Përpjekja dëshpëruese për të fshehur përplasjen me SHBA

9 Prill 2019, 21:07Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Në librin e tij me kujtime nga Ballkani, gazetari i famshëm amerikan David Binder, që ka mbuluar për vite të tëra Ballkanin për “New York Times”, në fund të viteve ‘80,  tregon njohjen e tij me Sali Berishën dhe një episod interesant. Pak a shumë ai kujton natën pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, telefonatën me Berishën nga Tirana në Beograd, dhe kërkesën e Berishës që gazetari të fliste me dikë në Shtëpinë e Bardhë dhe t’i udhëzonte se çfarë duhet të bënin …

-Po si mund ta bëj unë këtë, i kishte thënë gazetari. Unë jam thjeshtë një gazetar…

-E bën ti, e di unë, i ishte përgjigjur Berisha, i eksituar që kishte gjetur njeriun e Amerikës në Ballkan.

E gjitha kjo kuptohet më mirë sot, kur PD është përballë një përplasje të fortë me SHBA dhe Europën, dhe Sali Berisha, që është autor i kësaj përplasje, po shpik dy teza për të krijuar alibinë e përplasjes me Perëndimin.

Teza e parë, është relativizimi i rëndësisë së Perëndimit për fitoren e opozitës, dhe teza e dytë, është ajo që ka pasur në mendje tridhjetë vjet më parë, se gazetarët amerikanë përfaqësojnë Amerikën dhe mund t’i përdorësh për të tillë.

Fillimisht ai po përpiqet të relativizojë përplasjen e fortë të opozitës me ndërkombëtarët, duke theksuar se qëndrimi ndërkombëtar nuk ka rëndësi, se SHBA dhe Europa është gjithnjë me qeverinë. Dhe për këtë, shpik një legjendë se pasi PD ka fituar më 2005, disa diplomatë i paskan kërkuar ndjesë për qëndrimet e mëparshme. Është tipik përfytyrimi i një autoritaristi, që mendon se si mund të gjunjëzojë Perëndimin para këmbëve të tij, me dhunë.

Këtu brenda tek kjo teori, në fakt ka dy gënjeshtra. Gënjeshtra e parë është paraqitja sikur Berisha ka ardhur në pushtet në vitin 2005, pas një historie të fortë përplasje me ndërkombëtarët.

Gënjeshtra e dytë, është ajo që po fitove, diplomatët të kërkojnë ndjesë për qëndrimet e mëparshme.

E vërteta është se Berisha jo vetëm që nuk ka ardhur në pushtet më 2005, pas ndonjë përplasje të fortë me ndërkombëtarët, por ka ardhur pas një periudhe të gjatë izolimi dhe inferioriteti prej tyre, dhe gjeste përulëse deri në poshtërim.

Të vetmen rezistencë dhe përplasje që ka pasur më SHBA, ka qenë në vitin 1996-1997, që përfundoi me revoltë popullore dhe ikje nga pushteti. Prej asaj kohe, ai jo vetëm që nuk është përballur më me ndërkombëtarët, por ka bërë çfarë ka mundur t’i shpëtojë izolimit të tyre, duke qenë një njeri i përulur dhe shpesh qesharak.

Ai doli nga izolimi ndërkombëtar, realisht vetëm pas paktit me Fatos Nanon më 2002, dhe ka pranuar çdo gjë që i kanë kërkuar ata. Ai priti në zyrën e tij në mënyrë poshtëruese, një veprimtar nacionalist grek, siç është Nikolas Gaxojani, të cilin dikur e kishte shpallur po padrejtësisht “Non grata”. E priti  vetëm se ja kërkoi ambasadori amerikan në Tiranë, në shkëmbim të një kafeje me të.

Ai ndërpreu lëvizjen “Nano ik”, se ja kërkoi një lobist amerikan i qeverisë, dhe shkoi drejt zgjedhjeve të 2005-s, pas një pagesë të majme 1,5 milionë dollarë për një kompani lobimi në SHBA, 1 milionë nga të cilat ju dhanë nën dorë.

Dhe për gënjeshtrën e dytë, s’kemi çfarë themi, pasi siç shikohet, diplomatët nuk kanë pasur përse t’i kërkojnë falje, pasi ai ka qenë i përulur ndaj tyre.

Kjo që po ndodh me qëndrimin e SHBA dhe Bashkimit Europian kundër opozitës, është e pazakontë, e paprecedentë dhe e pariparueshme për opozitën. Kjo nuk buron nga ndonjë mëri ndërkombëtare kundër opozitës, por nga papërgjegjësia e vendimit të opozitës, nën shtysën e Sali Berishës, për të djegur mandatet.

Dhe të vetmen “amnisti” që Perëndimi jep për opozitën, është futja e saj në zgjedhjet lokale.

Inkurajimi që Sali Berisha i bën opozitës për rezistencë ndaj Perëndimit, është thjesht vazhdimi i përpjekjes së tij për ta marrë këtë opozitë me vete në humnerë.

Teza e dytë e Berishës, është ajo e 30 viteve më parë, që pat vënë në siklet dhe David Binder më 1991. Sot po vë në siklet Elez Biberajn apo gazetarë të tjerë kritikë me qeverinë, që kanë një profil profesional të spikatur.

