Milani e mbylli merkaton e dimrit në mënyrë të shkëlqyer, duke siguruar katër afrime në orët e fundit. Përveç Gimenez, Bondo dhe Sottil, në Serie A zbarkon edhe Joao Felix. Futbollisti portugez do të luajë me skuadrën e tij të katërt brenda dy viteve e gjysmë. Nuk është një rekord, por është diçka e paimagjinueshme disa vite më parë, kur Felix u shfaq në skenën e futbollit botëror dhe u duk se do të bënte histori. Tani te Milani do të kërkojë të rikthehet në rrugën e duhur.
Fillimi shpërthyes me Benficën
I lindur në vitin 1999, me baba brazilian dhe nënë portugeze, Joao Felix u afirmua me shpejtësi. Benfica e mori në ekipin e saj kur ishte 16 vjeç dhe në vitin 2018 e hodhi në fushë me ekipin e parë. Mesfushor sulmues apo anësor, nuk kishte rëndësi – ai bënte diferencën në çdo ndeshje. Dukej si fenomeni i ri i futbollit europian, me disa që e krahasonin me Cristiano Ronaldon dhe të tjerë me Rui Costa.
Atletico Madrid paguan 127 milionë euro për të
Në vitin 2019, Atletico Madrid lëviz shpejt dhe e blen për 127 milionë euro, përfshirë bonuset. Diego Simeone mendoi se kishte në dorë një diamant të papërpunuar që do të ndriçonte futbollin spanjoll. Por gjërat nuk shkuan siç pritej. Felix gjithmonë dukej sikur i mungonte diçka. Shënoi gola, fitoi një La Liga, por nuk arriti kurrë të bëhej një pikë referimi e padiskutueshme. Disa fajësonin karakterin e tij, të tjerë mendonin se atij i mungonte diçka përtej cilësive teknike. Ndërkohë, edhe lajmet rozë nuk e ndihmuan aspak.
Në janar 2023 kalon te Chelsea
Kur Simeone dha dritën jeshile për largimin e tij, nisi një periudhë kaotike për Felix. Në janar 2023 ai u huazua te Chelsea, por aventura në Premier League nuk pati asnjë ndikim. Kthehet te Atletico, por qëndron vetëm gjatë fazës përgatitore.
Më pas një vit me Barcelonën
Barcelona vendosi ta merrte në huazim për një sezon. Por historia u përsërit: një vit pa shkëlqim, vetëm 10 gola në të gjitha garat. Pas përfundimit të huazimit, ai u kthye sërish te Atletico, që në gusht të vitit të kaluar e shiti përfundimisht te Chelsea.
Chelsea paguan 52 milionë euro për të
Blutë e Londrës shpenzuan 52 milionë euro për Joao Felix. Me ardhjen e Enzo Maresca në stol, Chelsea filloi të përmirësohej, por performanca e Felix mbeti zhgënjyese. Ai u aktivizua më shumë në Conference League, ku luanin kryesisht lojtarët rezervë. Në Premier League, shënoi vetëm një gol në 12 ndeshje, me rreth 300 minuta të luajtura – një shifër tepër e ulët. Tani ka ardhur Milani, që e ka marrë me formulën e huazimit me pagesë (5 milionë euro). Më pas, e ardhmja e tij do të vendoset.
Joao Felix në Serie A: shansi i fundit?
Ky është rrugëtimi i gjatë dhe zhgënjyes i një talenti që dikur konsiderohej si një nga më të mëdhenjtë e brezit të tij. Si përfundoi Felix si një afrimi i minutës së fundit në merkato? Përgjigjja është e qartë: vite të tëra me paraqitje të dobëta dhe pritshmëri të parealizuara. Ai sigurisht nuk është një fenomen si Ronaldo dhe nuk ka një pozicion të qartë taktik. Por ndoshta ajo që i duhet është të ndjejë edhe besimin që mund t’i japë bashkombasi i tij Sergio Conceição.
Lini një Përgjigje