Pesha e kryqit tonë mediatik

9 Nëntor 2017, 22:37Blog TEMA

Nga Baton Haxhiu

E dimë se është oportuniste në raport me masat që na konsumojnë kur mediat tona dalin më mirë duke bërë reality show të politikës, duke u përqendruar në negativitet.

Mirëpo, tani shihet se, si media, i kemi kaluar disa limite. Jemi kapur në lojën vicioze që e krijuam vetë.

Ne jemi ndër shkaqet primare të degradimit të politikës në spektakël bulevardesk, ashtu siç e përshkruan përpikërisht Mario Vargas Llosa në veprën e tij “Gjithçka Bulevard”, ku thotë se “kush humb kulturën e tij, humb edhe veten”.

Ne, mediat, humbëm kulturën mediale dhe veten, ndërsa rrugës për në varr duam të marrim me vete edhe binjaken tonë aq të dashur – politikën.

E vërteta?

Informimi objektiv?

Kush çan kokën për këtë punë.

Ne, mediabërësit, ndonjëherë më së paku.

Ky është bumerang. Mediat duhet të jenë më shumë se agjent pushtetesh dhe politikash.

Pyetja e vërtetë nuk është ajo që po ndodh në mes të Ramës dhe mediave, por ajo që po ndodh mes mediave dhe realitetit.

Unë mendoj se ne, si media, shumë shpesh harrojmë se para së gjithash duhet të ndërmjetësojmë mes ngjarjeve dhe publikut – për të informuar.

Në realitet, gjithnjë e më shumë duam të jemi ata që krijojmë ngjarje, vendosim rendin e ditës, vendosim atë që është e rëndësishme sipas standardeve tona dhe jo atyre që me të vërtetë kanë rëndësi.

Në vend se të kërkojmë shfaqjen e realitetit, ne bëjmë çmos që të na jepet material për ta shfaqur një botë ashtu siç do të donim ne: skandaloze, plot intriga, interesante, zbavitëse për masat. Mos e joshëm, madje edukuam, edhe politikën që të na ofrojë sa më shumë ndodhi të këtij lloji?

Nuk e mendonim këtë derisa politika na tregoi dhëmbët, na preku edhe ne. Dhe këtë prekje po e përjetojmë si thikë pas shpinë, apo si refuzim i politikës që ta bëjë lojën tonë.

Edi Rama është duke vepruar si të gjithë politikanët tjerë deri më tani. Jo sepse ai ekskluzivisht donte kështu, por sepse ne e krijuam kontekstin ku kjo është mënyra e vetme për të vepruar. Reagimin e Ramës mund ta reduktojmë tamtamçe, siç e kemi zakon në neurozë të tij, në strategji dandeske të kryeministrit shqiptar për ta spostuar vëmendjen nga krizat edhe më të mëdha.

Mund të bëjmë si të duam.

Por, a do na shpëlajë kjo ne si media për t’i ikur përgjegjësisë?

Reagimi i Ramës mua personalisht më tepër më del si shprehje e një frustrimi politik ndaj një sistemi mediatik që për bazë nuk e ka kryekëput informimin objektiv të masave, por pa përgjegjësinë minimale dhe në interes të agjendave të caktuara politike dramatizon deri në eksplodim gjithçka – jo për të zbardhur e shënjuar probleme, por për t’u hakmarrë. Për ta bërë mentalitetin aq të nxehur saqë të plasë vetvetiu bashkë me politikën, në këtë rast me qeverinë.

Kështu veprojmë ne, mediat. Shumica prej nesh.

Sepse, “kush paguan na përdor”?

Jo patjetër.

Më shumë qëndron kjo: ne u ndihmojnë politikanëve të krijohen – për t’i përdorur pastaj, duke u dhënë atyre përshtypjen iluzore se na paskan front për vete. Dhe kur del një politikan që nuk futet dot brenda këtij sistemi mediatik, plas sherri. Si Rama, ngase ai nuk është produkt mediatik.

Performanca e tij nuk është thjesht estetike dhe sikurse ligjërimi i tij nuk është thjesht retorik, ashtu qëndron edhe fakti se Rama ka bërë ndryshimin më të thellë politik në terren që nga fillimi i tranzicionit deri sot.

Natyrisht, në Shqipërinë e tashme ka vend për shumë kritika.

Por, në rrethanat e Shqipërisë, nuk ka pasur asnjë qeveri qendrore më shoqërisht të përgjegjshme dhe institucionalisht më zhvilluese se kjo.

Mediat janë të fundit, njëjtë si opozita pa kredibilitet dhe vizion, që mund ta kontestojnë këtë.

 

Fakti që sot, në vitin 2018, ne ende po diskutojmë për raportin kaq të përlyer të mediave me politikën, sipas mendimit tim, vetvetiu, pa na thënë kush, na bën Kazan.