E izoluar qartazi nga çdo mbështetje ndërkombëtare, ajo po keqpërdor qëndrime editoriale, apo pikëpamje gazetarësh, si qëndrime amerikane, duke i vënë dhe ata në siklet. I tillë është rasti i Elez Biberajt dhe fjalimi i tij në një aktivitet të shoqatës “Vatra”, aktualisht një shtojcë e degës së PD në SHBA.

Kritikat e zotit Biberaj ndaj qeverisë dhe opozitës, së pari u veçuan, duke përdorur vetëm ato ndaj qeverisë. Më pas ato u përdorën si qëndrime të qeverisë amerikane, duke prodhuar dhe tituj të tipit “Amerika foli”.

Kështu, ajo që tha Biberaj dhe ajo që u amplifikua nga opozita për Biberajn, ishin dy gjëra të ndryshme. Biberaj ka të drejtë për plot kritika për qeverinë, ashtu si ka të drejtë kur thotë se vendi ka nevojë për një forcë të re politike, për shkak se kjo opozitë nuk e ndryshon dot.

Por mënyra se si opozita keqpërdori Biberajn, më shumë i prishën punë atij dhe dëmtuan shkrimin e tij, se sa i bëri punë opozitës. Duke e bërë Biberajn, palë me kryeministrin, për shkak të impotencës së tyre, liderët parazitarë opozitarë, rrezatojnë mentalitetin e Sali Berishës tridhjetë vjet më parë, kur kërkonte nga një gazetar, udhëzime amerikane se si duhet të vepronin.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe kur dolën nga Parlamenti dhe dogjën mandatet. Edhe atëhere përdorën si arsyetim faktin që “Zëri i Amerikës”, ka bërë një raport kritik për Vangjush Dakon. Tani kjo çështje duhet ndarë se kë quan SHBA opozita shqiptare, pasi qeveria amerikane është ajo që foli sot në Tiranë, kurse gazetarët, qofshin kritikë apo mbështetës të qeverisë, kanë punën e tyre, nuk kanë punët e qeverisë.

Por Berisha vuan nga ideja fikse që këta duhen përdorur, me qëllim që pas kësaj, të jenë “o me atë, o kundër atij”. Dhe mjafton kaq për të kuptuar distancën e tij me SHBA. Edhe sikur t’i japësh vizë.

11 komente në “Përpjekja dëshpëruese për të fshehur përplasjen me SHBA”

  1. hb says:

    Ne realitet Vatra eshte kapur qe sa kohe nga emigrantet te hikur menjeher pas luftes, e tash vepron nen agjenden e tyre, tue vazhduar luften e vjeter. Kryetari i Vatres eshte antar i Bllokut Indepenent, nje organizat e formuar prej kollaboristve fashist, qe tani ndiqet nga pasardhesit e tyre.

  2. Nebil Çika (i riu) says:

    Shkrim i mirë. Duket qartë simpatia reciproke që Baze dhe Elezi kanë për njëritjetrin. Ndërkohë që unë mbeta një copë muti.

  3. Flutura says:

    Edhe sikur ti japesh vize…✋

  4. Nga Kosova says:

    Mero,
    Me te vertete shkrim i bukur ky,
    Por besoj qe tani duhesh ta besh nje shkrim edhe per spektaklin (skenarin e filmit aksion apo si do qe e quajme) e djeshem ne aeroportin “Nene Tereza” qe po ndodh per here te dyte nje vend ku siguria duhet te jete e permasave te medha.
    Vertete do te kontribuoje shume me nje mendim tendin edhe per kete çeshtje

    1. Jeta.N says:

      Prap ka dore Salihi, edhe ke ajo grabitje, prisni se do dali e verteta….

  5. Anesti says:

    Akoma me Vatren harrxhoni kohen. Dihet qe ne krye te heres perpjekia e Vatres kunder Shqiperise. Harrojeni Vatren eshte shume demode eshte e ndryshkur ne mendimr

  6. Gazetari says:

    Baze! Je sahanlepiresi dhe avokati me i mire i qeverive te degraduara. E bere me qeverin berisha, tani po e ben me qeverin rama. Bravo mik i shtrenjt.

  7. Klodi says:

    Sakt. Por ngelesh servil i qeverive.

  8. shqiptar me tru në kokë e këmbë në tokë says:

    Nuk jam dokord me ty Mero, sepse është Amerika (pavarësisht çfarë thotë për konsum publik), që këtë monstër shpellare, e ka mbajtur “në kohë të vështira”, e risolli në pushtet dhe po e mban akoma, dhe këto gjoja “përplasje” janë sa për sy e faqe… !!! Dhe siç duken bathët, këtë fosile, do ta kemi si gogol, sa t’i dalë shpirti nga Zoti…dhe asnjë “veting” s’ka për t’i futur gjëmb në këmbë…!

  9. Shqiptaret e bashkuar says:

    Mero Baze Ke krijuar nje STANDARTE te medias shume te larte dhe kjo nuk u pelqen antishqiptareve me te keqeinj qe Jane ata shqipfoles!

  10. Vatrani i vjeter says:

    Vatra ku foli z. Biberaj ka ne krye te derguarin e Sali Berishes (ish sekretar i tij dhe shok klase i Argites, dhe birin e nje sigurimsi te Enverit).
    Ajo eshte antiteza e Vatres qw krijuan dhe udhehoqen me perkushtim dhe qe e bene te famshme kete organizate.
    Ajo sot eshte nje vater dallkaukesh te manipuluar nga Sali Berisha, qe nuk punon aspak per Shqiperine.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje