Juljan Shehu rinovon me Widzew Lodz: Mesfushori i kombëtares firmos deri në 2028

4 Tetor 2025, 14:25Sport TEMA
Juljan Shehu rinovon me Widzew Lodz: Mesfushori i kombëtares firmos deri

Juljan Shehu është kthyer në një futbollist të rëndësishëm për klubin e Widzew Lodz. Drejtuesit polakë vendosën që të zgjasin bashkëpunimin me futbollistin e Kombëtares shqiptare deri në 30 qershor të 2028, me opsionin për të rinovuar edhe për 1 vit tjetër.

Me një njoftim në sajtin zyrtar, klubi polak njoftoi arritjen e marrëveshjes me lojtarin, që mbërriti në këtë ekip në verën e 2022. Në 78 ndeshje me Widzeë Łódź, Shehu ka shënuar 8 gola.


Drejtori sportiv i klubit, Mindaugas Nikolicius, tha se zgjatja e kontratës së Juljanit është diçka për të cilën është punuar për një kohë të gjatë dhe ai ndihet shumë i kënaqur që u finalizua.

“Juljani nuk është vetëm një nga figurat më të rëndësishme në ekip, por edhe një lider brenda dhe jashtë fushës. Duke nënshkruar një kontratë të re, ai ka konfirmuar angazhimin e tij dhe do të jetë një element kyç për ne në të ardhmen”, tha Mindaugas Nikolicius.


Falë paraqitjeve të mira me skuadrën polake, Shehu mori edhe thirrjen e parë te Shqipëria në muajin mars. Në këtë sezon, në 10 takime të luajtura, 27-vjeçari ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë edhe 3 asiste. Ndërsa me Kombëtaren ka luajtur në 4 takime.

 

Lini një Përgjigje