Jemi bërë çorbë e pashikueshme.

Ne duhet të jemi shumë më shumë se sa të bëhemi temë. Edhe më keq: ndonjëherë jemi aq narcistë, tiranë, me pikëpamjet tona, saqë besojmë në këtë dhe në çdo jetë të mundshme të ketë vetëm një realitet: Ne!

Dhe askush tjetër.

Vetëm si themi ne, se ndryshe kot është.

Ne bëjmë çmos që mos të ketë realitet ndryshe nga ai fiktivi që duam me çdo kusht t’ia imponojmë edhe pushtetit, qeverisjes, politikës, xehetarisë dhe bujqësisë.

Çfarë po ndodhë me ne?

Punë e politikanëve është ta gjejnë mënyrën më të mirë për të nxitur agjendën me të cilën ata mendojnë se duhet të bëjnë dallimin. Ne, mediat, krijuam kontekstin në të cilin mund të zgjidhni midis aspekteve të ndryshme të realitetit, ose, versioneve më të këqija, shumë shpesh të ndryshme, të realitetit.

Kjo është pyetja e vërtetë që duhet t’ia parashtrojmë vetes.

Sepse duke menduar se ne jemi më të rëndësishmit, na mungon të shohim se gjithnjë e më shumë publiku e dyshon këtë. Dhe gjithnjë e më shumë mendon për ne si për ata që e shqetësojnë të vërtetën dhe nuk e dorëzojnë atë.

Shikuar nga etika profesionale, mungesa e dallimeve të qarta nga politika na vizaton një portret shumë më të keq se Kazani – edhe për arsye se jemi të papërtypshëm, që e bën Kazanin shumë me funksional dhe më fisnik se mediat.

 

Çfarë është produkti ynë mediatik sot?

Fakti që ne si media e shtrojmë këtë pyetje tregon se ende e kemi të vështirë ta kuptojmë cakun tonë për t’i shërbyer publikut, për të vërtetën që i duhet dhe e dëshiron.

Ne e shohim veten si ndërmjetës të fuqisë dhe tani ndjehemi të sulmuar. Kur ndjehemi të sulmuar, ne do të dëshironim ta zhvendosnim përsëri balancën e fuqisë për të mirën tonë.

Dhe përsëri: A nuk e lëmë shpesh veten të përdoremi për agjendat e pushtetit duke hequr mundësinë që ta forcojmë pozicionin tonë? Natyrisht, shumë prej nesh përfundojmë si agjentët e pushtetit. Shumë shpesh bëjmë kështu duke dashur të besojmë se e bëjmë atë për të mirën publike, edhe pse shumica e publikut mund të kenë pasur ose kane ide të ndryshme.

Jemi të joshur nga fuqia e njëjtë politike që e gjejmë në mënyrë të pabindur tek të tjerët.

Ne duhet të fillojmë t’i bëjmë punët tona më mirë, duke e informuar publikun më së miri që dimë.

Kjo është fuqia jonë e vërtetë.

7 komente në “Pesha e kryqit tonë mediatik”

  1. Emigranti says:

    Ky shkrim jo vetem me pelqen si nje analize e thelle ndaj vet-vehtes ,qe duhet t’i beje vehtes cdo perfaqesues i medias shqiptare,por edhe desha te shpreh mendimin tim ,jo si njeriu i medias.por si “viktime ” e saj.Une ,para disa vjetesh ,kur ishte ne pushtet opozita e sotme dhe ishte ndermarre nje aksion nga bashkia e atehereshme ,ku behej zgjerimi i rruges se Elbasanit drejt Saukut.Ne ate kohe pati nje rezistence nga shoqeria civile per te mbrotur Parkun kombetar .Besoj ju kujtohet te gjitheve.Une banoj ne Cikago dhe te them te drejten,jam 24 karat i majte ,jo si tifoz sporti,por me ide shume te thella ,te lindura qysh kur isha student i Historise.E kur pashe edhe ate reagim,ate “katastrofe” qe jepej ne lajme kronika,me vinte te mos isha i gjalli ta jetoja ate realitet te vendit tim.Ndodhi qe ate vit ,ne mos gabohem,ne vjeshte ,desha te kaloja nje dreke me njerzit e mij andej nga Sauku dhe u nisem me makine drejt tij.Une shume kurioz qe te shikoja me syte e mij “hatane ” qe kish ndodhur sipas pasqyrimit ne mediat e kohes.Kur kalova dhe pashe se cfare qe bere ,me beri pershtupje per ate informim aq te fryre te realitetit.Aty pashe disa “cjerrje” qe ne fakt me bene per te qeshur,por edhe nervoz.A ishte e drejte ai informim qe paraqeste nje “qamet”Aspak, them une me sa pasheAjo qe kish ndodhur aty,ishte nje domosdoshmeri qe e kerkon koha ne kushtet e zhvillimit te Tiranes…Me kete rast shpreh edhe mendimin tim ,te cilin e kam biseduar edhe me shume shoke ketu ku jetoj.Me eshte dukur i shpejtuar,informimi i parakohshem dhe i nxituar i disa mediave ne dhenien ie informacioneve,jo vetem te rreme,jo vetem te hiperbolizuar,por edhe te demshme. Me eshte dukur nje tendece vrapuese ne dhenien e informacioneve edhs sekrete duke demtuar hetimin e ngjarjeve.Me shpejt te informon media ,se sa drejtesia .Dhe pastaj mbahet qendrim i pa merituar i opinionit ndaj ngjarjes ,apo personit.Dhe me tej akoma shikojme se ne keto raste ,medies nuk i hyn asnje gjemb ne kembe.Por une theksoj ate qe ka ne ide edhe shkruesi,se gjembi me i thelle ne kete rast eshte morali i asaj medie qe katandiset ne kete gjndej,duke humbur shume ne besimin e saj nga populli.

