Boshnjakët, dominues me shqiptarët: Tirana ka në dorë të rregullojë bilancin me rivalët ballkanas

23 Korrik 2022, 21:43Sport TEMA

Boshnjakët, dominues me shqiptarët: Tirana ka në dorë

Jo vetëm humbja 1-0 e ndeshjes së parë por edhe statistikat janë kundër Tiranës që do të sfidojë në Mostar skuadrën e Zirinjskit pas disfatës në “Arenën Kombëtare”.

Bazuar në të dhënat e dy dekadave të fundit në përballjet mes ekipeve shqiptare dhe atyre boshnjake në Europë, miqtë kanë një avantazh të lehtë teksa i kanë kualifikuar skuadrat e tyre në 3 raste kundrejt 2 të skuadrave shqiptare.

Në vitin 2005, Siroki Brijeg i dha një leksion Teutës në raundin e parë të Kupës UEFA me rezultatin e përgjithshëm 6-1 për boshnjakët, ndërsa 3 vite më pas e njëjta skuadër eleminoi Partizanin pasi barazoi 0-0 në shtëpi por fitoi 3-1 në Tiranë po në raundin e parë të Kupës UEFA.

Në po të njëjtin vit, pra 14 vite më parë në Ligën e Kampioneve, Dinamo u eleminua në dy sfida nga Modrica që e dominoi “Nëndetësen”.

Viti 2008 shënoi në total dy disfata të ekipeve shqiptare ndaj boshnjakëve tërësisht dominues në kërë rast ndaj dy skuadrave kryeqytetase, Dinamo dhe Partizani. Flamurin shqiptar në sfidat me skuadrat boshnjake e kanë mbajtur lart Kukësi dhe Vllaznia.

Shkodranët janë të freskët në memorien e shqiptarëve pasi sezonin e kaluar i kthyen reston Siroki Brijeg pasi bënë rokadën e madhe 3-0 në “Loro Boriçi” duke shtangur miqtë që kishin fituar sfidën e parë 3-1.

Ndërkohë, në vitin 2013, Kukësi u ndesh me Sarajevon në raundin e parë të Europa League. Pasi ruajti me fanatizëm barazimin 0-0 në kryeqytetin e Bosnjes, skuadra verilindore dominoi 3-2 me gola të Hoxhës, Popovic dhe Allmucës.

Tashmë është radha e Tiranës jo vetëm për të bërë një mrekulli që mund të rregullojë financat dhe sezonin e kampionëve, por për të barazuar edhe llogaritë me boshnjakët. 

Lini një Përgjigje