Rasti “Bianku – Biba”: pikëpyetjet etike të një historie çimkash në politikën shqiptare

Rasti “Bianku – Biba” është vijim i një kapitulli të përgjimeve në politikën shqiptare, që fillimet i ka me Nikollë Lesin. Ky i fundit, në kohën që ishte aktiv në politikë si deputet, aty nga vitet e para ‘2000, e përdori një bisedë të “përgjuar” në Rogner mes Nanos dhe Fehmi Abdiut, si një denoncim ndaj kryesocialistit në betejën politike që kishte me të. Biseda pati në qendër një aferë të pretenduar për shitje armësh, por nuk ngjiti dhe aq shumë në opinion.

Fjala “çimkë” akoma nuk kishte dalë. Do duhej viti 2006, kur një mikrofon “mizë” – siç quhet në gjuhë teknike – i Fiksi-t, do montohej në një nga zyrat e Kryesisë së Kuvendit, me qëllim regjistrimin e një bisedë të nxehtë mes Berishës e Ngjelës, për një çështje gjyqësori.

Dhe ishte ish-kryeministri demokrat ai që denoncoi atë që e quajti një “çimkë”, duke ndëshkuar me “ngrirje” partiake, anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Filip Çakulin, i cili në rolin e drejtorit të Fiks-it kishte urdhëruar montimin e insektit përgjues.

Por “çimka” më e bujshme do ishte ajo në dyshen Meta – Prifti, ku veç zërit ishte avancuar dhe me figurë. Nuk ishte një përgjim klasik, por një “thikë pas shpine” me mjete teknologjike e shokut ndaj shokut, për interesa politike e jo vetëm. Dihet pasoja e atij përgjimi që çoi më pas dhe në një protestë të përgjakshme me katër viktima.

Muaj më parë do vinte një tjetër afër përgjuese, e pagëzuar si “Babalja”, ku në shënjestër ishte vëllai i ministrit të Rendit. Siç u vërtetua ditë pas dite, ishte një sajesë e nivelit më të ulët amator.

E tashmë ka ardhur kjo e një bisede Bianku – Biba. Më shumë se politike, është një aferë e sferës etike. Njihen si njerëz me staturë të fortë juridike, ku të qënit ende në distancë nga politika, ajo e rëndomta, u jepte njëfarë integriteti në sytë e opinionit.

Por çka ndodhur? Njëri prej tyre, Ledio Bianku në këtë rast, i është qasur me gjasë një bisede shoqërore duke aktivizuar një çimkë. Kjo është mëse e lexueshme në gjithë sa ka ndodhur e po ndodh. Biba nga ana tjetër po tregohet i vetëpërmbajtur nga kurthi që i është ngritur këtu e ca vite më parë dhe e ka promovuar raportin mes tyre si një miqësi e afërsi të forte, duke legjitimuar pra llojin e bisedës me “zemër të hapur”.

Ndaj, cështja më shumë se politike ka pikëpyetje etike.

Edhe në pastë qenë me prapavijë politike “kafja” e pirë mes të dyve, ku aludohet pra që Biba t’i ketë bërë shantazh mikut Bianku, një përgjim i aktivizuar mes tyre është po aq i rëndë. Një gjyqtar në Strasburg siç është Bianku, të jep përshtypjen e një personalieti, juridik, politik – nëse do jetë një ditë – e padyshim njerëzor. Ndërsa aktivizimi i një çimke gjatë një kafeje me mikun, sado me interesa të kundërta politike, e zhvesh tërësisht nga virtyti, e bën të pavlefshëm për t’i besuar jo thjesht një miqësi por dhe një detyrë të lartë shtetërore.

Edhe në rrafshin njerëzor, çdokush që do ulet me Biankun këtej e tutje, apo që do ndërtojë një bisedë me të, ka të drejtën të dyshojë se mos përgjohet. Edhe njëherë: përgjime të këtij karakteri nuk janë çështje politike, por etike! Nëse të mungon kjo e dyta, nuk mund të jesh i denjë për të parën.   

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...