Marota i bën presion Inzagit: Aktivizo Kristjan Asllanin

23 Mars 2023, 12:49Sport TEMA

Marota i bën presion Inzagit: Aktivizo Kristjan Asllanin

I grumbulluar nga trajneri Silvinjo në Kombëtaren shqiptare, por ende nën hijen e Interit. Kristjan Asllani sigurisht që priste më shumë minuta në eksperiencën e tij të parë në Milano. Në vend të kësaj, ditë pas dite, shqiptari përfundoi i mënjanuar nga trajneri Inzagi.

Por e ardhmja e tij te zikaltrit nuk është në dyshim: “Është vetëm 21 vjeç dhe drejtuesit e vlerësojnë atë si një aset të vlefshëm e me perspektivë, edhe pse Simone Inzagi nuk e ka konsideruar gati dhe nuk e ka aktivizuar as në ndeshjet e javëve të fundit, ku kalendari është ngjeshur dhe madje rrotacioni ka përfshirë elementë të tjerë në ekip”, shpjegon “Corriere dello Sport”.

Drejtuesit flasin me Inzagin Me shenja të dukshme lodhjeje nga ana e titullarëve, pritet të shihet nëse ky trend do të ndryshojë pas rikthimit nga pauza e kombëtareve që muajin prill, i cili për Interin përfshin nëntë ndeshje gjithsej mes Serisë A, Ligës së Kampioneve dhe Kupës së Italisë, me garën që e ka të hapur në të tria frontet.

Drejtuesit e Interit e kanë diskutuar tashmë çështjen me trajnerin Inzagi dhe presin më shumë aktivizim në vazhdim. Kjo është hera e dytë që Marota i kërkon trajnerit aktivizimin e mesfushorit.

Thirrja e Asllanit me Shqipërinë do të bëjë të pamundur çdo eksperiment tjetër në kampin stërvitor të Interit gjatë kësaj pauze, por nevoja mund të vijë direkt nga fusha në nëntë sfidat mes Fiorentinës (1 prill) dhe Lacios (30 prill). Idetë, energjitë dhe zgjidhjet e reja mund ta nxjerrin Interin nga telashet në një muaj zjarri.

KOMBËTARJA Mesfushori tashmë po bën një vit nga thirrja e tij e parë me ekipin kombëtar, që ishte në mars të 2022-shit në miqësoren kundër Spanjës, ku Edi Reja i dha edhe disa minuta.

Ndërkohë edhe tani, ai është grumbulluar nga trajneri Silvinjo për ndeshjen kundër Polonisë më 27 mars në Varshavë. Për shkak edhe të minutazhit të paktë, mesfushori është disi jashtë ritmit dhe pritet që të marrë minuta në pjesën e dytë kundër Polonisë.

Lini një Përgjigje