  2. Ilo says:

    Po Baton! Nuk i heq asnji germe! Shune te rralle ne media mundcte shkruajne si Ju! Respekt

  3. Lili says:

    Cka po ndodh me ju?
    Sa kam qesh me batoni qe gjithe jeten e kaloj per te na imponuar realitetin qe shefat e tij kane deshtuar me na imponuar….
    Cka po ndodh? Nuk pyet kush nga populli per ju edhe sot as Njeshat e politikes s’po pyetin me per ju mbasi ju duke mos pasur asnje ,asnje ndikim me si opinion beres ju nuk mundeni me me i sherbye atyre edhe jeni per kosh plerash…edhe kjo eshte vetem aq sa meritoni…Nje jete kot keni kaluar,asgje tjeter Shqiptaria eshte ma e forte se veglat e sherbimeve si ju.

  4. Dn says:

    Ti kur nuk i ke sherbye te vertetes po vrtem Stanisiqit

  5. Naftetar i vjeter says:

    Kur pranon realitetin ,atehere fillon dhe ndryshon. kete realitet
    duhet ta kene te qarte shume palo “gazetar” ne vendin tone.
    keta realisht mendojne se ajo qe ata thone neper ekrane eshte e
    verteta absolute. dhe si rrjedhoje na e ndotin jeten tone me opinione
    perverse.

  6. betixho says:

    Ja pra,më në fund,jo nga gazetarët tanë,në kuptimin e produktit gazetaresk të shtetit tonë,por nga Baton Haxhiu i shkollës Kosovare,na thuhet pikërisht ajo që i jam adresuar gazetarëve tanë,se për fat të keq ata,nuk dinë të luajnë rolin e tyre dhe me një megallomani të pa skrupullt,nuk duan të kuptojnë se produkti i tyre jo vetëm që është vetëvrasës por pozicionohen në llogoren e gabuar,duke dalë ballë për ballë me ndjesinë dhe intuitën popullore duke zeruar punën e tyre dhe duke krijuar një impakt negativ në të drejtën e tyre për të vërteta në gabimet e politikës,kryesisht Qeverisë,duke mos u bërë më të besuar.Bumerangu që ata i krijojnë vetes dëmton njëherësh politikën dhe në veçanti Qeverin për të parë gabimet dhe përmirësuar punën,por edhe orjentimin parimor të popullit për qëndrim kritik të saj.Me një fjalë gazetaria jonë nuk merret me kritikën e poltikës por ka gabuar rrugën,ajo kërkon të prodhojë politikë.
    Nuk kam ç’të them përveç ta përgëzoj plot respekt zotin Baton Haxhiu për kritikën shumë inteligjente,reale,të thellë parimore me pozicionimin e duhur, e cila besoj se nga gazetarët seriozë e të nivelit do ta përkrahin fuqimisht për të ndikuar në kthesën që duhet të marrë gazetaria shqiptare nëse do të vihet në rolin e gazetarisë Europiane dhe të mos përflitet më si gazetaria e ‘KAZANIT MEDIATIK’.

  7. Aleko says:

    media eshte mesuar te qendroje gjithmone dhe per cdo gje kritik ndaj qverise…koha qe te filloje te jete kritik ndaj vetes ,ose sistemit mediatik qe peer gati 30 vite nuk thot asgje vec sencacioneve apo kritika sipas axhndes politike qe mbeshtesin. .reformimi nuk duhet te jete vetem peer politikeen dhe drejtesin por dhe per sistemin mediatik qe e siguroje nje mbeshtetje me tye mire ne rrugen e prrogresit demokratik te shoqerise dhe shtetit shqqipetare..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje