
Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq i drejtpërdrejtë dhe ndoshta kaq kritik. Mbase të qenët spektator në stadium në tri ndeshje (2 të Tiranës dhe 1 të Partizanit) në Ligën e Konferencës e kanë bërë Erjon Bogdanin ta ngrejë zërin. “Futbolli shqiptar ka ngecur. Nëse vazhdohet kështu, nuk shkojmë larg. Krenohemi me stadiume, por klubet tona profesioniste mbajnë radhën për t’u stërvitur në të njëjtën fushë. Kjo është e paimagjinueshme”, thotë ekskluzivisht “ErBomber” për “Panorama Sport”.
Me çfarë po angazhoheni këtë verë?
Nuk ka ndonjë gjë të rëndësishme. Jam i kënaqur sepse kam ardhur me familjen dhe po qëndrojmë me prindërit e mi këtu në Tiranë. Ndërkohë që pushimet do t’i kalojmë në gusht në Itali.
Ishit i pranishëm te ndeshjet e Partizanit dhe Tiranës… Ç’ndjesi ju lanë këto ndeshje?
Po, është e vërtetë. Fillimisht unë kam parë ndeshjen e Tiranës, më pas ndeshjen e Partizanit dhe sërish Tiranën. Fillimisht ma kërkoi djali im të shkonim në stadium.
Cila prej skuadrave të kryeqytetit e emocionoi më shumë djalin tuaj?
Aleksandri është 11 vjeç dhe si prind jam shumë i kënaqur me të sepse po ecën shumë mirë me mësimet, çka për ne është kryesorja. Por edhe në një shkollë futbolli ku ka nisur prej disa kohësh po luan mirë. Djali më kërkoi të vinte në stadium dhe të shihte edhe ndeshjet. I pa të dyja ndeshjet, por me emocion më të madh pa atë të Partizanit.
Pse pati më shumë emocione te Partizani?
Sepse e di që unë jam rritur te Partizani dhe ka simpati për këtë skuadër. Madje, në fund të ndeshjes mbeti pak i zhgënjyer kur nuk u kualifikuan “demat”.
Po ju si u ndiet pas eliminimit të Partizanit?
Nuk është se e kam ndjekur Partizanin, por duke iu referuar rezultatit të ndeshjes së parë, mendoja se do ta kalonte turin. Megjithatë, pashë që skuadra me të cilën u ndesh Partizani ishte një skuadër vërtet e fortë. Nuk mund të flas shumë sepse nuk e kam ndjekur Partizanin, por në këtë ndeshje nuk më pëlqeu.
Sepse ishte një skuadër që mendoi vetëm për mbrojtjen dhe nuk mendoj se me atë që dha në fushë, pra me lojën që bëri, të meritonte diçka pozitive në fund. Nuk kualifikohesh nëse nuk shënon gol dhe nuk ke besim se mund t’ia dalësh. Për Partizanin në radhë të parë, pastaj dhe për Tiranën më vjen shumë keq që u eliminuan. Unë i di vështirësitë që kanë klubet në Shqipëri dhe se sa të rëndësishme janë Kupat e Europës. Sipas mendimit tim, është jetike për ekipet që marrin pjesë në këto kompeticione që të paktën të kalojnë një ose dy ture. E kam fjalën për financat e tyre, por edhe për ekspozimin e lojtarëve në nivele më të larta.
Është e rëndësishme që skuadrat tona dhe lojtarët të tregojnë veten, sepse futbolli vërtet mund të shihet si lojë, por në thelb sot është industri. Për mendimin tim, Tiranës dhe Partizanit këto dy eliminime që në turin e parë u kanë peshuar shumë.
Sepse me aq sa pashë, ato i kishin mundësitë që të paraqiteshin më mirë, por edhe t’i kalonin ekipet respektive.
Është rastësi që dy ekipet më të titulluara sot në Superiore të eliminohen nga skuadra të këtij niveli?
Nuk është rastësi. Ne kemi ngecur. Kemi ngecur diku dhe nuk është problemi i trajnerëve. Sepse, sidomos në Shqipëri, trajnerët kanë një punë shumë, shumë të vështirë. Them një punë shumë të vështirë, sepse konstatimi im, veçanërisht për kampionatin shqiptar, është që ndryshojnë ekipet në mënyrë drastike. Nuk është e lehtë për asnjë trajner të ndërtojë një ekip fitues në pak kohë me kaq shumë ndryshime. Dhe më vjen keq që kostot për gjërat që nuk funksionojnë i mbajnë vetëm trajnerët. Nuk më duket e drejtë.
Mund të jeni pak më konkretë?
Shikoni, unë jetoj jashtë dhe nuk mund të them që ndjek në detaje gjithçka në Shqipëri. Por sa herë kam ardhur këtu për pushime ose edhe kur lexoj “Panorama Sport”, vërej se nga 10 skuadra që janë në Superiore, ku mesatarisht një skuadër ka 20 lojtarë dhe gjithsej pak a shumë për të 10 ekipet bëjnë 200 lojtarë, pas kampionatit nga këta 200 lojtarë rreth 120 apo 140 lojtarë janë të lirë. Nuk kanë kontratë…! Kjo do të thotë që ekipet nuk punojnë me një projekt afatgjatë.
Lini një Përgjigje