Erik ten Hag thyen heshtjen për largimin e Cristiano Ronaldo-s nga United

7 Dhjetor 2022, 16:39Sport TEMA

Erik ten Hag thyen heshtjen për largimin e Cristiano Ronaldo-s nga United

Erik ten Hag ka thyer heshtjen për largimin e Cristiano Ronaldo-s nga Manchester United duke thënë “ai ka ikur dhe është e kaluara” përpara se të insistojë se klubi po “shikon nga e ardhmja”.

Trajneri i United po fliste gjatë një interviste ndërsa ai dhe skuadra janë në një kamp stërvitor dimëror në Spanjë.

I pyetur nga ish-futbollisti dhe prezantuesi i MUTV-së, Danny Webber për afatin kalimtar të janarit dhe se si e ka menaxhuar largimin e Ronaldo-s, Ten Hag u përgjigj se “Ai ka ikur dhe është e kaluara. Tani po shohim përpara dhe po shikojmë nga e ardhmja”.

Ishte një përgjigje e shkurtër, e cila vjen në një kohë kaotike në klub pas intervistës bombë të Ronaldo-s me Piers Morgan, ku ai deklaroi se nuk kishte respekt për trajnerin e United.

Në atë kohë Ronaldo akuzoi Ten Hag dhe United se po përpiqeshin ta detyronin atë të largohej nga klubi, duke thënë se ai nuk ka respekt për holandezin dhe ndihet i “tradhtuar”.

“Unë nuk kam respekt për të, sepse ai nuk tregon respekt për mua”, tha Ronaldo.

“Disa njerëz nuk më duan mua këtu – jo vetëm trajneri, por dy ose tre djemtë e tjerë. Jo vetëm këtë vit, por edhe vitin e kaluar”.

“Sinqerisht, nuk duhet ta them këtë. Por dëgjo, nuk më intereson. Njerëzit duhet të dëgjojnë të vërtetën. Po, ndihem i tradhtuar”, theksoi ai.

Ylli portugez vazhdoi të sulmonte gjendjen e klubit, ish-drejtuesit dhe lojtarët përpara se kontrata e tij të prishej në mënyrë të pashmangshme, duke e lënë atë pa një ekip momentalisht.

Ronaldo ka qenë shumë i lidhur me një kalim te skuadra e Arabisë Saudite, Al Nassr, por ai doli për të mohuar këto raporte pas fitores 6-1 të Portugalisë në raundin e 16-të të Kupës së Botës.

“Jo, kjo nuk është e vërtetë – nuk është e vërtetë”, u tha ai gazetarëve pas ndeshjes.

Raportet kishin dalë të hënën dhe sugjeronin se ylli pa kontratë ishte në prag të marrëveshjes së madhe me Al Nassr që do ta kishte parë fituesin e pesëfishtë të Topit të Artë të merrte neto afër 200 milionë euro në sezon.

Ndërkohë, trajneri i United vazhdoi më vonë në intervistë duke thënë se ai mendon se klubi po shkon në rrugën e duhur.

“Kam ndjenjën, kemi ndjenjën se jemi në drejtimin e duhur, por e dimë gjithashtu se ka ende shumë punë për të bërë këtu”, shtoi ai.

Më pas, Ten Hag u pyet se si po përgatitet për mundësinë që disa nga yjet e tij mund të vijnë direkt nga një finale e Kupës së Botës në një ndeshje të Kupës së Ligës me Burnley më 21 dhjetor.

“Ne kishim një plan, i kemi përgatitur lojtarët me atë që është plani, kështu që nuk mund të ketë konfuzion se cili është programi”, tha holandezi.

“Ne i bëjmë lojtarët të vetëdijshëm për faktin se, pasi të jeni jashtë Kupës së Botës, duhet të ktheheni në klub dhe liga vazhdon menjëherë. Duhet të jesh gati për këtë, por mendoj se lojtarët tanë janë mësuar me të”.

“Lojtarët tanë janë fitues dhe ata po luftojnë tani për Kupën e Botës dhe në momentin që janë jashtë dhe shpresojmë që njëri të jetë fituesi, por më pas ata duhet të merren me këtë”.

“Me suksesin që kanë, apo humbjet, ata duhet të përballen me të dhe sigurisht që duhet të jenë gati për një sfidë tjetër”, vijoi ai.

Lini një Përgjigje