Në Tirana-Vllaznia ndahen pikët, Bylis surprizon Elbasanin

20 Dhjetor 2025, 15:37Sport TEMA
Në Tirana-Vllaznia ndahen pikët, Bylis surprizon Elbasanin

Tirana dhe Vllaznia barazuan 1-1 mes tyre, në Klasiken e futbollit shqiptar. Dueli i javës së 17-të në Superiore, u vendos nga dy penallti.

Bardheblutë kaluan në avantazh në minutën e 5-të, pas golit të shënuar me penallti nga Rafa Silva. Edhe barazimi erdhi nga penalltia, ku Balaj shënoi në minutën e 26-të, pas një ndërhyrje të gabuar në zonë.


Sulmuesi shkodran kishte mundësinë të përmbyste rezultatin në minutën e 44-t, por këtë herë gaboi nga 11 metërshi, pasi gjuajtja u ndal nga Tafas.

Fraksioni i dytë ishte më i qetë dhe me raste të pakta nga të dyja ekipet, që në fund u detyruan të ndajnë nga një pikë.


Me këtë barazim, Vllaznia konfirmon momentin e vështirë dhe mbetet në vendin e katërt me 27 pikë. Tirana renditet e fundit me nëntë pikë, ndërsa ky është barazimi i dytë radhazi.

Në duelin tjetër, Bylis bëri surprizën e madhe, duke mposhtur 3-2 skuadrën e Elbasanit, në stadiumin “Adush Muça”.


Ballshiotët ishin më kërkues nga fillimi dhe gjetën avantazhin në minutën e 44-t, kur Mustapha zhbllokoi takimin nga penalltia.

I njëjti lojtar dyfishoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Loukili ngushtoi diferencat në minutën e 52-të.


Mustapha u bë sërish protagonist dy minuta më vonë, duke shënuar edhe të tretin për Bylisin. Tsague realizoi të dytin për Elbasanin në minutën e 69-të, ndërsa Bylis në fund mbeti me 10 lojtarë, pasi Camara u ndëshkua me të kuq.

Me këtë rezultat, Bylis ngjitet në vendin e shtatë me 18 pikë, ndërsa Elbasani zbret i dyti me 32 pikë.

Lini një Përgjigje