
Superiorja po luan javën e 23 dhe skuadrat janë në lojë për objektivat e tyre. Renditja është e ngjeshur dhe skuadrat e kreut nuk e shikojnë si të lehtë garën për titullin. Tirana do të luajë me Teutën dhe trajneri Orges Shehi thotë se ndeshje pas ndeshje gara bëhet më e vështirë.
“Kampionati është një fazë që të gjitha skuadrat kanë objektivat dhe kjo e bën çdo ndeshje akoma më të vështirë. Ne do të hyjmë në çdo ndeshje për të bërë më të mirën”, tha Shehi.
Edhe në Shkodër kërkojnë titullin kampion. Kundërshtari i radhës është Kastrioti. Mirel Josa kërkon që të mendohet hap pas hapi.
“Publiku gjithmonë ka kërkesa për të fituar çdo ndeshje edhe unë ndaj futbollistëve dhe ata ndaj vetes së tyre që të jenë në luftë qoftë për titullin qoftë për Europën. Por unë shikoj përpara njëherë Europën, sepse kemi skuadra pas që e kanë objektiv. Po të vijnë të dyja bashkë atëherë mirë”, tha Josa.
Të dy takimet Tirana – Teuta dhe Vllanzia – Kastrioti do të nisin të shtunën në orën 17:00.
Lini një Përgjigje