Ndaloni përdorimin e Power Point në leksione!

4 Shtator 2017, 21:33Hi-Tech TEMA

A mendon me të vërtetë që të ndjekësh një leksion ku pedagogu lexon dhjetra slide PowerPoint i bën studentët më të zgjuar dhe më të aftë?

I krijuar në vitin 1987, pjesë e paketës Microsoft Office, PowerPoint-i është i instaluar në më shumë se sa 1 miliardë kompjutera në botë dhe përdoret çdo ditë për rreth 30 milion prezantime. Teksa ky software ka pushtuar botën, kritikat mbi përdorimin e tij nuk janë të pakta. Me të drejtë! Slidet i thjeshtojnë idetë përtej masës së nevojshme dhe prezantimi me pika të nënrenditura e fsheh kompleksitetin e tematikave që trajtohen.

Arsyet që një leksion të mos ecë siç duhet janë të shumta: planifikim i keq, përgatitje e papërshtatshme, mungesë motivimi dhe studentë të painteresuar, ndër të tjera. Në këtë listë, duhet shtuar edhe përdorimi i PowerPoint.

Leksionet janë një ndërthurje elementësh ku studentët, pedagogu dhe materialet edukative ndërveprojnë në mënyrë aktive për të diskutuar, trajtuar dhe zgjidhur probleme. Prezantimi me PowerPoint e mbyll leksionin në një guackë hermetike që nuk lejon të penetrojë asnjë mendim alternativ përveç idesë së pedagogut të përgatitur ditë më parë. Kjo metodë eleminon improvizimin dhe devijimin nga para-përgatitja, duke mënjanuar diskutimet spontane aq shumë të nevojshme për të gjeneruar progres.

Ndaj, leksionet bëhen shpesh të mërzitshme. Edhe pse studentët e kuptojnë se çfarë do të thojë pedagogu, ata presin në heshtje të lexohen të gjitha pikat e nënrenditura duke ëndërruar që slide i ardhshëm të jetë më interesant.

Për më tepër, slidet janë dizenjuar për t’iu shmangur procesit të të mësuarit, i cili – në rastet kur funksionon – përfshin dialog, kontakt sy-më-sy, dhe diskutime. Sigurisht që PowerPoint ka merita të padiskutueshme, por në vend që të përdorej në klasë si një mjet për të ndihmuar angazhimin dinamik të studentëve, PowerPoint e zëvendëson kompleksitetin e ideve dhe diskutimet e thella teknike me pika të nënrenditura, slogane dhe figura abstrakte.

Pedagogët duhet të bëjnë pyetje që hapin diskutim dhe të eksperimentojnë. Ata nuk duhet të ofrojnë zgjidhje dhe rezultate. Për fat të keq, PowerPoint bën pikërisht këtë gjë.

Prandaj, duhet ndaluar përdorimi i tij në leksione!

Cfarë është kaq e gabuar me PowerPoint?

Përdorimi i slideve të PowerPoint si mënyra e vetme e mësimdhënies moderne ka ndihmuar në konceptin absurd se t’u kërkosh studentëve të lexojnë libra, të ndjekin aktivisht leksionet, të mbajnë shënime dhe të bëjnë detyra shtëpie është e paarsyeshme dhe demode. Leksionet e ndërtuar dhe të bazuar në slidet e PowerPoint përcjellin idenë se studentët mund të bëhen të aftë dhe të ditur, pa pasur nevojë që të studiojnë dhjetra libra, qindra artikuj shkencorë e mijëra problema.

Studimet tregojnë se edhe pse studentët preferojnë prezantimin e leksioneve me PowerPoint, përdorimi i tij nuk ndikon aspak në rritjen e notave apo përmirësimin e të mësuarit. Pëlqimi i dickaje nuk e bën atë efektive. Përdorimi i PowerPoint është i dëmshëm në procesin e edukimit për të paktën tre arsye kryesore

1. Prezantimi i leksioneve me PowerPoint dekurajon dhe zhvleftëson mendimin kompleks. Slidet i detyrojnë pedagogët që të prezantojnë ide komplekse duke përdorur pika të nënrenditura, figura abstrakte dhe tabela të thjeshtuara përtej masës. Slidet dekurajojnë analizat e thella dhe komplekse dhe mënjanojnë situatat ambigue, pasi është thuajse e pamundur të prezantosh të tilla çështje komplekse në një slide. Kjo gjë i ofron studentëve vetëm iluzionin e qartësisë dhe të kuptuarit, por nuk i zhyt ata në oqeanin e dijes.

2. Studentët e mendojnë lëndën si një bashkësi slide-sh. Pedagogët që trajtojnë çështje komplekse dhe ambigue kritikohen për paqartësi në shpjegim. Mësuesit që menjanojnë listat me pika të nënrenditura akuzohen se nuk ofrojnë përmbledhje të nevojshme për shënime.

