
Atletika ka pasur problemet dhe vështirësitë e saj gjatë këtyre viteve, por një grusht atletësh cilësorë, me rezultate të larta kombëtare e ndërkombëtare, kanë mundur ta tërheqin vëmendjen e duhur, për t’i dhënë atletikës shqiptare atë shkëlqim të domosdoshëm sa për të qenë një sport elitar dhe një sport që ka nevojë më shumë se kurrë për investime të mëdha.
Problemi i saj gjatë viteve të fundit ka qenë mungesa e pistës në kryeqytet, pasi pista e mëparshme që ishte në stadiumin “Qemal Stafa” u dëmtua dhe sportistët elitarë detyroheshin të stërviteshin në pistën e stadiumit të Elbasanit.
Por pista në Tiranë po bëhet, me insistimin e veçantë të kryebashkiakut Erion Veliaj, madje pista po përgatitet që të njihet edhe për garat ndërkombëtare nga federata europiane.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli deklaron se “kjo pistë në fillimet e saj u nis vetëm për stërvitje, por me gjendjen e tanishme dhe me punën që është bërë dhe do të bëhet pista do të marrë çertifikim ndërkombëtar. Pra, pista e re do të jetë e standardeve europiane dhe duke qenë në këto standarde ajo mund të presë aktivitete”.
Ai e cilëson të shkëlqyer bashkëpunimin me Bashkinë dhe punët po shkojnë në drejtimin e duhur. “Kryetari i bashkisë në fillim nuk e dinte se kjo do të dalë një kryevepër, por merita e tij është se hodhi buxhet që pista jo vetëm të bëhet, por të plotësojë standardet dhe këtu qëndron puna thelbësore e bashkisë dhe merita e Erion Veliajt. Ishte vetë kryebashkiaku që tha të kishim një pistë që të ishte e denjë për të pritur aktivitete edhe për të huajt, prandaj kam nderin ta them në këtë moment që: nuk kemi luksin të kemi vetëm një pistë vrapimi, por një pistë atletike që do të presë mitingje ndërkombëtare”, deklaron Ruli.
Duke u ndalur te punimet e kësaj piste, Ruli sqaron se “drenazhimi është bërë, u shtrua këndi i hedhjeve, do të ketë banjo dhe dhoma për zhveshjet, një magazinë për vendosjen e bazës materiale, si dhe një minishkallë për të pritur 500-600 spektatorë. Ky e përmbush standardin për të pritur gara serioze, deri në mitingje ndërkombëtare. Problem është se duhet shtuar buxheti”.
Ai shpreh besimin se kjo pistë do të jetë gati në qershor.
“Duhet të kuptojnë të gjithë se janë disa procedura teknike fizike që kërkojnë kohën e vet. Psh., vendosja e tartanit kërkon temperatura afro 20-22 gradë celcius, disa teknika të tjera kërkojnë kohën e përshtatshme etj. Prandaj them që qershori do të na gjejë përfundimisht me pistë të re, e cila do të jetë edhe me standarde ndërkombëtare.
Kjo pistë, shtoi ai, do të zgjidhë jashtëzakonisht shumë problemin e atletikës shqiptare.
“ Mendoj se do të jetë një zgjidhje jo vetëm e tanishme por edhe në perspektivë. Mendoni për një moment sa kemi vuajtur gjatë kësaj kohe me sportistët që shkonin deri në Elbasan për të bërë stërvitje! Kurse tani jo vetëm stërvitjen do ta bëjmë në Tiranë, por edhe garat do t’i bëjmë në pistën e re. Kjo është diçka e mrekullueshme për atletikën shqiptare. Edhe klima që disponon vendi ku ndërtohet pista është nga më të mirat dhe kjo e shton më tej vlerën e saj”, deklaroi Gjergji Ruli.
“Sa i takon Bashkisë së Tiranës, është meritë drejtpërdrejt e Erion Veliajt që i ka mbështetur me projekte konkrete sportistët dhe federatat sportive, duke i financuar dhe për këtë meriton respekt maksimal. Erion Veliaj i jep frymëmarrje sportit në kryeqytet. Ai është një timonier i shkëlqyer, mund të them një kapiten i madh i një anijeje që lundron në ujëra të vështira e me dallgë të mëdha, por e aftë të lundrojë edhe në oqeane. Bashkia e Tiranës paguan shumë sportistë sot dhe sidomos sportistët me rezultate të larta, duke u dhënë një shpresë në vendin e tyre, prandaj unë e falënderoj pa masë kryetarin Veliaj, roli i të cilit në pistën tonë të atletikës është thelbësor”, tha Ruli.
Lini një Përgjigje