
Numrat flasin shumë në futboll, numrat tregojnë se Partizani pa trajner është thjesht perfekt.
Themi pa trajner pasi zyrtarisht të kuqtë nuk e kanë një të tillë, por de facto Abilaliaj jo vetëm që po e kryen në mënyrë të shkëlqyer këtë rol, por ka bërë që edhe emri i trajnerit të ri të zbehet, ose më saktë të mos nxitohen, por të presin me qetësi Orges Shehin deri sa ky i fundit të zgjidh kontratën me Tiranën.
Duke iu rikthyer shifrave, në katër ndeshje me Abilaliaj në stol, Partizani ka marrë 12 pikë të plota, 4 fitore. Detaji me pikant janë pa diskutim golat në fund.
Ndaj Laçit ishte fitorja e katërt radhazi që të kuqtë e arrijnë në limite, një detaj që tregon qartë karakterin e këtij ekipi, por nga ana tjetër tregojnë qartë se Partizani e ka shumë të vështirë të mbyll një sfidë, e kanë shumë të vështirë të shënojnë, një detaj pas të cilit u kap edhe Abilaliaj pas suksesit minimal.
Lajmi pozitiv është fakti që ekipi pëson pak, kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që mbajnë portën të paprekur. Në total, në dhjetë ndeshje, Partizani ka pësuar vetëm 8 gola, mbrojtja më e mirë e kampionatit.
Me 23 pikë në 10 ndeshje, po aq sa edhe Egnatia, të kuqtë renditen në vendin e dytë, por kanë një ndeshje më pak në raport me ekipin rrogozhinas.
Lini një Përgjigje