3. Slidet dekurajojnë pritshmëritë e arsyeshme që studentët duhet të kenë për lëndën. Studentët mendojnë që slidet duhet të përmbajnë çdo detaj të nevojshëm për të zhvilluar me sukses detyrat, projektet, testet, e më tej, aftësitë e tyre teorike dhe praktike në degën që studiojnë. Tek e fundit, përse duhet që një student të shpenzojë kohë për të lexuar librat, ndërkohë që mund të marrë notën 10, edhe vetëm duke iu përmbajtur slide-eve?

Procesi i të mësuarit nuk duhet të operojë në stilin fast food duke shitur njohuri të shpejtë nëpërmjet pikave të nënrenditura. Të nxënit nënkupton hapjen e horizontit të studentëve që të njihen me probleme të ndryshme e të punojnë për ti zgjidhur ato. Ky proces është i ngadaltë dhe i vështirë, por i domosdoshëm.

Të masësh gjënë e gabuar

Nese përdorimi i PowerPoint në leksione ka kaq shumë të meta, si ka mundësi që është kaq i përdorur?

Universitetet masin / vlerësojnë opinionin dhe pëlqyeshmërinë e studentëve për lëndën, por ato nuk vlerësojnë procesin e të mësuarit. Duke qënë se studentët e parapëlqejnë përdorimin e PowerPoint, atëherë ai shndërrohet në normë, pavarësisht efektivitetit të tij në procesin e edukimit.

Universitet nuk aplikojnë metoda për të matur të nxënit / të mesuarit. Testimet janë krijuar për të matur njohurinë. Por, njohuria dhe aftësitë ndryshojnë me kohën, e prandaj duhen matur në mënyrë periodike. Studimet tregojnë se rreth një e treta e studentëve nuk demonstrojnë përmirësim të dukshëm në procesin e të mësuarit përgjatë ciklit të diplomimit, përsa i takon aftësive që çdo degë duhet të zhvillojë, siç janë: arsyetimi analitik, mendimi kritik, aftësia për të trajtuar problema dhe aftësia për të shkruar në mënyrë akademike.

Studime të tilla janë të domosdoshme për të vlerësuar metodat e ndryshme të mësimdhënies. Kështu pra, mund të vlerësohet në mënyrë sasiore lidhja midis përdorimit të PowerPoint dhe të

nxënit. Ngjashmërisht, mund të krahasohen metodat e mësimdhënies për të përcaktuar se cila metodë funksionon dhe cila jo.

Për sa kohë që universitetet fokusohen tek pëlqyeshmëria e studentevë për degën / lënden dhe jo tek procesi i të nxënit, spiralja katastrofike e pritshmërive më të ulëta, punës më të pakët dhe të nxënit më të mangët, për fat të keq, do të vazhdojë.

Nga Evis Plaku

Doktorant në Shkenca Kompjuterike

Universiteti Katolik i Amerikës, Washington, DC

Referenca: http://www.businessinsider.com/universities-should-ban-powerpoint-it-makes-students-stupid-and-professors-boring-2015-6 https://theconversation.com/lets-ban-PowerPoint-in-lectures-it-makes-students-more-stupid-and-professors-more-boring-36183 https://www.washingtonpost.com/posteverything/wp/2015/05/26/PowerPoint-should-be-banned-this-PowerPoint-presentation-explains-why/?utm_term=.9dc0951a4a55

2 komente në “Ndaloni përdorimin e Power Point në leksione!”

  1. Tani says:

    Ide e guximshme po qe ia vlen. Po per pedagoget e huaj se keta tanet si me powerpoint si pa powerpoint njesoj jane

  2. Shefi says:

    Perdorimi i power point eshte nje nga arritjet me te medha ne mesimdhenie, jo vetem qe nuk shmanget , por duhet te behet i domosdoshem. Personalisht idete e parashtruara me siper i quaj absurde.
    Me power point paraqitet ideja e leksionit, pikat themelore te leksionit. Aty shtjellohen thjesht momentet kryesore pa ju futur llogaritjeve me shkumes ne derrase te zeze te cilat dhe kohe humbin dhe e lodhin studentit.
    Paraqitja grafike e shkelqyer me power point eshte e pa arriteshme nga asnje lloj tjeter mjet. Aty mund te tregohen nepermjet filmave te shkurter procese teknollogjike te cilat sado aftesi desinjuese te kete nje pedagog nuk jane te arriteshme ne kohen e leksionit me shkumes e dore te lire.
    Aftesia krtike studentit nuk rritet duke mimizuar powerpoint-in, por duke studjuar. Pervec leksionit procesi mesimor ka dhe ushtrime apo seminare dhe studentet pasi kane degjuar leksionin dhe kane studjuar materialin , atehere kane mundesi te japin mendimin kritik. Por edhe kjo eshte pak evazive. cfare mendimi kritik mund te japin per teorine e relativitetit psh?
    Natyrisht kjo nuk presupozon doemos heqjen e shkumesit nga dora e pedagogut (apo lapsave ngjyra).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje