Vjeshta shton numrin e turistëve. INSTAT: Në shtator u rritën me 9,9%

24 Tetor 2025, 14:21Turizëm TEMA
Vjeshta shton numrin e turistëve. INSTAT: Në shtator u rritën me

Përherë e më shumë po vërtetohet se vjeshta është një nga stinët që turistët e huaj zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë shtatorit të 2025, është 1 milion e 259 mijë shtetas të huaj, ose rreth 114 mijë vizitorë më shumë se në vitin 2024. Sipas publikimit të INSTAT, ky numër është rritur me 9,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, 2024.

Për periudhën 9-mujore janar–shtator 2025 kanë hyrë në total 10,2 milionë vizitorë të huaj, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit që lam pas, numri ishte 9,6 milionë.


Sipas të dhënave të INSTAT për muajin shtator 2025, 95 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë janë nga rajoni i Europës; turistët nga Europa Jugore zënë pjesën më të madhe me 69 %. Por në rritje kanë ardhur edhe turistët nga Amerika, si dhe ata nga Azia dhe Paqësori.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve, është për qëllime personale. Por rritjen më të madhe e kanë hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, numri i të cilëve është rritur me 15,3 % gjatë shtatorit. Ndërkohë që përgjatë periudhës janar–shtator, për qëllime biznesi kanë ardhur në total 189 mijë persona, duke pësuar një rritje me mbi 21,6 %.

Ulje të ndjeshme kanë shënuar të huajt që vinë për arsye shëndetësore, duke pësuar një ulje të ndjeshme mbi 41 % përgjatë 9 muajve të këtij viti.

Lini një Përgjigje