Turizmi si shpëtim, si po sfidohet shpopullimi në Kelmend

25 Janar 2026, 19:20Turizëm TEMA
Turizmi si shpëtim, si po sfidohet shpopullimi në Kelmend

Kelmendi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të preferuara turistike, falë bukurive natyrore, ajrit të pastër dhe traditave të ruajtura ndër breza. I shtrirë në zemër të Alpeve Shqiptare, kjo zonë ofron peizazhe mbresëlënëse, ku turistët tërhiqen nga aktivitetet në natyrë, kuzhina tradicionale dhe bujtinat familjare, të cilat po kthehen në një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë lokale.

Por, pavarësisht zhvillimit të turizmit, Vermoshi, pika më e frekuentuar turistike e Këlmendit, përballet ende me sfidën e shpopullimit.

Sipas banorëve, shpresa e vetme për këtë zonë mbetet turizmi, i cili mund të nxisë rikthimin e të rinjve për të investuar në shtëpitë e trashëguara dhe për t’i kthyer ato në bujtina që mirëpresin vizitorë gjatë gjithë vitit.

Mbajtja e hapur e rrugës gjatë sezonit dimëror ka ndikuar pozitivisht, duke nxitur disa bujtina të qëndrojnë funksionale edhe në muajt e ftohtë, për t’u ofruar shërbime turistëve.

“Fenomeni i emigrimit ka prekur pjesën dërrmuese të Këlmendit, ndërsa e vetmja formë shprese për këtë zonë, për rikthimin e të rinjve, është turizmi”, thotë gazetari i Euronews Teodor Gjerga.

Lini një Përgjigje