxhi Rid Halili. Sepse përtej propagandës së tipit heroik ,( ne jemi të pathyeshëm, ) gjykata dhe ligji vendosin se si do shkojë kjo punë.

    Lini një Përgjigje