Shkencëtarja: Materialet shkëmbore të Antarktidës mund të avancojnë njohuritë mbi Marsin

11 Shkurt 2019, 15:54Lifestyle TEMA

Materialet në djerrinat e ngrira shkëmbore të Antarktidës mund të avancojnë njohuritë mbi Marsin, tha një shkencëtare turke e cila po merr pjesë në një mision të shkencëtarëve turq në kontinentin e bardhë, raporton Anadolu Agency.

“Mostrat e mbledhura do t’i nënshtrohen analizave kimike në Laboratorin Gjeo-Mikrobiologjik të Inxhinierisë Gjeologjike të Universitetit Teknik të Stambollit (ITU), ku mund të fitohen të dhëna më të hollësishme”, tha për AA Yağmur Güneş, ligjëruese e inxhinierisë gjeologjike në ITU.

Güneş dhe koordinatorja e projektit Nürgül Çelik Balcı janë fokusuar në mënyrë specifike në mineralet me karakteristika të ngjashme gjeokimike me ato të gjetura në planetin Mars.

Ajo tha se studimet e fundit robotike të kryera në Mars zbuluan prova të “avullimit” të materialeve, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së materialeve të ngjashme edhe në tokë.

“Ky studim, që përfshin gjeologjinë, gjeokimikën, biologjinë dhe shkencat klimatike, synon të kuptohen kushtet gjeokimike në Mars dhe të sigurojë informacione rreth pranisë së gjurmëve biologjike në materialet e krijuara në mesin e këtyre kushteve”, theksoi Güneş.

Sipas shkencëtares turke, pjesëmarrësit në projekt përballen me kushte të jashtëzakonshme meteorologjike në Antarktidë.

Duke studiuar biologjinë detare, oqeanografinë dhe ekologjinë në Stacionin Mbreti Sejong të Koresë së Jugut, Güneş tha se ka pasur mundësi “të kuptonte nevojën për studime shkencore në Antarktidë, nëpërmjet diskutimeve të mia me shkencëtarë të tjerë nga disiplina të ndryshme”.

Turqia, shtoi ajo, është e gatshme të zë vendin e saj në fushën e kërkimit hapësinor, e cila, ajo pohoi, “është bërë më e rëndësishme për vendin tonë, ndërsa shkencat tokësore janë gjithashtu të një rëndësie të madhe për të hetuar gjurmët e jetës në planete të tjera”.

Kujtojmë se një grup shkencëtarësh turq po marrin pjesë në Ekspeditën e Tretë Kombëtare në Antarktidë, e cila synon krijimin e bazave shkencore të Turqisë në kontinentin e bardhë.

Projekti, i mbështetur nga Presidenca e Turqisë, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë dhe Qendra Kërkimore Polare e ITU-së, si dhe tetë universitete të tjera turke, synon kryerjen e studimeve shkencore gjatë 30 ditëve.

Misioni po ashtu ndiqet nga ekipi i AA-së i përbërë nga tre persona, gazetarja Dilara Zengin, fotoreporeterja Özge Elif Kızıl dhe kameramani Servet Ülkü.

Qendra e parë Kërkimore Polare e ITU-së u themelua në Antarktidë në vitin 2015.

Në prill të vitit 2016, ekipi i parë turk i studiuesve – 14 mjekë, botanistë, gjeologë dhe oqeanografë nga shtatë universitete – udhëtuan për në Antarktidë për të studiuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Antarktida, kontinenti më i ftohtë në tokë, ka shërbyer si një zonë kërkimore shkencore që nga një traktat i vitit 1959. Turqia, e cila aktualisht ka status vëzhgues, synon të ketë status konsultativ në kontinent.

Temperatura më e ulët e regjistruar në kontinentin më të ftohtë në vitin 1983 ishte -89 gradë Celsius. Temperaturat arrijnë deri në -15 gradë Celsius gjatë verës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje