Jo të gjithë antiamerikanët vijnë në pushtet

21 Shkurt 2019, 19:38Politika TEMA

Nga Skender Minxhozi

Një lojë e vjetër, një shirit i parë e i dëgjuar dhjetra herë, më keq se filmat e Kinostudios: PD përballë ndërkombëtarëve! Ose më saktë, PD përballë Amerikës! U lodhën shqiptarët duke skeduar betejat, fërkimet, kundërshtimet që kjo forcë politike i ka bërë amerikanëve në 30 vjetët e fundit. Qysh nga peripecitë e Berishës me zyrtarët më të lartë të Uashingtonit në vitet ’90, e deri në vitin 2017, kur SHBA dhe BE i hapën dritën jeshile Ramës për të hyrë i vetëm në zgjedhje. Çka provokoi marrëveshjen e 17 majit, e cila i dha opozitës gjysmën e qeverisë, bashkë me humbjen therëse që pasoi.

Sot opozita po nis një tjetër përballje të gjatë e të komplikuar me faktorin ndërkombëtar. Heqja dorë kolektive nga mandatet parlamentare ka habitur të gjitha institucionet ndërkombëtare që merren me Shqipërinë, por më së pari amerikanët. Ata që historikisht kanë folur shpejt, qartë dhe ashpër kundër secilës prej partive shqiptare që kanë gabuar në një moment të tranzicionit. Për hir të së vërtetës, kjo ka ndodhur dendur e shpesh me PD, e më rrallë me PS, por ky fenomen meriton një analizë më vete.

Dy telefona në darkën e të mërkurës, njëri në zyrën e kryetarit të PD dhe tjetri në atë të kryetares së LSI, duket se kanë “kontribuar” jo pak që protesta e të enjtes të ishte e qetë dhe pa dhunë. Ka qenë vetëm tërheqja e rradhës e veshit, në një rrugë që duket sesa sapo ka nisur e që një zot e di si do të përfundojë.

Pak orë pas protestës, telefonatat me Bashën e Kryemadhin prodhuan një deklaratë të Departamentit të Shtetit, ku bëhej thirrje për mosdorëzimin “në masë” të mandateve parlamentare. Por opozita tashmë e ka hedhur hapin e saj. Ka mbyllur derën dhe ka hedhur çelësin nga dritarja. E ndërgjegjeshme se po bënte diçka për të cilën do të rrudhen shumë buzë në Perëndim, Basha, Berisha e Kryemadhi kanë vendosur edhe një herë t’i hyjnë detit në këmbë.

Lënia kolektive e mandateve shënon një precedent unik në jetën tonë politike. Kjo ngjarje është tashmë një gur kilometrik në rrugën tonë drejt shtigjeve të rrezikshme të anarkisë dhe kaosit, që do të mbetet aty për shumë kohë. E që potencialisht do të përdoret dikur nga dikush tjetër, ndoshta edhe kundër atyre që e shpikën. “E bëtë ju këtë gjë, e mbani mend? Zbrisni pak nga pushteti tani, se kështu më pëlqen mua”, mund t’i thotë pas shumë vitesh Lulzim Bashës së mbushur me thinja, kundërshtari politik i rradhës. Ai që do të mërzitet nga numrat e deputetëve, që s’do t’i pëlqejë opozita e tejzgjatur ose-ose…thjesht sepse ka bërë sherr me gruan e nuk do të rrijë më në vendnumëro!

Kjo mënyrë e banalizuar e të parit të krizës aktuale, na ndihmon të kuptojmë atë që ka ndodhur. Një tentativë për të marrë pushtetin në tavolinë. Ashtu siç u morën ministrat në zyrat e Kuvendit, një natë të majit 2017. Një largim vullnetar nga mandatet e marra me vota, një refuzim për të pranuar ligjësitë dhe “sinjalistikën” bazë të një loje demokratike!

Pikërisht këtë s’ta kupton askush në Perëndim. Sepse demokracitë e sotme e kanë filozofikisht të pamundur të bashkëjetojnë me idenë e revolucionit, të përmbysjes dhe të marrjes me dhunë të pushtetit. E vetmja rrugë drejt këtij të fundit kalon përmes zgjedhjeve, gjithçka tjetër është shkelje e themelit të sistemit. Këtë aksiomë e dinë mirë edhe opozitarët që bëjnë sikur nuk dëgjojnë, sikur nuk shikojnë dhe sikur nuk kuptojnë.

Për ta fillon sot një rrugë e gjatë. Rruga e afirmimit të dhunshëm të projektit të tyre të ngadhnjimit të rrugës mbi institucionet. Është një rrugë që do ta përshkojnë të vetëm, sepse tashmë edhe Këshilli i Europës, një institucion-rudiment i mbetur nga Lufta e Ftohtë, e hodhi “shashkën” e tij kundër gjestit të opozitës shqiptare, pasi e kishin bërë këtë gjë gjithë kancelaritë e tjera.

Një dimër i ri me ndërkombëtarët e pret Bashën, ashtu siç ndodhte në pranverën e 2017. Interesant, sa herë afrojnë zgjedhjet, opozita turret të bllokojë me gurë rrugën që çon drejt kutive të votimit. Që nuk fitojnë dot me Ramën na e kanë thënë shpesh. Kanë harruar të shtojnë, që nuk fitojnë dot as me Amerikën. Sepse me Amerikën nuk fiton dot as Rama, as Basha dhe as Kryemadhi. Ashtu siç nuk fitoi më i pari as Sali Berisha, që e di më mirë se gjithë të sipërpërmendurit se çfarë duan të thonë deklaratat e orëve të fundit nga përtej oqeanit.

E bukur shprehja “nuk vjen në pushtet po nuk ishe antiamerikan”. Puna është sesa e vërtetë është kjo në praktikë.

6 komente në “Jo të gjithë antiamerikanët vijnë në pushtet”

  1. Mihali says:

    Kështu është më mirë se zgjedhet e tjera Parlamentre në 2021 do t’i drejtojnë nga REÇI i malsis së madhe,dhe nuk u duhen shumë fonde.
    Ata opozitarët Lul,Mona,sal, lilo,dotë ken edhe kohe të bollshme për regulluar konitat
    në “vilen e re te Reçit “,të zgjedhin drtaret nga Liqeni i Shkodres,apo nga mali i Reçit.

  2. Komentuesi. says:

    Pd-ke,parti me njerez te trash.Se ku i çon mushka nuk dihet.Veç nje dihet se po shkojne drejte humneres,drejte prroit.

  3. Roland says:

    Bashkohem me mendimete skenderit eshte gjeja me e shemtuar qe mund te nodhe dhe kjo tregon nivelin e partise demokratike se ku ka arritur per djegien e mandateve qe te marrin pushtetin ne tavilin, qe nuk mund te ndodh dhe qe eshte kadegorikisht gabim se po themi te shkojme ne zgjedhje dhe basha fiton dhe partia socialiste thote me vjedhet votat i blet votat i keni marre me force votat ect.dhe thone do te djegim mandatet cafare do ndodhe te shkojme prap ne zgjedhjedhe keshtu shqiperia drejt shkaterrimit te plote . me vjen keq qe jetoj ne nje vend me demokratik te botes per 20 vjet ne Angli dhe kur shikoj se si eshte gjendja ne shqiperi eshte per te ardhur keq ,qe ca deputete apo kryetar partie duan te marrin pushtetin me force apo te behen Kryemister me force .kjo eshte ajo qe nuk mund te shkojme europe sepse keta njerez nuk duan qe populli te shkoj ne europe ,por me karten qe ju cojme ne ne europe genjejne ca njerez te ndershem por qee mendojne vetem per pushtet por europa nuk eshte ne listen e tyre ,po te ishte do shkonin ne parlament e te diskutonin per problemet e popullit dhe kur te shkojne ne zgjedhje te kene cfare ti thone atij.dhe vetem keshtu mund te fitohet pushteti
    ju faleminderit RG

  4. John says:

    Duket sikur po iu lutesh qe te kthehen se mbete pa pune, bashke me Ymer Bazen (sic e quajti Berisha Meron nje dite ne parlament aksidentalisht, kur tha se Mero kishte zbuluar shume gjera rreth Rames ne te kaluaren). Ju la pa pune opozita. hahahhahahhah!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje